Pasi për rreth 3 orë u mor në pyetje në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ‘BalkanWeb’ ka siguruar dëshminë e ish-kreut të Policisë Bashkiake Florenc Hoxha lidhur me çështjen ‘Babalja’.
Hoxha ka pranuar para prokurorëve, se ka qenë ai personi që realizoi videon me Fredi Alizotin, i cili thuhet se është autori që imitoi vëllain e Xhafajt, Agron Xhafajn.
Hoxha pohoi se e kishte regjistruar Alizotin me një kamera në orë dore, pasi kishte dyshuar për faktin se pse ai i ishte vetëofruar në takim.
“Dyshova se Alizoti m’u vetëofrua dhe e regjistrova. E regjistrova me një kamera në orë dore”, mësohet të ketë thënë Hoxha.
Hoxha dha llogari për videon e dytë të publikuar nga deputeti i PD-së Ervin Salianji, ku shfaqet Fredi Alizoti në një tjetër dëshmi për këtë çështje, ndërsa implikonte emrin e Taulant Ballës dhe drejtorit të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.
Pasi doli nga ambientet e prokurorisë, Hoxha nuk ka asnjë deklaratë për mediat, ndërsa tha se; ‘ua sqaron prokuroria’.