Prokuroria e Krimeve të Rënda do të kalojë në ‘sitë’ gjithë pasurinë e personave të arrestuar në kuadër të operacionit ‘Vol-Vo 4’, mes të cilëve janë edhe dy ish-deputetët socialist, Arben Ndoka dhe Arben Çuko.
Burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda kanë bërë me dije se pas masës së sigurisë, hetuesit do të nisin verifikimin e plotë, ku do të përfshihet dhe rrethi i tyre familjar. Ndaj dy ish-ligjvënësve rëndon akuza e kryrjes së veprimeve në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Të gjitha bankave të nivelit të dytë, zyrave të regjistrimit të pasurive të paluajtshme por edhe jashtë Shqipërisë, do tu kërkohet informacion në lidhje me pasuritë e tyre nën dyshimin se ato mund të jenë vendosur nga aktivitete kriminale.
Një ditë më parë gjykata vendosi të ndryshojë masën për 10 nga të arrestuarit, 2 prej të cilëve do të jenë në “detyrim paraqitje”.
Në kërkim janë edhe 10 persona të tjerë për të cilët gjykata ka vendosur masat “arrest me burg” në mungesë. Në qeli kanë mbetur 24 të ndaluar ndërsa dhe sot u mor masa e “arrestit me burg” dhe për dy të ndaluar të tjerë.
Prokurorisë së Krimeve të Rënda pritet ti bashkangjiten edhe të pandehurit e akuzuar për laboratorin e drogës në Has si procedim i lidhur me të arrestuarit e tjerë në Shijak, Tiranë, Durrës e Delvinë.