Mungesa e sinjalistikës përgjatë rrugës Valbonë-Theth e ka kthyer në makth disa herë iniciativën e turistëve të huaj për ta vizituar këtë zonë.
Rasti më i fundit ishte ai i çiftit Chris Simm, 33 vjeç nga Anglia dhe Sanne Carbaat, 27 vjeçe nga Holanda. Ata humbën në një zonë mjaft të rrezikshme të Thethit dhe u shpëtuan nga tre banorë të zonës pas më shumë se 5 orësh pritjeje në një lartësi 2 mijë metër. Fatmirësisht, ata arritën të gjenin në një zonë valë dhe të mund të kontaktonin me telefon.
Pasi kishin fjetur në një kamping në hyrje të Shkodrës, pronarja iu kishte dhënë numrin e saj që ta telefonin për çdo problem, që mund të kishin gjatë rrugës. Kjo e fundit sinjalizoi Policinë, sapo u sinjalizua nga turistët dhe Policia, pasi arriti t’i lokalizonte nëpërmjet valëve, orientoi disa banorë të Thethit, që të shkonin për t’i shpëtuar. Sipas 33-vjeçarit Chris Simm, shkak për këtë devijim të gabuar që i rrezikoi jetën u bë një shenjë orientimi e pavendosur mirë.
Çfarë ndodhi, kur jeni nisur nga Valbona?
Jemi nisur në ora 08:00 nga Valbona për të shkuar në këmbë deri në Theth. Koha ishte e mirë. Gjatë ecjes, te një bar-kafe që është përgjatë këtij rrugëtimi, ne jemi ngatërruar dhe jemi futur djathtas në vend që të shkonim majtas sepse shenjat e orientimit nuk ishin të mira dhe të jepnin idenë se duhej të futeshim andej nga morëm rrugën edhe ne. Kemi ecur rreth 10 orë në këmbë, derisa kuptuam se kishim humbur dhe s’kishim ide ku ishim. Fatmirësisht, kur erdhën për të na shpëtuar, na u desh që të ecnim vetëm rreth 2.5 orë, pasi ishim të dërrmuar.
Ishte rrugë e vështirë?
Pjesa e parë e ecjes ishte shumë e mirë, ishte shumë e bukur sepse ishim në rrugën e drejtë, por në momentin që humbëm, nuk kishte më as shenja, ishte mjegull, ishte terren i rrëshqitshëm çdo cep dhe nuk kishim mundësi të dinim asgjë më shumë. U bë shumë e vështirë pastaj për shkak të ftohtit, erës apo edhe shiut. Nuk e dinim ku ishim dhe nuk mund të ecnim më shumë sepse e dinim se ecja ishte e kotë tashmë sepse nuk kishim një pikë mbërritjeje, ndaj vetëm u përpoqëm të gjenim një vend se ku të ndaleshim.
Sa orë qëndruat në vendin ku humbët?
Mbërritëm aty rreth orës 18:00, pra, pas rreth 10 orësh rrugë dhe djemtë që na shpëtuan erdhën rreth orës 23:00. Problemi ynë ishte se nuk e dinim ku ishim saktësisht dhe se ku mundeshim të shkonim të nesërmen dhe se sa të lodhur mund të ishim për të mbërritur në një vend tjetër. Në fillim kishim pak frikë. Ne nuk kemi humbur ndonjëherë dhe u ndjemë të frikësuar dhe pak budallenj për arsye se ne ishim shumë të përgatitur dhe në një moment ndaluam dhe menduam se ku kemi bërë gabimin. Kuptuam se jemi ngatërruar te një shenjë dhe në vend që të shkonim në një drejtim, shkuam në drejtimin e gabuar.
Kush ishin djemtë që ju shpëtuan dhe si arritën ata ta dinin ku ndodheshit ju?
Çesku, Niko dhe Françesku, pra, tre djem nga Thethi. Fatmirësisht, ne kishim fjetur në kampingun e Loren Nikaj në hyrje të Shkodrës dhe ajo na dha numrin e saj. Na tha që ta kontaktonim për gjithçka. Kur e pamë veten të humbur, arritëm që të lidheshim me të dhe i shpjeguam situatën. Ajo na mbajti në kontakt, na tha se kishte lajmëruar Policinë dhe se ishin nisur për të na shpëtuar, mesa morëm vesh më pas, Policia e cila ndodhej më larg, ka kontaktuar banorë të zonës dhe iu ka kërkuar djemve të Thethit, që të ndërhynin për të na shpëtuar. Ata janë nisur menjëherë dhe ne i falënderojmë.
Çfarë ndjesie patët kur erdhën tre djemtë, patët frikë?
Njëri prej tyre, Niko, ishte ai që erdhi i pari te ne te vendi ku ishim dhe na mori. Rrugën e kthimit drejt Thethit e kemi bërë për dy orë e gjysmë, pra, ka qenë shumë më e shkurtër se sa koha që pritëm. Ishim të sigurt se dikush po vinte sepse edhe Loren na kishte qetësuar gjithë kohën nëpërmjet telefonit se ishin nisur për të na shpëtuar. Djemtë kur erdhën, ishim shumë të sjellshëm, na thanë s’ka problem, rrini të qetë, s’ka asnjë shqetësim, asnjë problem dhe se do ktheheshim.
Ju thatë se nuk kishte shenja orientuese gjatë rrugës nga Valbona në Theth?
Në fillim kishte shenja dhe tabela, viza të kuqe dhe të bardha dhe ndonjë rrumbullak i bardhë, por megjithatë nuk ishin shumë të shpeshta këto shenja dhe ne nuk e patëm shumë thjeshtë sepse ne nuk e kuptuam saktësisht nga të shkonim. Madje, njëra prej këtyre tabelave ne na ngatërroi dhe na futi në rrugën e gabuar. Sikur shpëtimi ynë të ishte bërë me helikopter, edhe pse më shtrenjtë do ishte edhe më mirë.
Banori: U nisa pa u menduar dy herë
Çesk Berishta është një prej tre djemve, i cili i shpëtoi jetën dy turistëve bashkë me Nikollë Djegsina dhe Françesk Harusha. Ai rrëfen momentet e vështira, ndërsa u bën thirrje turistëve që të mbajnë numra kontakti të vendasve në udhëtime të tilla, pasi zona ku dy turistët humbën, ka mjaft kafshë të egra. “U bëj thirrje turistëve që të mbajnë numër telefoni të dikujt kur janë në ato zona sepse mund të kenë nevojë si në këtë rast. Ishte e vështirë sepse kemi ecur për disa orë. Policia na njoftoi dhe shkuam.
Kafshët e egra janë problem, deri tani s’ka raste, por kur janë të uritur, mund të sulmojnë nëse shohin njerëz. S’jam menduar dy herë, isha në gjysmë të rrugës kur më mori për herë të dytë Policia për të saktësuar vendin ku ndodheshin turistët”, rrëfen i riu, banor i zonës, i cili falënderon edhe Policinë, që iu besoi jetën e këtyre tre turistëve, por edhe iu dha koordinatat e sakta dhe që ishte mjaft e angazhuar për jetën e çiftit. Ai dhe banorë të tjerë të Thethit iu është dashur shpesh të ndërhyjnë për të shpëtuar turistë të humbur, pasi rajoni më i afërt i Policisë është disa orë larg zonës. Ndërsa një efektiv që është inspektor në zonë, e ka të pamundur të ndërhyjë i vetëm në raste të tilla.
Pronarja e kampingut: Skuadër emergjence me banorë të zonës
Loren Nikaj, e cila i kishte dy ditë më përpara në kampingun e saj në hyrje të Shkodrës dy turistët, tregon se si në mënyrë rastësore i kishte dhënë numrin e saj të celularit, kontakt ky i cili i shpëtoi jetën. Turistët i kanë dërguar një mesazh Loren se kanë humbur në mal dhe më pas ajo ka vijuar komunikimet deri sa është arritur të shpëtohen. Ajo kërkon nga shteti që në zona si Thethi, ku numri i turistëve është i madh, të ngrihen nga ministritë dhe emergjencat skuadra të gatshme shpëtimtarësh të përbëra nga banorët e zonës.
“Është rasti i dytë, që ndodh në tetor, ku turistët humbin. Nuk është hera e parë që ngatërrohen te kjo pikë ku humbi ky çift. Ishte situatë e frikshme sepse është pothuajse dimër. Kam marrë mesazh në gjashtë e gjysmë të pasdites. Fillimisht lajmërova njerëzit që kanë shtëpi pushimi në Theth.
Dikush më tha se janë te Lugu i Valit sepse ata e njohin vendin. Ia kam dhënë numrin tim rastësisht turistëve, duke i thënë që nëse keni nevojë më telefononi sepse ata e kanë bërë vetëm nga Valbona në Theth, pa guidë, ashtu siç bëjnë shumë të tjerë. Policia më tha thuaju të ndezin zjarr që mos t’u afrohen ujqërit, por nuk e bëra këtë sepse e dija që do i kapte paniku dhe se në çfarë gjendje ishin. E dija që do ta ndiznin vetë zjarrin sepse do të kishin ftohtë, por edhe si shenjë që t’i shohë dikush”, shprehet ajo.
Sipas saj, Policia i kishte nisur numrat e personave që do shpëtonin turistët, të cilët ishin banorë të zonës. “Rastësisht unë i njoh ata për shkak të punës dhe njëri prej tyre është mik i imi. Banorët, rrugën që bëhet 5 orë, e kanë bërë për 2 orë e gjysmë në këmbë. Qëllimi im ishte që të mos i frikësoja shumë turistët. U mundova që t’i orientoj që të na nisin koordinatat pa pasur internet dhe ua shpjegova me detaje se si bëhet, derisa dikur arritën të m’i dërgonin koordinatat. Pa koordinata s’do i kishim gjetur kurrë. Unë kërkoj që të krijohet një skuadër e gatshme nga Ministria e Brendshme, e Turizmit dhe Emergjencat, e mbështetur te banorët e zonës sepse nuk mund të bëhet gjithmonë me heroizmat vullnetare të atyre banorëve shpëtimi i turistëve”, thekson Loren Nikaj, falë së cilës u arrit edhe të gjendeshin turistët e humbur.