Të investosh në Shqipëri po bëhet gjithmonë e më e lehtë dhe më e sigurtë. Ky është përfundimi i “Doing Business”, raportit të përpiluar nga Banka Botërore, që ka përmirësuar përsëri vlerësimin për klimën e biznesit në vendin tonë.
Sipas raportit të “Doing Business” 2018, të publikuar ditën e sotme, reformat e ndërmarra përgjatë të gjithë këtij viti kanë dhënë një impakt të drejtëpërdrejtë.
Ndryshimet ligjore në fushën e përmbarimit, amendimi i kodit të procedurave civile, thjeshtimi i procedurave për mosmarrëveshjet/ankesat janë vlerësuar nga Banka Botërore si disa nga ndryshimet më pozitive, krahasuar me një vit më parë.
Reforma për digjitalizimin, gjithashtu duket se ka dhënë rezultat, pasi shumë burokraci dhe procedura që kërkonin kohë dhe kishin një kosto financiare për biznesin, janë hequr falë automatizimit.
Duke u pozicionuar e 63-ta në botë, Shqipëria lë pas disa vende të rajonit, ndërsa në rang europian vlerësohemi si një vend mesatar përsa i përket lehtësirave të të bërit biznes.
Në 5 vitet e fundit, Shqipëria është një prej vendeve që ka bërë përparimin më të madh në nivel botëror, duke u përmirësuar plot 45 vende, nga pozicioni i 108 në botë që mbanim në 2013-n.
Me vendin e 108, Shqipëria mbyllte atëherë renditjen e rajonit dhe konsiderohej si një prej ekonomive më pak joshëse për të investuar në ë gjithë Europën, Kaukazin dhe Azinë e Mesme.
Barriera historike që penalizon prej kohësh Shqipërinë është paqartësia e pronësisë së tokës dhe mangësitë në sistemin e drejtësisë. Megjithatë, falë reformës që po ndërmerret në sistemin e drejtësisë, raportet e fundit të “Doing Business” kanë treguar se edhe vlerësimi për këtë tregues është duke ndryshuar gradualisht.
Zbatimi i suksesshëm i reformës në drejtësi në vitet në vazhdim do të ishte në gjendje të katapultonte Shqipërinë si një prej ekonomive më performuese në rajon për përthithjen e investimeve të huaja.