Policia e Shtetit po vazhdon goditjen në disa fronte në të gjitha vendin për kapjen e personazheve të njohura për autoritetet shqiptare dhe drejtësinë.
Shumë prej tyre i kanë parë disa herë hekurat e qelisë por sërish në rrethana të ndryshme ia kanë dalë të kalojnë në anën tjetër në shumë raste.
Një operacion u ndërmor dje në Sarandë për kapjen e Klement Balilit por nuk pati rezultat, megjithatë një tjetër ‘peshk’ ka rënë në rrjetën e policisë. Burime të sigurta thanë për “BalkanWeb” se policia ka arrestuar në fshatin Stjar mbrëmjen e kaluar për llogari të Krimeve të Rënda shtetasin Abedin Kuci, 49 vjeç. Mësohet se Kuci ka qenë anëtar i të ashtuquajturit “Grupi i Stjarit” i famshëm në vitin 1997.
49-vjeçari është arrestuar në vitin 2016 për trafik droge por u lirua sërish. Po kështu ai u shoqërua para disa muajsh nga policia e Gjirokastrës për verifikim pasi dyshohet sërish për trafik droge dhe përsëri i shpëtoi prangave.
Ai u arrestua mbrëmjen e kaluar forcat RENEA dhe FNSH, të cilat vijojnë të qëndrojnë në Sarandë.
“BalkanWeb” shkruan se është arrestuar dhe një personazh i dytë i njohur, i cili është dërguar në Vlorë por emri i tij nuk bëhet i ditur.