Drejtori i pergjithshem i klubit te Partizanit, Olsi Rama, ka reaguar pas denimit qe komisioni i Disiplines dha per dy lojtaret e te kuqve, Lorenc Trashin dhe Idriz Bathen.
Ne konferencen per shtyp, Rama ka sulmuar FSHF-ne e cila sipas tij po jep vendime me dy standarte. Rama foli dhe per skandalin e trukimeve qe ka perfshire futbollin shqiptar.
“Duke marrë shkas nga një shkresa që ka ardhur në klub, ku na janë dënuar kapiteni Batha dhe Trashi, erdha këtu që t’i jap kohë Dalipit që të ikë të punojë me ekipin. Nuk kam një kapele magjistari t’ia jap që të shpikë diçka, siç do të bëjë në ndeshjen e radhës. Besoj duke marrë mirëkuptimin tuaj, ta lëmë Dalipin të ikë të punojë, pasi nuk është një çështje sportive dhe shkon më tej vlerave që Partizani kërkon të shpalosë. Kështu që më mirë ik mendo se çfarë do të bëni gjatë këtyre dy ditëve për të qenë të përgatitur për ndeshjen me Kukësin”
A është ku dënimi një hakmarrje pse u pozicionuat kundër Dukës në zgjedhje?
Dënimin unë akoma dua ta kuptoj se cilat kanë qenë arsyet dhe shkaqet. Nga informacionet e mbledhura kemi mësuar se ka të bëjë me një episod pas ndeshjes, ndërkohë që ka pasur plot episode gjatë këtyre ndeshjeve që ka pasur njëanshmëri të theksuar kundër nesh. Mendoj se jemi në një vend demokratik, ku secili shpreh preferencën në raport me vendimmarrjen. E them hapur që Partizani ka mbajtur një qëndrim shumë korrekt, pavarësisht pasojave. Ky është kompeticion sportiv ku harxhohen shumë para për të arritur te rezultatet. Është një dëm ekonomik që i bëhet klubit. Në një situatë shumë të disfavorshme për futbollin shqiptar, duke pasur parasysh raportin e dy inspektorëve të UEFA-s në lidhje me Skënderbeun, ne përballemi me një realitet që përsëri tenton të falsifikojë kampionatin. Kjo është e papranueshme nga ana jonë. Kemi dhënë shembuj që respektojmë standardet, që lidhen me disiplinën brenda klubit. E kemi treguar duke marrë masa. Kështu e shikojmë suksesin, që arrihet me disiplinë. Një vendim i marrë dy ditë para ndeshjeve shumë të rëndësishme me Kukësin dhe Skënderbeun, teksa na skualifikohen dy nga lojtarët më të rëndësishëm.
A mendoni se dënimi është i qëllimshëm për të favorizuar rivalët?
Nuk dua t’i hyj ka thellë, ju jeni të vëmendshëm të kapni edhe këto nuanca. Me Kukësin nuk kemi Prognin, nuk kam gjë për këtë. S’kemi as Telushin për një dëmtim në gju. Tani nuk kemi as dy lojtarët e skualifikuar. Nuk e kam problem, e kemi përgatitur ekipin që të jetë kompetitiv me të gjithë lojtarë që marrin pjesë. Të gjithë do japin maksimumin dhe do shihet ai Partizani ndryshe që kemi parë këto javë. Çështja është që tentativa është që të ndihmohet mbarëvajtja e ecurisë së kundërshtarit
A do e apeloni këtë vendim?
Ja e kundërshtova, çfarë fitova? Është një dënim i paapelueshëm. E vetmja gjë është që ta konvertojmë në ndeshjen me Skënderbeun me gjobë. Për ndeshjen me Kukësin është e pamundur. Është një sistem që ti bie në vesh të shurdhët. Nëse lojtarët kanë gabuar, ne jemi të parët që i dënojmë. Nuk besoj se ata kanë gabuar deri në këtë pikë që mendon federata. Kam marrë njoftime që gjyqtari anësor ka ofenduar në mënyrë të vazhdueshme Trashin dhe Bathën edhe pas ndeshjes. Ka pasur një konflikt, Trashi mori të verdhë. Nuk jam dakord që të kontestohen vendimet e arbitrit në fushë. Çështja është që ata bien në presion dhe ndihen të sulmuar jo vetëm në fushën e lojës nga kundërshtarët, pa dashur t’i justifikoj. Kam sinjalizime edhe nga ana e kameramanit të klubit, që anësori ka ofenduar.
Do paguhet për dënimin e Starovës që të jetë në pankinë?
Starova është dënuar me tetë javë. Nuk apeluam sepse veprimi i tij është i patolerueshëm dhe mund të transferohet edhe tek ekipi në fushë. Dalipi po bën mirë në stol, Starova jep kontributin e tij dhe po punojnë shumë mirë si ekip. Fokusohemi në fushë dhe duhet të shpikim diçka se çfarë do bëjmë për ndeshjen e radhës.
Cili është qëndrimi i Partizani për titullin që i ëshët hequr Skënderbeut dhe ende nuk është akorduar për ju?
Ndjej keqardhje për dënimin e kërkuar nga UEFA, pasi shkon në dëm të futbollit shqiptar. Është një pasqyrim i shëmtuar i futbollit tonë në arenën ndërkombëtare. Fatkeqësisht është pasqyra e futbollit tonë. Pashë gjithë listën e ndeshjeve që ishin investiguar dhe nuk pashë një ndeshje të Partizanit. Jemi model në këtë drejtim dhe zbatojmë rregullat e lojës. Titulli është një kapitull i hapur, që përpos fitimeve financiare të tyre në kurriz të kundërshtarëve dhe kampionatit, ne e kemi me meritë atë titull. Mendoj se federata ka aplikuar qëllimisht për t’i hequr titullin dhe heqjen e 12 pikëve. Ishte dëmtimi minimal dhe pikët duhet t’i hiqeshin nga sezoni që ishte zhvilluar dhe Partizani dilte kampion. Është vepruar sipas standardeve alla-federate
Raporti i UEFA-s a tregon gjendjen e futbollit tonë?
Unë uroj që një pjesë e madhe e tyre të mos jenë të vërteta. Ata kanë metodat e tyre, ndjekin dhe monitorjnë ndeshjet. Në këto pak muaj që jam pjesë aktive e futbollit, vej re mungesë profesionalizmi dhe në aspektin e trajtimit të çështjeve nga federata. Aplikohen dënime të çuditshme me dy standarde. Ky qëndrim reflektohet edhe në gjykim. Na janë mohuar gola, na janë dhënë penallti kundër. Luajtëm me Laçin në terren të rënduar dhe federata e di që nuk duhet të lihen ndeshje në një ditë me Tiranën. Ishim para faktit të kryer për të luajtur të shtunën. Federata nga ana tjetër na thotë që ta zgjidhim me Tiranën, të ngatërrohemi edhe me ata.
Çështja e tifozëve a është zgjidhur? Po në lidhje me ecurin, ç’mund të na thoni?
Jemi një pikë larg Evropës. Jemi në këtë pikë dhe nuk them se është një sezon i suksesshëm. Po nisim diçka që të jetë sa më afatgjatë. Kemi luajtur disa ndeshje tani dhe kemi humbur në Vlorë për episode. Arritëm të mundëm Flamurtarin që është forcë e dytë në kampionat dhe këtë e bëmë me lojë. Po kthehemi te loja që duhet të shfaqim në fushë. Çështja e tifozëve është një problem që jam munduar ta adresoj. Shkallët janë bosh se nuk kanë besim te sistemi. Ata nuk duan të vihen në lojë, ky është problemi më i madh. Tifozët tanë janë të zjarrtë dhe po përpiqemi t’u japim atë ekip që duan. Në këtë polemikë nuk kemi pasur në asnjë moment mbështetjen e Federatës. Ata janë përgjegjësit në këtë aspekt. Ne po mundohemi të gjejmë gjuhën e përbashkët me policinë dhe tifozët. Jemi në bisedime të vazhdueshme. Tani na duhen për të mbështetur djemtë e ri që do luajnë me Kukësin.
Së fundmi, a jeni i kënaqur me merkaton?
Jam i kënaqur me mbarëvajtjen e ekipit, me seriozitetin në stërvitje, me cilësitë individuale të lojtarëve. Ia kam lënë stafit të punojë me ta. Kur shoh Champions League mendoj se mund të kemi edhe lojtarë të tjerë, por e kuptoj që duhet sjellë shumë këtu që të kemi mundësinë të fitojmë.