Emisioni Fiks fare solli sonte një reportazh nga qyteti i Bulqizës, ku fëmijët 8 -10 vjeçarë punojnë në rrënojat e pirgjeve të braktisura pranë galerive për të mbledhur krom. Varfëria e tejskajshme ka detyruar shumë fëmijë të këtij qyteti të mbledhin dhe shesin krom. Filmimet e kryera nga gazetarët e Fiks fare tregojnë gjendjen e mjeruar në të cilën ndodhet qyteti i Bulqizës, sakrificën e përditshme të fëmijëve dhe familjarëve të tyre , të cilët detyrohen të bëjnë këtë punë të rëndë për një pagesë minimale. Fitimi për këta fëmijë që punojnë në stogjet e kromit, në të zezë dhe pa asnjë masë sigurie, varion nga 600 deri ne 1000 lekë të reja në ditë.
Fëmijët e Bulqizës janë dënuar të mos kenë fëmijëri, ata nuk luajnë, por punojnë duke mbledhur krom apo “gurin me xixa”, siç e njohin fëmijët , për të ndihmuar familjet e tyre ekonomikisht.
Fëmijët e këtij qyteti i kalojnë ditët e pushimit në pirgjet e kromit. Nuk kanë kohë të luajnë dhe topin apo librin në dorën e tyre është zëvendësuar me kovën ku mbledhin kromin. Dhe kjo e gjitha për të lehtëuar sadopak familjet e tyre,për të nxjerrë pak të ardhura.
Megjithëse për këtë qytezë mbledhja e kromit nga fëmijët është një panoramë normale. Prindërit së bashku me fëmijët e kanë të vetmen mënyrë për të siguruar mbijetesën.
Në masivet e gurëve që janë krijuar nga puna disa vjeçare në sektorin minerar gjen gra dhe fëmijë që kërkojnë atë pak krom që mund të ketë mbetur, për ta shitur më pas tek kompanitë apo individët që merren me tregtimin e kromit. Minerali që mblidhet prej tyre blihet me 5 leke kilogrami nga disa firma apo persona, të cilët më pas e rishesin mineralin me 18 ose 20 lekë kilogramin. Fitimi për këta fëmijë që punojnë në stogjet e kromit, në të zezë dhe pa asnjë masë sigurie, varion nga 600-1000 lekë të reja në ditë.
Panorama e gjithë stogjeve ishin punëtorë të ndryshëm që mbanin në kurriz arka e kova me krom. Mundimi i fëmijëve që shpesh nuk e ngrinin dot kovën e kromit në shpinë, dukej qartazi. Nevoja nuk i lë të dorëzohen dhe më ndihmën e shokëve e kryenin edhe këtë punë. Fëmiëjt treguan për Fiksin se familjet e tyre janë në gjendje shumë të keqe ekonomike dhe se mbledhja në stogje është e vetmja mënyrë për t’u ushqyer.
“Nuk marr ndihmë ekonomike, nuk kam rrogë, nuk kam ku të punoj, kam marrë me vete dhe fëmijët” thotë nëna e tre fëmijëve e cila bashkë me ta gërmon në rrënojat e pirgjeve të braktisura pranë galerive për të mbledhur krom.
Gazetarët e Fiksit gjetën fëmijë duke gërmuar në pirgje për gurë kromi, njëri prej tyre vetëm 8 vjeç thotë se ka shume kohë që e bën këtë punë ” Tani jam në klasë të dytë, e kam bërë edhe kur isha në klasë të parë, tani jam mësuar, mbush tre kova në ditë e fitoj 6 mijë lekë të vjetra ” tregon fëmija i klasës së dytë. “E dalloj prej xixave, është gur me xixa”, i thotë një i mitur gazetares së Fiksit pasi pyetet prej saj për mineralin e “çmuar”.
Vëllai i tij thotë se ai ka punuar edhe më i vogël se 7 vjeç. “Unë e kam nisur punën më i vogël se vëllai, në shtëpinë tonë punojmë ne të dy dhe babi në lavazh” tregon 13 vjeçari për Fiksin.
Një grua 66 vjeçare tha se e ka pensionin 50 mijë lekë të vjetra dhe se nuk i mjaftonin, ndaj ishte e detyruar të dilte të mblidhte krom. “Më ka mbuluar disa herë dheu dhe mezi kam dalë, por ç’të bëj nuk më mjafton pensioni ” tregon e moshuara , përreth së cilës mblidhnin krom nipërit dhe e grumbullonin afër saj.