Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë reaguar në pasditen e së hënës për një sulm ndaj disa pelegrinëve serbë, në Istog, të dielën.
Dy autobusë, që po bartnin 170 pelegrinë serbë, ishin sulmuar në fshatin Studenicë – me ç’rast u ishin thyer xhamat.
Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës, e cila ka bërë të ditur se pelegrinët kishin leje për një vizitë në Manastirin e Studenicës.
Ushtruesja e detyrës së ambasadorit të SHBA’së në Kosovë, Colleen Hyland, ka thënë se është “zhgënjyer nga dhuna e përdorur për frikësimin e besimtarëve në Istog”.
“Atyre duhet t’u sigurohet liria e lëvizjes nëpër Kosovë”, ka porositur Hyland, nëpërmjet një “cicërime”, në rrjetin social Twitter, në internet.
“Përshëndesim deklaratat e fuqishme të udhëheqësve të Kosovës, që kanë dënuar këtë dhunë, dhe mbështesim përpjekjet e policisë për t’i vënë para drejtësisë keqbërësit”, është shprehur ajo. /Express/