Dje ishte një ditë e shënuar për popullin e Kosovës, pasi arriti marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi. Kjo gjë u njoftua nga Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe homologu i tij malazez, Filip Vujanoviç.
Për këtë gjë Kuvendi i Kosovës pritet të mblidhet nesër për të votuar ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.
Caktimin e seancës për të dielën e ka vendosur Kryesia e Kuvendit e cila e ka vënë në rend dite këtë pikë, pas nënshkrimit të deklaratës së përbashkët ndërmjet presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Malit të Zi, Filip Vujanoviq, e cila po interpretohet edhe si aneks i marrëveshjes së vitit 2015. Për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje nevojiten dy të tretat apo 80 vota të deputetëve.
Përparimet drejt ratifikimit të demarkacionit i ka përshëndetur edhe Bashkimi Evropian, përmes shefes së Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova. Pas një takimi me liderët e partive politike ajo ka potencuar se tani pret që marrëveshja për demarkacionin të ratifikohet shpejt dhe suksesshëm.
“Mezi po presim që shpejt dhe suksesshëm të ratifikohet marrëveshja e diskutuar gjatë për demarkacionin me Malin e Zi, e cila do t’i sjellë qytetarët e Kosovës më afër mundësisë që të gëzojnë lëvizjen e lirë dhe pa viza”, ka shkruar ajo në faqen zyrtare të BE-së në Kosovë. Më tej Apostolova ka thënë se mirëpret deklaratën e përbashkët mes presidentëve të Kosovës dhe Malit të Zi për demarkacionin.
Me marrëveshjen e re ndërmjet presidentëve, është siguruar mbështetja e shumicës së spektrit politik në Kosovë për ratifikimin e Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare, të vitit 2015.
Krahas Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Partisë Demokratike të Kosovës, tani këtë marrëveshje po e mbështesin edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, përderisa mbetet e paqartë se si do të votojë Lëvizja Vetëvendosje.
Ndërkaq te komunitetet pakicë, marrëveshja besohet se e ka mbështetjen e nevojshme të komuniteteve jo serbe.
Marrëveshja për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi është nënshkruar në gusht të vitit 2015 në Vjenë të Austrisë. Kjo marrëveshje ishte ratifikuar nga Kuvendi i Malit të Zi, por jo edhe nga ai i Kosovës. Në anën tjetër, Komisioni Evropian i ka vënë kusht Kosovës ratifikimin e demarkacionit për të marrë liberalizimin e vizave.