Nga Anri Bala
Nuk na lanë, as ta duartrokasim betejën e tyre me krimin dhe megaarrestimet, që dërguan në pranga dhjetëra vetë, mes tyre pleq e plaka, që i nevojiteshin disa forca policore për t’i mbajtur në krahë, përpara se të mbyllnin në qeli dhe nënën me foshnjen, që nuk i jepte dot as gji.
“Kriminelët” e vërtetë u mbyllën prapa hekurave, sepse paraqesin rrezikshmëri të lartë shoqërore! Sidomos ai xhaxhai, i cili sipas thashethemeve që qarkullonin, shpesh herë kërcënonte, se nuk do i’a dorëzonte më pensionin të shoqes, nëse ajo nuk e linte të luante domino me shokët e “LANÇ”-it… kurse nënën e foshnjes për agjitacion propagandë, pasi i sapolinduri pranoi para hetuesve, se qumështi i gjirit… kishte qenë i prishur.
Me gjithë gabimet që vazhdon ende të bëj drejtësia, ajo që nuk po vjen kurrë… shteti po na jep shembuj arrestimesh të disa laca lagjesh, që edhe në qofshin më të fortët e lagjes, shteti më i lodhur ka për borxh tu “fiki llampën” ëndrrave të tyre për pushtet, vetëm në pak sekonda… kur do ta mbaj pushtetin për vete!
Ama, një gjë është e sigurtë, se dhe Fatmiri hyri në histori menjëherë pas kryeprokurorit Llalla! Ish-kryeprokurori fjeti gjumë në krye të organit të akuzës, kurse ish-ministri, në një kohë relativisht të shkurtër i shkatërroi dhe luftoi deri në vdekje të “vetët”, duke shkulur gjithë çibanët brenda partisë së tij. Mirëpo ai, ndryshe nga Llalla, prapë nuk mund të justifikohet, se nuk kishte kohë të reagonte, duke na lënë edhe një shije të hidhur për shumë gjëra që nuk u bënë mirë.
A mos vallë e shpërdoroi të gjithë kohën që i’u dha, për të bërë vetting brenda forcave të policisë deri tek rojet e objekteve, si angazhimi më idiotesk që mund të bëj një drejtues, duke kthyer në krye të policisë njerëz që u kishte ikur koha, megjithëse ishin të nderuar, e që meritonin vetëm vendin e këshilluesave, ndërkohë që krimi rinohej, sofistikohej, pasurohej çdo ditë, duke pritur arrestimine… e paralajmëruar?!
E në fakt, me aksionin e pak ditëve më parë, mendova se tani që “spastruan” edhe të vetët me forcën e ligjit, shumë shpejt do të shikonim në burg kriminelët e vërtetë, ata që i kanë bërë nënën shtetit dhe këtyre shtetarëve të frikësuar, sa herë u ka dashur qejfi. Këta sot, për turp rrinë e kapërdijnë të tulatur “grushtat” e tyre me pështym, nga pafuqia për të reaguar… ashtu siç do të bënte çdo qytetarë që e ndjen veten i pafaj.
Turpi me bukë, e buka me verë! Të durosh këta dhunues, që vitet e burgut, që mund t’u japi kodi penal i Shqipërisë, nuk do të lante as çerekun e mëkateve që kanë bërë ndaj këtij vendi dhe këtij populli… është çmënduri. Por është durim i detyruar, pëderisa nuk po duket askund… as kodi penal e as ligji final.
Prita, prita, por kë prita! Prokurorinë edhe gjykatat, që janë bërë si noter të vetëquajturës “opozitë antikrim”, e mbushur me kriminelë të pagjykuar kurrë, apo policinë kriminale, që as nuk ekziston si strukturë kryesore për të mbledhur provat e krimit dhe jo të përgjimit, që po tmerron çdo qytetar, si plagë nga e kaluara “demokratike” e pushtetit popullorë?!
Nuk më kanë zënë sytë askund në rruzull, që hajduti, vrasësi, intriganti, palaçoja, perversi, imorali i kapur me brek nëpër këmbë në zyrat e shtetit, banditë të akuzuar për grabitje, pa dhunë por me përdhunë, të mos përgjigjen për asgjë dhe askund… por të marrin në dorë flamurin e të ardhmes së drejtuesve të këtij populli, sepse drejtësia nuk po duket, atje ku e kanë futur të gjithë bashkë, me dashje apo pa dashje… armiqtë e saj, politikanët e këtij palo vendi.
Gomar unë i pari, që u besova dallkaukëve dhe frikacakëve se do të bëjnë drejtësi, ku qëllimi i tyre i vetëm është të bëjnë drejtësi brenda ahurit të tyre, për të fituar pushtet, pak më shumë se ajo që i kemi dhënë, e duke harruar e përbuzur dëshirën tonë: Të gjithë të barabartë përpara ligjit dhe me çekanin e drejtësisë, t’i thyhen dhëmbët Maliqit!
Por sot mendoj, se nëse do të ishim veshur me më shumë vetbesim, do i kishim çuar kohë më parë në djall këtë tufë sharlatanësh e frikacakësh, e nuk do t’i jepnim fuqinë tonë për të reaguar kundër një bande zagarësh, që rendin vetëm pas gjahut të vrarë, sa herë dëgjojnë zhurmën e thatë të çiftes.
Fatmir Xhafaj nuk ishte i “pafat”, asnjë nuk e ka paragjykuar për historitë me zhurmues, për të kaluarën e vëllait, as ne e aq më pak diplomatët, që mbetën “dyerve” të prokurorisë. Fatmir Xhafaj ishte i “paaftë” të bënte detyrën e tij: Zbulimin e krimit pa ngjyra dhe pa u frikësuar nga lukunia e ujqërve, që i tremben ortekut që po vjen… që nuk mund të shmangin me kuisje e lehje!
Të gjithë e njihnin Geronin, por sot njohën Fatmirin!/Ekskluzive.al