Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi komentoi dje gjatë një interviste për gazetën SOT zhvillimet më të fundit të aktualitetit shqiptar. Ai deklaroi se vendimi i SHBA për të shpallur “non grata” ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla është një sinjal vendosmërie dhe tregon që kanë prova për korrupsionin. Më tej, ai shtoi se Llalla duhet të hetohet dhe të marrë ndëshkimin e merituar.
Departamenti Amerikan i Shtetit shpalli “non grata” ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla. Si e shihni këtë vendim të amerikanëve?
Ky vendim është si një sinjal i amerikanëve për të treguar vendosmëri dhe për të dhënë një mesazh që shiko ne e kemi seriozisht. Gjithë ky proces që po bëhet është një proces serioz dhe nuk duhet t’ju shkojë në mendje që ne do t’i lemë përgjysmë gjërat. Ata e pranuan që Llalla duhet të largohej dhe tani po thonë që ai për ne ka qenë një njeri i korruptuar dhe prandaj nuk kemi dëshirë që ai të hyjë si mysafir në SHBA. Me këtë akt ata duan të tregojnë që shiko se ky ka qenë një prokuror i korruptuar.
-Në deklaratën e Sekretarit të Shtetit thuhej se Llalla është i zhytur në korrupsion. Ju si do e vlerësonit punën e ish-kryeprokurorit për 5-vite në krye të organit të akuzës?
Adriatik Llalla na premtoi shpeshherë, e kemi dëgjuar shumë herë me figurë dhe zë që do bënte gjëra të mëdha, prisni se vitin tjetër do të kapen “peshqit e mëdhenj” dhe praktikisht ai më shumë ka fjetur mbi dosje sesa ka punuar. Natyrisht për prokurorët mënyra më e lehtë për t’ia hedhur punës është të bësh sikur s’vë re gjë, sikur nuk dëgjon gjë. Mund ta bëjnë edhe këtë që bëri ai, por situata pastaj tregon që gjërat nuk duhet të ishin ashtu, shumë çështje duhet të kishin shkuar në gjyq. Edhe pse kanë shkuar plot, i ka rrëzuar gjykata për mungesë provash dhe argumentesh. Puna e prokurorisë është një punë e vështirë, është e para ajo që përplaset me krimin dhe që duhet të menaxhojë gjërat për t’i çuar deri në gjykatë në mënyrë që të mos kthehen mbrapsht dhe kriminelët të mos dalin të pafajshëm se në gjykatë nuk u paraqitën prova bindëse. Sigurisht me gjithë këto që kanë ndodhur këto kohë kur Llalla ka patur në drejtim organin e akuzës, unë gjykoj që ai nuk e ka bërë detyrën e tij. S’kishte eksperiencë, nuk donte ta bënte, nuk dinte ta bënte, këtë nuk e di, unë nuk i bëj dot analizë punës së tij, por e rëndësishme është që ai nuk e kreu detyrën.
-A mendoni se SHBA do të ndjekë të njëjtën rrugë edhe me zyrtarë të tjerë shqiptarë të përfshirë në afera korruptive?
Unë mendoj se po. Ky është një shembull i parë dhe shumë i rëndësishëm sigurisht. Ish-Prokurori i Përgjithshëm është një personazh në një shtet shumë të rëndësishëm. Ti shiko çfarë bëhet në SHBA kur një prokuror ka nisur një çështje dhe vetë Presidenti i atij vendi që është pushtetari i atij vendi e ka siklet. Janë njerëz të tillë që janë stërvitur të përballojnë edhe presione të mëdha. Ndërsa këta prokurorët tanë të emëruar politikisht gjithmonë janë shumë të thjeshtë, bëjnë më shumë zhurmë sesa punë. Edhe vetë nevoja për të bërë në këto kushte një reformë të thellë në drejtësi lidhet me 5-vjeçarin e punës së Adriatik Llallës. Nuk lidhet vetëm me punën e tij sepse këtu është i gjithë sistemi i korruptuar, por ky është një nga personazhet kryesore të sistemit të drejtësisë, kështu që nuk është pa përgjegjësi.
-Duke qenë se në deklaratën e DASH thuhet se ka informacione shumë të sakta për përfshirjen e Adriatik Llallës në korrupsion, a do të thotë kjo se amerikanët kanë prova për pushtetarët shqiptarë?
Unë shpresoj që të kenë. Tani të thotë ambasadori amerikan që është i korruptuar nuk e besoj se e thotë për të larë gojën apo për të justifikuar qëndrimin e Departamentit të Shtetit. Është një përfaqësues i shtetit më të madh në botë, një aleat strategjik i Shqipërisë dhe kur e thotë një gjë e di vetë dhe të gjithë e dinë që fjala e tij komentohet nga të gjitha palët në Shqipëri, për mirë ose për keq. Ai është në qendër të vëmendjes të të gjithë medias, por edhe të opinionit publik. Kështu që fjala e tij është shumë e rëndësishme dhe unë besoj që e ka thënë duke pasur prova. Tani shtrohet problemi mirë që prokurori iku dhe SHBA nuk i dha vizë, por përderisa ka qenë i korruptuar ai duhet dënuar. Kjo është një fazë tjetër që ambasadori e preku. Ambasadori nuk është se e harroi këtë fazë. Mirë që ai nuk është më se i mbaroi afati dhe nuk e pranojnë as në Amerikë se është i korruptuar, por po në Shqipëri çfarë do të bëhet me të? Sepse u ndërpre edhe procesi i vetingut meqenëse ai as gjyqtar në Apel nuk do të jetë. Nuk ka nevojë të bëhet procesi i vetingut për të, por problemi është a ka përgjegjësi penale ai apo edhe administrative për korrupsionin e tij duke qenë se ka qenë një nëpunës kaq i lartë i shtetit? Sigurisht që ka përgjegjësi! Ambasadori e tha që këto gjëra duhen ndjekur, tani të shohim se çfarë do të bëjë sistemi i ri i drejtësisë. Se është një fjalë goje të thuash që Prokurori i Përgjithshëm është i korruptuar, por ka përgjegjësi të madhe. Duhet të ketë pasoja, nuk duhet të kalojë pa pasoja vetëm pse ai dha dorëheqjen nga sistemi i drejtësisë. Llalla duhet të ndëshkohet edhe pse është tërhequr dhe procesi i vetingut është ndërprerë. Unë po shoh që ata që e zgjodhën prokurorin dhe deri dje e mbronin, nuk po ndihen fare. Më duket vërtetë interesante. Tani që ai u hoq dhe që amerikanët thanë që nuk i japim vizë se është i korruptuar, ata që e mbronin dhe e mburrnin s’po flasin më. Mesa duket e kanë kuptuar që e kishin gabim, ose s’kanë argumente, ose janë të trembur edhe vetë nga kjo që ndodhi. Nuk e di arsyen, por më bëri përshtypje që nuk po merret njeri me Llallën, e kanë lënë në hesapin e tij.
-Ilir Meta ka nisur konsultat për negociatat me Greqinë. Si e shihni takimin e tij me Sali Berishën, duke qenë se ky i fundit është pozicionuar kategorikisht kundër marrëveshjes së re?
Që ka thirrur të gjithë presidentët, unë them që ka bërë mirë, midis tyre edhe Berishën sigurisht. Dhe Berishën kishte vetëm një arsye ta dallonte nga të tjerët, mund t’i kishte thënë që shiko unë e di pikëpamjen tënde se është pakti që ke nënshkruar. Mirëpo ai nuk e bëri dhe mirë bëri. Berisha e kishte atë opinion, ishte problem i tij, ia rrëzuan në Gjykatën Kushtetuese atë gjë, ai e ka mbrojtur atë opinion, por megjithatë pse u thirr mu duk normale. Mua më pëlqeu ideja që të thirren paraardhësit sa herë që ka probleme delikate sepse kanë eksperiencë dhe unë them që duhet patur parasysh dhe duhet vlerësuar. Por nga ana tjetër, sipas meje, Presidenti duhet të bisedojë me të zotët e punës, me kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm, elementët e paktit që do të bëhet. Ka një gjë që shumica po ankohet për mungesën e transparencës. Në këtë aspekt, unë them që Presidenti i pyeti dhe hapi i fundit që ka mbetur është ta konsultojë me ekipin që do të ulet të negociojë me grekët. Një takim midis tyre është i domosdoshëm, unë jam i sigurt që grekët do ta bëjnë këtë gjë, prandaj edhe ne është normale ta bëjmë.
-Pse demokratët e kundërshtojnë paktin e ri për detin dhe vijojnë të mbrojnë atë të 2009-s?
Sepse kështu ka bërë gjithmonë opozita, nuk do të dalë nga tradita. Situata duket që është acaruar, shtypi po e ndez këtë flakë dhe zgjidhja e vetme në këto raste është transparenca. Unë them që nuk kemi asnjë arsye pse të mos i themi gjërat. Do të dalin më vonë vetë ato, do t’i thonë grekët andej matanë. Prandaj zgjidhja më e mirë do të ishte që të bëhet transparencë. Nuk them të bëhet referendum, kjo është absurde. Por më mirë që linjat e përgjithshme të jenë të qarta në mënyrë që edhe njerëzit të mos acarohen dhe të fillojnë të flasin kot.
–Prokuroria ka hapur hetime për aferën e CEZ, ku deri tani janë thirrur si dëshmitarë Genc Ruli dhe Shkëlzen Berisha. Si i shihni këto hetime dhe a duhet të mbajnë përgjegjësi autorët e vërtetë të paktit me çekët?
Unë them po. Autorët e vërtetë bënë shumë zhurmë atëherë. U tha që në fillimin e qeverisjes u bë një pakt i domosdoshëm me çekët për ta mbyllur çështjen. Sipas meje, të paktën kështu e dëgjova dhe e përkraha si ide, ngutja për ta mbyllur me çekët, për të mos pritur vendimin e një gjykate ndërkombëtare që do të zgjaste shumë dhe nuk ishte shumë e qartë se çfarë verdikti do të jepte, ishte për të bërë investimet e domosdoshme në sistemin e shpërndarjes. Në atë gjendje që ishte pronësia në sistemin e shpërndarjes, nuk bëheshin dot investime. Pritej të jepte një verdikt gjykata ndërkombëtare, të sqaronte gjërat dhe pastaj mund të vazhdonin investimet se investimet janë para që harxhohen. Kështu që u bë një zgjidhje me marrëveshje dhe që unë e mendoj të drejtë. Edhe unë jam dëshmitar si gjithë qytetarët shqiptarë që janë bërë në sistemin e shpërndarjes shumë investime që e kanë rritur cilësinë e shpërndarjes së energjisë. Dhe opozita bëri një zhurmë shumë të madhe duke e quajtur këtë një aferë korrupsioni me pretendimin se në gjykatën ndërkombëtare ne do të fitonim me miliarda. Dhe tani po del që i gjithë procesi i privatizimit të CEZ dhe të gjithë tenderët e sajuar pas privatizimit kanë qenë një aferë e pastër korrupsioni, në të cilën është ngatërruar edhe djali i ish-kryeministrit, i cili s’ka pasur asnjë detyrë, por thjesht ka përfituar nga pozita e babait të vet. Kështu që është një rreth vërtetë i komplikuar dhe prandaj duhet të hidhet dritë mbi këto gjëra. Sepse ka pasur akuza të ndërsjella. Unë dëgjova shifra humbje me miliarda gjoja kur u bë marrëveshja me CEZ para 3-4 vjetësh. Tani po kthehen mbrapa problemet dhe del që në proceset e privatizimit ka pasur ndërgjegjësime, ndërhyrje nga njerëz siç është djali i Berishës, i cili s’ka pasur asnjë pozicion zyrtar dhe që s’ka asnjë të drejtë të fusë hundët në këto gjëra. Nëse flasim për veting dhe për rezultate, atëherë këto janë rezultatet, hetimi nga fillimi i të gjitha aferave të mëdha korruptive, të cilave nuk u është dhënë zgjidhje.
-Si e komentoni faktin që një numër i madh ndërkombëtarësh kanë dal kundër opozitës? Po kritikat e PD ndaj ndërkombëtarëve, veçanërisht kundër Romana Vlahutin?
Opozita tani vërtetë po gabon. Shqipëria është në një moment shumë delikat. Jemi para fillimit të bisedimeve dhe na kanë vënë ca piketa shumë të qarta, të paktën procesi i vetingut duhet të përparojë dhe të jap rezultatet e para për peshqit e mëdhenj. Hapja e bisedimeve nuk është vetëm një detyrim i qeverisë. Për hapjen e bisedimeve ka kontribuar edhe opozita e sotshme. Mirëpo ata po gabojnë, vazhdimisht po e nxjerrin sikur kali i betejës së tyre në gjithë këtë luftë që po bëhet është që Rama do të kapi drejtësinë. Ore hajde ta bëjmë një herë drejtësinë dhe pastaj hajde ta kritikojmë Ramën të gjithë nëse ai e ka kapur drejtësinë për të përfituar. Këto gjëra nuk bëhen fshehur. Ata që investuan kaq shumë në këtë reformë, SHBA dhe BE janë vërtetë të interesuar që kjo reformë të jap rezultate, na kanë vënë edhe si kusht që të na pranojnë në bisedime dhe kur shohin se kush po e pengon sigurisht që kanë vërejtjet e tyre. Përderisa po e pengon opozita, do të ankohen për opozitën. N.q.s faktori ndërkombëtar po e kritikon opozitën, kjo tregon se i ka ardhur në majë të hundës. Opozita po justifikohet se nuk i vjen mirë që kritikohet nga ndërkombëtarët dhe nxjerr edhe ajo akuzat e saj./Sot