Lëvizjet e fundit të prokurorisë kanë rritur panikun në radhët e opozitës. Krimet e Rënda dhe Prokuroria e Tiranës kanë thirrur ditët fundit personalitete të larta të politikës shqiptare, gjë që më parë nuk ndodhte kurrë. Deputetë të PD e të PS, kreu i opozitës Lulzim Basha, drejtori i policisë Ardi Veliu dhe shumë persona të tjera janë paraqitur pranë prokurorisë gjatë këtij muaji për të dhënë sqarime mbi ngjarjet e fundit dhe akuzat publike.
Gjatë kohës që në krye të prokurorisë ishte Adriatik Llalla, pati hetime e akuza ndaj shumë deputetëve të PD, ndaj deputetëve të PS, madje dhe ndaj ministrave aktualë dhe askush nuk u thirr për t’u marr në pyetje. Po ashtu Llalla kishte në dorë dosjen e CEZ dhe e mbylli për 10 ditë, ndërsa prokuroria ka thirrur deputetë e ish-ministra të PD.
Pra sinjalet janë se diçka po lëviz në horizont dhe se pushtetarët nuk janë të paprekshëm kur vjen puna te hetimet e prokurorisë. Por të gjitha këto lëvizje duket se kanë shqetësuar jashtë mase kampin opozitar. Gazeta ka bërë një monitorim të deklaratave publike gjatë dy javëve të fundit të krerëve të opozitës, deputetëve të tyre dhe të gjithë kanë nisur një sulm frontal ndaj prokurorisë dhe veçanërisht ndaj kryeprokurores Arta Marku e shefes së Krimeve të Rënda, Donika Prela. Por përveç kësaj, gazeta ka mësuar se Basha e Kryemadhi kanë udhëzuar dhe deputetët pranë tyre që sa herë dalin në media të sulmojnë organin e akuzës.
Sipas burimeve, ata janë porositur që të mos bëjnë asnjë tolerim nëse pyeten për ngjarjet e ditëve të fundit, pasi sipas Bashës e Kryemadhit, prokuroria është zgjatim i qeverisë dhe duhet të sulmohet. Nëse shihen deklarimet e ditëve të fundit, kryesisht deputetët e Komisionit të Ligjeve dhe Sigurisë, si Alibeaj Bylykbashi, Vasili, Braimllari, etj., kanë sulmuar shumë fort organin e prokurorisë. Pra sinjalet janë se opozita po bëhet bashkë për të sulmuar organin e akuzës, i cili ka thelluar ditë e fundit hetimet për çështjen “Babale” apo rastin “Xhisiela”.
E gjithë opozita kundër drejtësisë
Lulzim Basha, Sali Berisha, Monika Kryemadhi dhe deri diku Ilir Meta janë bërë bashkë kundër prokurorisë. Basha të hënën doli në një deklaratë shtypi dhe u bëri thirrje prokurorëve që të nisin rebelimet ndaj Markut. Dje doli po me një deklaratë zyrtare ku sulmoi prokurorinë se është rreshtuar krah qeverisë, kjo pasi organi i akuzës pushoi hetimet për një padi që opozita kishte ngritur ndaj kryeministrit. Edhe Petrit Vasili reagoi dje dhe sulmoi ashpër Arta Markun. Një ditë më parë dhe javën që lamë pas ishte Monika Kryemadhi ajo e cila kërcënoi hapur Markun.
Ajo i kujtoi se si u arrestua kryeprokurorja e Rumanisë, ndërsa disa herë e ka paralajmëruar se do mbajë përgjegjësi për veprimet. Ndërsa Berisha reagoi kur Basha u thirr në prokurori për rastin “Xhisiela”, duke sulmuar ashpër prokurorinë se është në zotërim të Ramës. Ndërkohë të hënën erdhi dhe reagimi i presidentit Ilir Meta, i cili po në mënyrë të drejtpërdrejtë kritikoi prokurorinë. Ai kërkoi që të qëndrojë larg ndikimit politik dhe tha se ka ngritur një grup paralel për të hetuar rastin “Xhisiela”.
Pra duket se kampi opozitar është bërë bashkë dhe target kanë prokurorinë. Lëvizjet e fundit të organit të akuzës duket se i kanë trembur të gjithë. Kur ministri i Jashtëm gjerman dhe zv/ndihmës Sekretarja e Shtetit ishin në Tiranë, patën takime me organet e drejtësisë dhe u treguan të prerë se duhet të nisë goditja në nivele të larta. Fakti që krerë të politikës po thirren në prokurori dhe janë në hetim, dëshmon që pas këtyre lëvizjeve mund të jenë dhe ndërkombëtarët. /Kliti Topalli