Për rreth një javë, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare e ka gjetur veten të përfshirë në një përballje të hapur me dy kompanitë më të mëdha telefonike në vend, Vodafone dhe Telekom.
Sipas tyre, AKEP është duke shkelur konkurrencën e lirë, duke favorizuar operatorin e tretë në treg, Albtelekomin. Por, le t’i përgjigjemi gradualisht disa pyetjeve të domosdoshme për të kuptuar se cila është e vërteta në këtë histori.
Çfarë ka ndodhur?
Një tarifë e re do të aplikohet për ndërlidhjen midis operatorëve. Kjo do të bëjë që Vodafone dhe Telekom të paguajnë pak më tepër për thirrjet që klientët e tyre do të bëjnë drejt rrjetit të operatorit të tretë në treg.
Përse duhet të ndryshojnë tarifat?
Ndryshime të tilla bëhen në përputhje me ligjet në fuqi dhe praktikat ndërkombëtare anti-monopol. AKEP, si një agjensi rregullatore, ka në dorë të ndërhyjë në treg për të shmangur situate potencialisht të dëmshme për qytetarin, që ka interes për të parë një konkurrencë sa më të madhe dhe efikase midis operatorëve telefonikë.
Cili është qëllimi i Vodafone?
Tonet e përdorura gjatë këtyre ditëve të bëjnë të dyshosh se qëllimi i Vodafone është përsëritja e një skenari të dytë si ai i “Plus”. Nxjerrja e operatorit të tretë nga tregu do të krijonte një situatë ideale, si ajo e disa viteve më parë, kur dy konkurrentë dakordësohen për çmimet, në atë kohë më të lartat në Europë, dhe ndajnë tregun midis tyre. Mos vallë skenari i dëshiruar është ai i vitit 2009, një vit i artë për Vodafone dhe në atë kohë AMC, me një marzh fitimi prej 60% dhe çmime deri në 80% më të larta.
Përse kjo fushatë mediatike kundër AKEP?
Mbase, sepse një fushatë ligjore është e pamundur. Ndryshimi i tarifave është një kompetencë ligjore e AKEP, i cili mbështet vendimin e tij në mbrojtjen e interesit të gjerë publik. Apelimi i këtij vendimi është gjithmonë i mundur në Gjykatën Administrative, por për mometin Vodafone nuk ka paralajmëruar nisjen e ndonjë procesi ligjor. Në këto kushte, mos vallë Vodafone synon të përdorë statusin e tij si një ndër sponsorit kryesore të reklamave në tregun mediatik, për të shantazhuar publikisht një ent shtetëror si AKEP?