Drejtimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit duket se do të jetë beteja e radhës mes kryeministrit Edi Rama dhe Presidentit të Republikës, Ilir Meta. Gazeta prej disa kohësh ka raportuar se po bëhet një “luftë” underground për të zotëruar këtë institucion dhe tashmë kjo duket se po faktohet. Sipas burimeve të sigurta të gazetës pranë Presidencës, janë pesë emra që konkurrojnë midis tyre për të marrë postin e Bujar Leskajt. Ajo që bie në sy është se shumica e këtyre emrave njihen si mbështetës të Ilir Metës. Më konkretisht, pesë kandidaturat momentale për kreun e ri të Kontrollit të Lartë të Shtetit janë: Anastas Angjeli, Bajram Muçaj, Bahri Shaqiri, Ilirian Muho dhe Alqi Bllako.
Por cila është biografia e emrave që pretendojnë të marrin drejtimin e KLSH? Të gjithë e njohin Anastas Angjelin si deputetin e Partisë Socialiste, por ai njihet po ashtu si një mik mjaft i afërt i Metës. Angjeli ka lindur në vitin 1956 në Sarandë dhe përgjatë vitesh ka mbajtur një sërë postesh të rëndësishme, si: ministër Financash, ministër Ekonomie, ministër i Çështjeve Sociale, Zv. Guvernator i BERZH-it /Londër, këshilltar në Bashkinë e Tiranës, ndërsa momentalisht zotëron Universitetin Mesdhetar dhe është deputet i Kuvendit të Shqipërisë.
Bahri Shaqiri është emri i të cilit kreu i shtetit i ka besuar çështjet e Sigurisë Kombëtare sepse e ka emëruar këshilltar në Presidencë. Shaqiri më herët ka qenë në krye të Shërbimit Informativ Shtetëror, ndërsa para emërimit të tij si Këshilltar i Presidentit të Republikës, ai ka mbajtur postin e zëvendësministrit të Transporteve dhe Infrastrukturës, prej muajit shkurt 2016.
Emrat e tjerë
Bajram Muçaj është drejtori ekzekutiv i “Fondit Besa”, një ndër institucionet më të mëdha mikrofinanciare në Shqipëri. Ai është nga Skrapari, nga vendlindja edhe e vetë presidentit Meta. Edhe Ilirian Muho është një emër mjaft i afërt me LSI. Ai ka mbaruar studimet për drejtësi dhe gjatë kohës kur LSI ishte në qeveri me PD, ka qenë përfaqësuesi i LSI në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Pasi u prish aleanca, Muho u largua nga KQZ, ndërsa demokratët asokohe e kanë akuzuar si të lidhur me krimin. Në vitin 2013 ai u emërua Drejtor i Përgjithshëm i Hipotekave.
Ndërsa sa i takon kandidatit të pestë, Alqi Bllakos, momentalisht është Sekretar i Përgjithshëm në Presidencë dhe e ka marrë këtë detyrë kur Meta u vu në krye të Presidencës. Duhet theksuar fakti se teksa gara është ende e hapur dhe mbetet të shihet nëse do të ketë pretendentë të tjerë. Ndërkohë gazeta ka mësuar se Anastas Angjeli ka përhapur fjalë në rrethin e tij të ngushtë se drejtimin e KLSH do ta marrë ai. Sipas burimeve të sigurta të gazetës, Angjeli është shprehur me miqtë e tij te Universiteti Mesdhetar se ka marrë bekimin si të Metës, ashtu edhe të Ramës dhe tashmë vendosja e tij në krye të KLSH është thjesht çështje procedurash. Megjithatë mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë në ditët në vijim.
Luftë Qeveri-Presidencë
Fakti që nga 5 kandidatë, 3 janë të LSI e Angjeli së bashku me Muçajn gëzojnë respektin e Metës, pritet të shkaktojë përplasje mes Qeverisë dhe Presidencës. Frika e mazhorancës momentalisht është se Meta mund të kapë KLSH, një institucion mjaft i rëndësishëm që merret me auditime dhe kallëzime penale në prokurori kur shikon shkelje dhe abuzime me fondet publike. Pra sinjalet janë se fundi i nëntorit do sjellë një përplasje të fortë mes palëve. /Mimoza Ibra