Ish-ministri i Mbrojtjes, Sabit Brokaj, gjatë një interviste për Shqiptarja.com, vendimin e Departamentit Amerikan të Shtetit për të futur në listën e zezë ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla, e lexon si një mesazh të fortë ndaj politikanëve shqiptarë.
Brokaj pohoi se pas Llallës, në shënjestër të SHBA janë ata që kanë emëruar dhe mbrojtur Llallën, në dëm të drejtësisë dhe Shqipërisë, duke nënkuptuar ish-kryeministrin Sali Berisha. Duke u ndalur tek zbatimi i reformës në drejtësi, ish-ministri i Mbrojtjes u shpreh se Vetingu në vetvete do të përcaktojë karakterin e zhvillimeve të progresit të Shqipërisë.
I pyetur mbi pritshmëritë për SPAK-un, Brokaj nuk e përjashtoi mundësinë e përsëritjes në Shqipëri të historisë në Kroaci dhe Rumani, ku qindra zyrtarë, përfshirë ministra, ish-kryeministra dhe kryebashkiakë përfunduan në burg për korrupsion. Ish-ministri i Mbrojtjes ka komentuar edhe negociatat me Greqinë për rivendosjen e kufirit detar, aleancën PD-LSI si dhe mënyrën se si po qeveris Edi Rama në mandatin e dytë.
-Për herë të parë, Departamenti Amerikan i Shtetit ka përfshirë në listën e zezë një ish-zyrtar të lartë shqiptarë, siç është ish-kryeprokurori Adriatik Llalla. Kemi të bëjmë me një akt të izoluar dhe me karakter personal apo me një qasje të re të SHBA ndaj pushtetarëve në Shqipëri, të lakuar si të përfshirë në praktika korruptive?
Amerika, përmes këtij veprimi, nuk kërkon që të trajtojë thjeshtë Adriatik Llallën si individ, por i tregon politikës shqiptare që të ketë kurajën dhe të veprojë. Më shumë se sa me Llallën, ky vendim kërkon një tjetër mënyrë sjelljeje nga drejtësia dhe politika shqiptare. Llalla e meriton këtë lloj vlerësimi plotësisht negativ, por vendimi ndëshkon një model sjelljeje, pas shumë këshillash dhe apelesh, për një kohë kaq të gjatë.
-Nuk ka dyshim se reforma në drejtësi është angazhimi më i madh amerikan në Shqipëri. A mund të kenë fatin e Llallës edhe ata politikanë që i janë kundërvënë hapur reformës?
Kushdo që ka probleme të njëjta apo të ngjashme me ato të ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla tashmë është i rrezikuar. Pa diskutim që më të rriskuarit tashmë janë ata që e emëruar Adriatik Llallën dhe që e mbrojtën deri në fund. Ata kanë hyrë në mëkat me drejtësinë shqiptare dhe me integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
-Cilat janë pritshmëritë tuaja sa i takon procesit të Vetingut? Këto ditët do të merren vendimet e para.
Pritshmëritë e mia janë si të gjithë shqiptarëve të ndershëm. Shqiptarët e kanë pritur me shpresë të madhe Vetingun, si e vetmja mundësi për pastrimin e drejtësisë shqiptare dhe më pas të politikës shqiptare nga elementët e korruptuar dhe të inkriminuar. Është momenti më i rëndësishëm dhe më delikat që tërheq të gjithë vëmendjen, sepse Vetingu në vetvete do të përcaktojë karakterin e zhvillimeve të progresit të Shqipërisë. Është një moment shumë i rëndësishëm për vendin.
-Procesi i Vetingut i hap rrugë një procesi po aq të rëndësishëm, siç është ngritja e organeve të SPAK-ut. A mund të përsëritet në Shqipëri ajo që ndodhi në Kroaci dhe Rumani?
Historitë e kësaj natyre do të kenë ngjashmëri mes tyre. Janë proceset e ngjashme dhe synimet e ngjashme. Por, Shqipëria ka karakteristikat e veta si një vend i vogël, por shumë i kontaminuar, ndoshta më shumë se sa Kroacia dhe Rumania. Aftësitë për t’iu shmangur rregullit dhe drejtësisë janë shumë më të përpunuara në Shqipëri se sa në vendet e tjera dhe niveli i njohjes midis njerëzve, përcaktuar nga vendi i vogël, e bën problemin më të vështirë. Por, përfundimisht, unë mendoj se objektivi gjithsesi do të arrihet. Më inkurajon qëndrimi i Departamentit Amerikan të Shtetit për ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla.
-Ka një mjegullnajë sa i takon negociatave mes Shqipërisë dhe Greqisë për rivendosjen e kufirit detar. A ka gjasa që të përsëritet gabimi i 2009?
Për aq sa është thënë nga ministri i Jashtëm Ditmir Bushati dhe kryeministri Rama, këtu nuk ka asgjë deri më tani për të qortuar apo për të dyshuar. Por, nga ana tjetër, nuk ka asnjë gjë, deri më tani, për të qenë entuziast, pasi nuk ka detaje. Thuhet që djalli fshihet mes detajeve.
Edhe tradhtia e madhe që bëri Sali Berisha konsistonte në detaje, pikërisht shkëmbi që do të konsiderohej si pikë reference, barketa, si do trajtoheshin 12 miljet apo 6 miljet. Pa u dhënë këtë koordinata nuk mund të gjykojmë ne. Yryshi që ka marrë Sali Berisha dhe njerëzit e tij, është i pabazë, pasi nuk ka absolutisht asnjë të dhënë.
E rëndësishme është se çfarë lloj ekspertësh do të vendosim ne në tavolinë dhe sa e qëndrueshme do të jetë qeveria në mbrojtjen e interesave kombëtare. Deri më tani, nuk ka asnjë të dhënë që të jenë shitur interesat kombëtare apo të jetë bërë ndonjë përpjekje në favor të grekëve apo në dëmin tonë.
Sali Berisha dhe të vetët duhet të mbyllin gojën dhe sytë, pasi ata realisht e firmosën tradhtinë kombëtare dhe tani dalin si heronj të mëdhenj. E gjithë merakun e kanë se zgjidhja e kësaj çështje është një kredo e madhe e politike për qeverinë aktuale, ndërkaq u heq atyre nga duart mundësinë e shitjes së interesave kombëtare për interesat e tyre. U heq nga dyert sendin me të cilin ata kanë bërë pazar.
-Si e shikoni rikthimin e aleancës mes PD dhe LSI?
Janë në të njëjtin kazan. Natyrshëm kanë dhe do të kenë sjellje dhe qëndrime të njëjta. Është një lidhje e krerëve të tyre shumë e hershme nga sa e mendonim ne.
-Si po qeveris Edi Rama në mandatin e dytë? Ka shumë grupe që po protestojnë që nga artistët, pedagogët, biznesmenët, naftëtarët etj. Duket sikur ka një pakënaqësi në rritje…
Qeverisja e vendit ka vetvetiu shumë probleme. Ka që janë të nxituara dhe të sajuara midis tyre që kanë dalë, por ka që janë edhe objektive, për arsye se po ndërtohen disa aspekte ligjore, por ka defekte të mëdha në aktet nënligjore, pra në zbatim. Ligji pa akte nënligjore nuk zbatohet kurrë. Në këtë kushte nuk ka akte që të adresojë zgjidhjen korrekte të problemeve dhe moszgjidhja e tyre sjell reagime, në disa raste objektive, në raste të tjera, të stisura.