Eros Grezda kaloi me bujë në kampionatin skocez, pikërisht në radhët e Gllasgou Rejnxhërsit, teksa ka nisur edhe të luajë e të japë kontributin e tij për skuadrën. Në Gllasgou Grezda ka nisur të krijojë fansat e tij të parë, të cilët e preferojnë lojën e tij. nga ana tjetër, ata e nxisin të japë maksimumin dhe së fundmi, një fotografi ku shihen varur bluzat e Grezdës duke u tharë ka bërë xhiron e rrjetit. Me ironi tifozët shprehen se Grezda e ka djersitur shumë fanellën e tij kur luajti për Shqipërinë, por kjo është therësi si batutë, pasi Shqipëria humbi dy sfida me radhë, atë ndaj Izraelit por më parë edhe ndaj Skocisë. Pikërisht se skocezët janë në grup me Shqipërinë vjen dhe kjo ironi aspak e këndshme, por e pranueshme për futbollistët.
Në fakt, paraqitja e fundit e Shqipërisë ndaj Izraelit, ka lënë një shije jo të mirë duke qenë se ishte nga të paktat takime, ku kuqezinjtë dominuan dhe zhvilluan një lojë mjaft të bukur, megjithëse humbën 2-0. Në rrjetet sociale, natyrisht nuk kanë munguar shakatë dhe humori me futbollistët e Kombëtares. Kështu, është Grezda futbollisti i cili duket se ka marrë një “dënim” nga Kombëtarja, ose të paktën kështu bëjnë humor skocezët. Një foto ku shihen 3 fanella të Grezdës teksa thahen, është përdorur gjerësisht në rrjetet sociale.
Persona të ndryshëm, shkruajnë se paraqitja e Grezdës, ka bërë që të dënohet dhe të lajë vetë fanellat e tij të Kombëtares. Natyrisht, përtej shakasë asgjë nuk është serioze në këtë mes pasi nuk ka pasur dënime ndaj asnjërit futbollist. Grezda është cilësuar nga trajneri i Rejnxhërs, Stiven Xherard, si një prurje domethënëse për klubin dhe shpreson që kosovari i Kombëtares Shqiptare ta tregojë veten në duelet e ardhshme në kampionatin skocez. Nga ana tjetër, kalimi i dëmtimit është shenjë e mirë dhe për Kombëtaren dhe në duelin e fundit që do të zhvillohet në Shkodër midis përfaqësueses tonë dhe asaj të Skocisë, Grezda me siguri që do të jetë pjesë e grupit titullar. Fundja trajneri Kristian Panuçi e ka të zgjedhur si një prej lojtarëve që pëlqehet më shumë në gjirin e kuqezinjve.
Frederik Veseli kalon dëmtimin, gati të luajë për Empolin
Ndërkohë, teksa Grezda ka ardhur në formë dhe shpreson të marrë minutazh të plotë, një tjetër lojtar i përfaqësueses po synon të rikthehet në formë maksimale me skuadrën e Empolit në Serie B italiane. Kështu, Frederik Veseli ishte një nga mungesat në radhët e përfaqësueses shqiptare për ndeshjen kundër Izraelit, pasi u dëmtua në sfidën kundër Jordanisë. Futbollisti u lejua të udhëtonte përsëri drejt Italisë për t’iu bashkuar Empolit dhe nuk mori pjesë në transfertën në Izrael pasi stafi mjekësor i kuqezinjve arriti në konkluzionin se Veseli nuk do të ishte në gjendje të jepte kontributin e tij për atë sfidë.
Lojtari u kthye në Itali, ku ka kryer teste më të hollësishme mjekësore dhe rezulton se ka pësuar vetëm një dëmtim të lehtë muskulor si pasojë e sforcimit të tepërt. Ai në fakt duhej të qëndronte pushim në ndeshjen ndaj Jordanisë, por u aktivizua që në minutat e para për shkak të dëmtimit të Mihajt dhe mbylli ndeshjen me probleme fizike. Veseli do të vazhdojë terapinë e riaftësimit por pritet të mungojë këtë javë në radhët e Empolit ku ai ishte aktivizuar si mbrojtës i majtë në muajin e fundit për shkak të mungesave në skuadër.
Duhet thënë se krahas Mavrajt, Gjimshitit dhe Ajetit, Veseli është lojtari i katërt më i rëndësishëm për pozicionin e qendërmbrojtësit në përfaqësuese. Madje ndodh shpesh që ai të aktivizohet krahas Gjimshitit për shkak edhe të harmonisë që krijojnë në lojë me njëri-tjetrin. Kurse Mavraj shkon më shumë me Arlind Ajetin. Në duelin e ardhshëm kundër Skocisë, në fushë do të zbresin ata që janë më në formë dhe deri atëherë Veseli do të jetë rikuperuar plotësisht dhe mund të ketë një shans më shumë për të qenë titullar.
Adriatik BALLA