Nga Mero Baze
Njësoj si të arrestuarit, operacioni policor duket se ka kapur pa mendje dhe opozitën. Ajo duket se po reagon në mënyrë konfuze pas operacionit që ka çuar pas hekurave së paku katër grupe kriminale dhe dy ish- figura politike të larta të Partisë Socialiste, këta të fundit akuzuar për korrupsion. Dhe arsyet duket se lidhen me besueshmërinë e aksionit dhe goditjen ndaj grupeve reale kriminale, dhe me frikën nga ndonjë balancim politik në vazhdim, si dhe mbi të gjitha, ka marrja prej qeverisë, e kalit të betejës në luftën kundër krimit.
Por përse opozita nuk arrin të bëjë dot si e gëzuar për një fushatë kundër krimit, ndërkohë që ka një vit, që e ka kryefjalë të saj?
Ndalimi i dy ish- deputetëve socialistë për akuza të korrupsionit pasiv, duket se ka qenë shqetësimi më serioz i opozitës. Sali Berisha tentoi të relativizojë problemin e tyre me drejtësinë, ndërsa Basha t’i quajë të parëndësishëm. Në fakt, mund të ketë plot detaje në dosjen e tyre, që mund të mos i bëjnë ata aq fajtorë sa akuzohen, por opozita nuk e ka me këto detaje.
Opozita e shikon arrestmin e dy ish- zyrtarëve socialistë si një hapje krahu për këdo figurë politike që mund të dalë i implikuar në histori të tilla, dhe i druhet asaj që ndodh gjithmonë me Prokurinë shqiptare, balancimit politik të aksioneve. Është kjo arsyeja që tentojnë ta relativizojnë rëndësinë e arrestimeve, dhe biles janë gati dhe t’i mbrojnë personalisht dy të arrestuarit, përveç Strazimirit, që nuk i bën goja për njërin.
Rasi i Arben Nokës në Lezhë, i akuzuar për tjetërsim pronësie tek “Rëna e Hedhun”, është në fakt e njëjta dosje që ka mbajtur disa muaj më parë në arrest, kryetarin aktual të Bashkisë së Lezhës, gjykimi ndaj të cilit nuk ka përfunduar. Dhe me të drejtë deputeti Ndreu i PS, thotë që për të njëjtën çështje nuk mund të ketë dy standarte. Nëse Noka është i implikuar në atë histori, kryetari i Bashkisë dhe grupi i tij që janë ndërkohë nën akuzë, duhet të shkjonë bashkë me të në qeli.
Dhe pikërisht frika nga balanca të tilla ka shqetësuar opozitën, në vend që ta bënin të gëzohej për arrestimet.
Nga pikëpamja politike, nisja e një fushate kaq masive kundër elementëve kriminalë, e ka gjetur papërgatitur opozitën, e cila ka bërë kalë beteje prej muajsh retorikën e betejës kundër krimit dhe drogës.
Arrestimi i katër grupeve kriminale në trafikun e drogës, mes të cilëve shquan grupi i Shijakut, të cilit PD nuk guxon t’u përmendë as emrin dhe operacioni në Jug kundër Balilit, e kanë vënë PD-në në pozitë të vështirë, pasi Edi Rama praktikisht u ka rrëmbyer kalin e betejës dhe po e udhëheq atë vetë.
Tani Lulzimit dhe Berishës iu ka ngelur të ankohen për Lulzim Berishën pse ka ikur më herët jashtë Shqipërisë, pasi për të tjerët që janë kapur e kanë të vështirë të flasin, pasi dikujt prej tyre do t’i duhet t’u çojë dhe cigare në burg.Duke mbështetur gjithë aksionin politik tek një kauzë e cila i kishte vetëbindur që mund të shkatërronte kundërshtarin, opozita tani ka kaluar në pozita mbrojtëse, sikur i ka hall të saj arrestimet.
Nëse i shtrydh sot deklaratat e Berishës dhe Bashës, do t’i shikosh ata në role korrektuese, duke diktuar lista të tjera arrestimesh nga ato të Prokurorisë dhe Poliicisë, dhe përpjekje për të relativizuar vlerën e grupeve kriminale të goditura.
Kaq shumë duken të gjetur në befasi, sa në fund i kanë rënë shkurt, dhe “duan në burg Edi Ramën”, pasi kështu shpëtojnë edhe nga operaconi anti-krimm, edhe nga rivali.
Dhe në fund, duket që reagimi pozitiv perëndimor ndaj operacionit, është po ashtu shqetësim.
Ideja se duke identifikuar qeverinë me krimin, Shqipëria do dështojë të çelë zyrtarisht negociatat me BE, po kthehej në ide fikse të opozitës. Reagimet pozitive ndaj fushatës anti- krim, përshëndetja nga zyra e BE në Tiranë dhe pritshmëria që gjykatat të vazhdojnë ndëshkimin e tyre, në vend që të prodhonin entuziasëm tek opozita, kanë prodhuar mërzi.
Ishte shumë e thjeshtë që opozita të bërtiste e para “fitore” për këtë që ndodhi, pasi kështu mbronte dhe kauzën e saj, nëse e kishte reale. Por fakti që ajo reagon e mërzitur dhe nuk bën dot as si e gëzuar, tregon se ka pasur fallco kauzën e betejës kundër krimit. Ndryshe s’ka pse mërzitet në një ditë të tillë, e cila është ditë zie vetëm për krimin. /Tema/ Titulli orgjinal :Të mërzitur, në një ditë të keqe për krimin