Në dy ditët e fundit kemi pasur operacione të fuqishme të shtetit në goditjen e grupeve kriminale, të cilat, të ndërlidhura ose veçmas, vepronin prej disa kohësh në Shqipëri.
Ishte një ndërmarrje e paralajmëruar nga Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, dhe si duket, nuk do të jenë të fundit që do të ndërmerren në kuadrin e ndërmarrjes serioze “Forca e Ligjit”.
Pas një pune serioze, bashkërenduese edhe me struktura të tjera ligjzbatuese, Policia e Shtetit, ndërmori një ndër aktet e shumëpritura të saj dhe, megjithë shtrirjen e gjerë në disa rrethe, për herë të parë nuk kishte asnjë rrjedhje informacioni apo dekonspirim të tij.
Në këto 30 vite mjaft shqiptarë kanë bërë pasurinë e tyre përmes një pune të ndershme, të mundimshme dhe frutdhënëse.
Ashtu si jo pak të tjerë, e kanë bërë këtë pasuri, shpesh herë marramendëse, përmes abuzimit, akteve korruptive, krijimit të një rrjeti oligarkik të lidhur me politikën, trafiqeve të paligjshme, krijimit të grupeve të prodhimit, shpërndarjes së lëndëve narkotike, shantazhit dhe krijimit të grupeve kriminale.
Kjo ka ndodhur sepse, në jo pak raste, shteti i ka lënë dorë të lirë abuzuesve, ndërsa ata që e kanë vënë pasurinë e tyre përmes punës së ndershme janë paragjykuar.
Koha kishte ardhur që të ketë një ndarje të thiktë mes ndëshkimit të ABUZIMIT DHE NDERSHMËRISË; në mes spekulimit, qoftë ky i lidhur edhe me politikën dhe asaj që është fituar përmes mundit dhe mendjes krijuese, kishte ardhur koha që krimi të ketë frikë nga ligji dhe jo ligji të tkurret para krimit.
Në fund të fundit kishte ardhur koha që të kemi atë Polici të Shtetit që duan qytetarët, që nuk mund të bëhet palë me krimin, që nuk e mbështet atë dhe që, nëse bëhet palë me të, duhet të ndëshkohet, ndoshta më ashpër se të tjerët.
Tani ka dy ditë, ndoshta do të ketë edhe ditë të tjera, që shteti ka dhënë sinjalet e fuqishme se ka ndër mend të presë dorën e lirë ndaj abuzimit, pavarësisht se nga kush është lënë e hapur porta për abuzuesit, pa marrë parasysh se nga cili bastion politik vijnë, çfarë kostumi kanë veshur apo uniforme kanë mbajtur.
Tashmë shteti ka filluar prej dy ditësh të bëjë, si të thuash, vettingun e qytetarëve të tij.
Prej kohe DITA, në analiza, artikuj dhe shënime redaksionalë, ka kërkuar pikërisht këtë gjë, forcën e ligjit mbi antiligjin; vendosjen e të gjithëve para një ligji të njëjtë, flakjen e qëndrimit politik ndaj abuzuesve dhe, në fund të fundit, atë për të cilën qytetarët e kanë votuar dy herë radhazi qeverinë e sotme, ndëshkimin e abuzimit, korrupsionit, trafikimit, dhe, kur ndodh, ndjejmë detyrimin për të qenë palë me shtetin, për të përgëzuar atë në veprimin e tij dhe për ta mbështetur.
Çdo shtet bën vazhdimisht vetingun e qytetarëve të tij. E bën përmes strukturave të posaçme, në atë rrugë që ai vetë e gjykon të arsyeshme, duke vënë në lëvizje të gjithë strukturat e tij.
Asgjë nuk ka të keqe këtu, përkundrazi, gjithçka është e mirëpritur dhe e mirëseardhur. Shteti, në fund të fundit, e ka detyrimin e tij ligjor për të bërë ndarjes mes së keqes abuzive dhe korruptive dhe ndershmërisë.
E bën atë edhe kur drejtuesit e këtyre strukturave për muaj e muaj me rradhë janë vënë nën ortekun e sajesave të opozitës, kur këto drejtues sulmohen në të gjithë rrënjët e tyre, kur u ndryshohet e kaluara për të goditur të ardhmen e një proçesi që askush nuk do të mund ta ndalë ose ndaj tyre krijohet një lëvizje babaliste, tejet mashtruese dhe neveritëse.
Duke bërë ndarjes e së keqes nga e mbara, shteti i jep më shumë dinjitet vetes dhe sjell më tepër besim tek qytetarët që i besojnë, mbyll portën e skeptikëve dhe u ndal turrin abuzimeve të tjera.
Dhe këtë nuk e bën për të hedhur hi syve ndaj strukturave ndërkombëtare, të cilat vazhdimisht, jo vetëm sot, kanë kërkuar ndëshkimin e krimit, por që, më në fund, të ketë shtet, të ndjehet forca e shtetit, dora e ligjit dhe serioziteti i një qeverie që nuk pranon të bëhet palë me të keqen.
Qëndrimi i çuditshëm i opozitës, që e kishte si kauzë të saj luftën kundër krimit, e cila duket më tepër e dëshpëruar se sa bashkëpunuese, dhe që, përmes deklaratave të ngritura me nxitim kërkon të kalojë në çështje të tjera, nuk e larton atë, por sjell një droje se mos kësaj fillese ajo pret që dikush të trokasë në dyert e liderëve të saj, të cilët, për shumë e shumë kohë, edhe tani, kanë qenë të lidhur me fije të ndryshme dhe elementë të veçantë të krimit të organizuar. Si duket, ndërsa përmendin “cironkat”, ata e dinë se çfarë i pret peshqit e mëdhenj që mund të jenë ushqyer prej shumë viteve pikërisht nga “ cironkat”.
Si duket edhe nga deklarimet e shefit të qeverisë, mund të jemi në nisjen e mbarë të një aksioni që nuk do të ndalet këtu dhe nuk do të ketë si objekt vetëm pak emra dhe disa grupe.
Është e mundur, krejtësisht e mundur që, pas kësaj fillese, para strukturave të ligjit të sillen edhe koka më të mëdha, duke shkuar me forcë, por të argumentuar, drejt atyre që jo shumë kohë më parë, një përfaqësues i lartë i diplomacisë amerikane, i ka quajtur “peshkaqenët e mëdhenj”.
Është një fillim i mbarë i fitores së ligjit mbi antiligjin.
Dhe është një fitore për të gjithë./DITA