Nga Adem Janina
Në diktaturë n.q.s ishe aktor, piktor, muzikant, ti duhej t’i shërbeje propagandës dhe të kishe status, rrogë të mirë, ndryshe përfundoje si Mihal e Edi Luarasi, Sherif Merdani , Kapexhiu dhe dhjetëra të tjerë. Ata që mbijetuan dhe sot, e që ne i nderojmë dhe i respektojmë, nuk është se ishin më të mirët, por u përshtatën duke shërbyer.
Ndaj, është krejt e pakuptimtë, nostalgjia për ngrehinën ku vërtetë janë rritur si aktor, por kanë vegjetuar si shërbëtorë. Duhet ta kuptojnë, se tani regjimi nuk është më dhe këta kërkojnë të jenë të lirë, të pavarur dhe me të gjitha të drejtat… siç është në gjithë botën.
Natyrisht që kanë të drejtë. por përveç lirisë që u jep sistemi demokratik, asgjë tjetër nuk të jep sistemi i ndryshuar i konkurencës mes të aftëve, të paaftëve, të mëdhenjve, që nuk janë përshtatur dhe të vegjëlve që janë rritur. Ofiqet siç i kishin në komunizëm, duhet të mos na i tregojnë si nota të shkëlqyera të kalimit të klasëve artistike. Është për të ardhur keq, që të vetmit që nuk e kanë kuptuar se jetojmë në sistemin e vlerave dhe të shkëlqimit duke bërë art, e që vazhdojnë të kërkojne privilegjet e kohës së komunizmit, janë aktorët e teatrit.
A është artiste Irma Libohova , Bujar Qamili e dhjetëra këngëtarë dhe muzikantë të tjerë?! A nuk do donin dhe ata, që ish Estrada të ishte e tyre dhe të bënin shfaqje sa herë të donin, e ta ruanin ashtu siç dëshironin?!
Mirëpo, as që e menduan kështu dhe punojnë në treg si artistë, ku fitojnë nderohen dhe respektohen edhe më shumë, duke bërë atë që dinë të bëjnë më mirë, artin e të kënduarit.
Po piktorët, instrumentistët, balerinat dhe balerinët, që sot na bëjnë krenarë me arritjet e tyre, megjithëse kanë dalë nga shkollat e diktaturës, si nuk i dëgjuam kurrë të ankohen e të kërkojnë priviligje, por e falenderuan vendin e tyre që i bëri të tillë?!
Le të më thotë dikush, se cili nga këto aktorë ka shkëlqyer, apo provuar veten në tregun e madh të artit të aktrimit në botë, sepse aktrimi përveçse art, është edhe biznes, nëse i duam dhe i vlerësojmë gjërat si gjithë bota?!
Po ua them unë…asnjë nuk ka shkelqyer dhe ne, por edhe ju, mburremi akoma me emrin e Bekim Fehmiut, që përveç se emrit, shumë pak gjëra ka shqiptare dhe dy djemve të rinj Blerim Destani dhe Nik Xhelili!
Përpos të gjithave, teatri është pronë kulturore e shqiptarëve dhe e qytetarëve dhe për rrjedhojë e shtetit shqiptarë. Pra, asnjë nga ju aktorë të nderuar, nuk jeni pronarë të teatrit, që dilni të kërkoni paprekshmërinë e tij dhe ndalimin e ndryshimit.
Do të ishte tejet normale, që ju si aktorë, keni gjithë të drejtën të kërkoni kushtet e një teatri me standarde, por do ishte anormale, kërkesa për ta ruajtur si relike, kur ju nuk jeni pronarë, përderisa nuk e keni trashëguar nga “babai”. Teatri është pronë e atyre që shkojnë e ndjekin shfaqje dhe jo pronë e atyre që luajnë teatër dhe për të mos u mbetur qejfi, po luajnë edhe sot teatër me këtë temë, që po diskutohet sikur po u shiten dhe grabiten pronat e artistëve, që përveçse nostalgjinë e viteve të punës në atë objekt, nuk kanë asnjë tagër tjetër.
Pse nuk folët ju artistë, kur Berisha hodhi 25 mil euro për piramidën për ta shndërruar në një germadhe? Ku ishit ju, kur teatri u kthye në bingo, sepse po degradonte, nga që ju e kishit braktisur artin dhe ca bënit deputetin, e ca biznesmenin?
Është mosmirënjohje e qëllimshme prej inatçorësh klithma juaj, se Rama është artisti dështuar, që nuk e do artin. Nuk e di se nga e nxirrni këtë konkluzion, ju zotërinj që jeni artistë “të padështuar” dhe të realizuar, por konkluzioni arrihet duke bërë krahasime?!
A mund të keni paftyrësinë të gënjeni, e të më thoni se rikonstruksionin e teatrit në Korçë , Muzeun “Marubi”, apo Muzen e Korçës, rikonstruksionin e TOB, krijimin e teatrit Turbina në Tiranë, madje dhe Teatri Eksperimental në Tiranë, e kanë bërë qeveritë që kanë ikur?!
A mund të më jepni një shembull të vetëm, të një vepre arti, kulture apo sporti, që kanë ndërtuar qeveritë e rrumpallës dhe të rrumpallave, që sot dalin t’i u mbrojnë si “dashnorët” e flaktë të artit dramatik duke u bërë tragjikomik?!
Ruani dinjitetin dhe shërbejini prosperitetit dhe të ardhmes së profesionit tuaj të bukur dhe fisnik!
Jeni të vonuar për të kërkuar një të drejtë që nuk është e juaja. Kultura pret modernizim, zhvillim dhe jo ruajtje relikesh. Nëse keni ide zhvillimi, jemi gatim t’iu mbrojmë dhe tu vijmë pas, e nëse keni ide “frenimi” dhe asgjë-simi jeni të gabuar. /Ekskluzive.al