Ngjitja e Edi Ramës në pushtet pas kthimit nga emigracioni ishte një ngjitje e beftë, spektakolare. U desh vetëm një telefonatë në mbrëmjen e ceremonisë mortore, zoti Nano e merrte në telefon duke e uruar me fjalët “Zoti Ministër…”
Shkruan Sulejman Mato
Kam pasur gjithmonë kureshtjen për të bërë vëzhgime të imta të personaliteteve letrare, publike, në jetën e tyre të përditshme, pasi, si thotë Dostojevski “ka ca imtësira, të cilat tregojnë karakterin e njeriut”.
Edi Ramën e kam njohur në moshë të re, në shkollën tetë-vjeçare “Alqi Kondi”, më pas, ka rënë rasti ta njoh dhe më mirë, si piktor dhe si pedagog të Akademisë së Arteve.
Evidentimi i tij si një lider i ri politik u shpërfaq në ditët e dhjetorit të vitit nëntëdhjetë, në kohën kur Shqipëria po hynte në vorbullën e ndryshimeve demokratike dhe vendi kishte nevojë për liderë të rinj, që do të përfaqësonin këtë lëvizje të re, e cila do të finalizohej me krijimin e një partie të re.
Ashtu si Zgalemi, i skicës poetike të Gorkit, i cili shfaqet në kohë furtunash, ashtu dhe piktori Edi Rama, në ato ditë dhjetori u ngrit mbi të gjithë bashkëmoshatarët e tij, përmes ciklit “Refleksione”, duke shfaqur pikëpamjet e tij antikomuniste, liberal-demokratike dhe antikonformiste.
Profesori dhe piktori i ri, shtatgjatë, qytetar, tiranas, plot ëndrra, ambicioz, i përgatitur për një kohë të tillë, sa i kishte mbushur të tridhjetat. Ai doli para intelektualëve në sallën e Akademisë së Arteve me ide të guximshme, në kundërshtim me partinë ku aderonte i ati i tij. Ishte një çast që duhej vlerësuar. Në krye të themeluesve të PD-së ishte Azem Hajdari një lider tjetër populist. Mirëpo, ato ditë në skenën e Institutit të Arteve, u ngrit një intelektual i pavarur, që të jepte leksione për demokracinë. Dhe ishim ne të gjithë, më të përgatitur dhe më të moshuar se Edi Rama, që patëm kënaqësinë t’i dëgjonim ligjëratat e tij emocionuese.
Dhe ja…Pas një përjashtimi të bujshëm nga radhët e demokratëve, dhe pas ca peripecive emigracioni, ai kthehet sërish në politikë, i sprovuar, i pjekur, me eksperiencë, kthehet në Shqipëri si ministër Kulture.
Merita e pikasjes së anarshistit-liberal, Rama, si një lider i ardhshëm i partisë, i përket Fatos Nanos. Pranimi i këtij posti, si përfaqësues i një partie të cilën disa vite më parë e kishte anatemuar, edhe pse dukej dyshues, është në llojin e lëvizjeve të disa individëve me pikëpamje liberale, të cilët pozicionohen në politikë, sipas situatave që u krijohen. Ministri i ri kulturës hyri në politikë, i fuqishëm, karizmatik, me eksperiencë në perëndim.
Personaliteti i Edi Ramës do të shfaqej sërish, por tashmë si pjesëtar i një grupi të majtë politik…Për Edi Ramën, me sa e njoh unë, as në fillimet e veta nuk ka pasur rëndësi, ngjyra partiake. Ai ishte një ekstremist që donte të shembej sistemi i vjetër dhe që dha kontributin e vet në ato ditë dhjetori.
I nisur nga ekstremi i djathtë, ai arriti të bëhej një lider kryesor dhe i pazëvendësueshëm i së majtës, duke përdorur sloganin “përtej së majtës dhe të djathtës” një slogan që i përshtatej vetëm atij dhe mund ta kuptonin vetëm ata që e njihnin Edi Ramën, i cili gjer atëherë mund të quhej një i djathtë i konvertuar, ose një i majtë liberal.
Zgjedhjet e fundit e konfirmuan dhe më mirë profilin e tij si lider i një të majte europiane. Takimi i fundit, kokë më kokë, me Lulzim Bashën dhe platforma politike për të qeverisje të përbashkët me të djathtët, e po kështu edhe dalja në zgjedhje me dy gishtat lart, apo simbloli i ri i trendafilit të P.S-së me dy gishtat, simboli i P.D-së, fshehtësisht kanë treguar se Edi Rama është një lider, i cili qëndron vërtet përtej së majtës dhe të djathtës, ose, ta themi ndryshe, mbi vizionin dhe interesat mediokre të së majtës dhe të djathtës shqiptare.
Kristaq Rama fliste me krenari për djalin e tij të madh, dhe kur u fut në liceun artistik dhe kur nisi basketbollin…dhe kur përmendte detaje të karakterit të tij impulsiv. Kristaqi i donte njerëzit e zot si Edi… Një mëngjes trokiti në derën time. “Më duhen dy muratorë,- më tha,- nga ata nxënësit e tu të shkollës së mbrëmjes. Edi ka përplasur derën fort dhe ka rënë fortesa që lidh derën me murin. “E mora me të qeshur. Sigurisht, një nervozizëm i madh e kishte detyruar nxënësin e liceut të përplaste kaq fort derën…Një rast tjetër, i cili nuk ka shumë lidhje me Edin, por, ndryshe nga ajo si e servir Berisha figurën e Kristaq Ramës, dhe për të treguar sa i thjeshtë, familjar dhe njerëzor ishte Kristaqi, një herë tjetër e kam shoqëruar gjer te zyra e Ramiz Alisë. Do t’i fliste për banesën e tij të vogël. Pas takimit u kthye i mërzitur. “Ia hodha fjalën dy-tri herë,- më tha,- por ai qeshte. I tregova që Edi fle në një kanape. I shtojmë te këmbët një pupë…Ai shkrihej gazit…Hahaha! Hahaha! Sikur shkova për ta gajasur.”
E tregova këtë episod për të thënë që, Edi Rama edhe pse me një baba, skulptor të nderuar, deputet, nuk është rritur në pekule, pasi Kristaq Rama, e kishte të vështirë të kërkonte privilegje për familjen e tij.
Intelektualët si Kristaq Rama pushteti i kaluar i mbante afër për të kuruar imazhin e vet. Ne që e kemi jetuar ato kohë dhe kemi pëshpëritur pësh- pësh, për hallet e artistëve dhe shkrimtarëve e dimë mirë se sa komunistë ishin disa nga këta shkrimtarë dhe artistë, madje dhe vet Kadare, Agolli e Berisha, i cili në rastin më të parë e flaku teserën e partisë dhe u bë lider i partisë kundërshtare.
Ngjitja e Edi Ramës në pushtet pas kthimit nga emigracioni ishte një ngjitje e beftë, spektakolare. U desh vetëm një telefonatë në mbrëmjen e ceremonisë mortore, zoti Nano e merrte në telefon duke e uruar me fjalët “Zoti Ministër…”
U desh vetëm një vit në postin e ministrit të Kulturës që Rama të evidentohet si një kurator, transformator dhe reformator i asaj ministrie, gjer në detaje, gjer në transformimin e zyrave, të ambienteve të punës dhe të personelit, duke dashur të japë kështu mesazhin dhe imazhin e një shteti perëndimor.
Një vit më pas ngjitja e tij në shkallët drejt zyrës së kryebashkiakut të Tiranës ishte shkreptimë e beftë drejt majave të pushtetit. Si kryeredaktor i gazetës “Tirana-Bashkiake”, kam qenë prezent atë mëngjes. E vërejta me kujdes kur hyri te porta e hekurt, më pa dhe më shkeli syrin shoqërisht…Impozant, i ndjekur nga dhjetëra punonjës partie, elegant, me kostum të zi, me shiritin e bashkiakut harkuar mbi supe, madhështor, ambicioz, krenar dhe i sigurt për punët e mëdha që e prisnin në këtë detyrë të re, të administratorit të një qyteti një milionë…Nuk mund ta harroj mëngjesin tjetër, kur unë u gjenda në zyrën e tij, Më ftoi miqësisht t’i ulesha pranë. Në atë takim, me djalin e mikut tim dhe profesorin e vajzës sime unë shfrytëzova rastin për t’i bërë një përmbledhje të shpejtë të punëve emergjente dhe nga duhet ta fillonte…I tregova për ndërtimet mbi Lanë. I thashë që tani është koha. Ishte koha për të parë një Edi ndryshe.
Gjatë asaj bisede të shkurtër më ra supeve disa herë, miqësisht, si të ishte një premtim solemn, se do të bëheshin gjëra edhe më të mëdha. Mirëpo, pas disa ditëve gjëja më e madhe u bë me mua dhe me 72 punonjës bashkie të tjerë…Më shpejt se prishja e ndërtimeve mbi Lanë u bë shkarkimi i 72 punonjësve të vjetër të bashkisë, midis të cilëve isha dhe unë, së bashku me mbylljen përfundimtare të asaj gazete.
Nuk më bëri përshtypje të madhe pasi kisha dëgjuar që Edi nuk i do gazetat. Kjo ide m’u përforcua kur ai mbylli të vetmen gazetë tradicionale të Partisë së tij “Zëri i popullit”
Ato ditë takova mikun tim të vjetër, profesor Artan Fugën, i cili kishte pasur miqësi me Edin gjatë viteve që Rama jetonte në Paris. I erdhi keq për pushimin tim. Nuk e priste: “Nga Edi Rama, më tha,- mund të presësh të mirën më të madhe, por dhe të keqen më të madhe”.
Kanë kaluar tetëmbëdhjetë vjet nga ajo kohë dhe mua ende nuk më hiqen nga mendja ulërimat e zonjave të pushuara nga puna, në korridoret e bashkisë, të cilët sipas tij, ishin të gjithë demokrate. E që ai, ekstremisti i djathtë i ditëve të dhjetorit, i konvertuar në të majtën socialiste ishte mbushur me urrejtje ndaj të djathtëve, aq sa të pyeste shefin e burimeve njerëzove: ”Pa shih, mos ka mbetur akoma ndonjë nga ata të Brojkës…”
Koha e gjatë si kryetar bashkie i dha mundësi Edi Ramës për të ngritur figurën e tij mbi të gjithë ekipin drejtues të Partisë Socialiste. Kryetarët e bashkive të qyteteve të mëdha janë kurdoherë dhe potencialisht kandidatë për lider partish. Koha në bashki i shërbeu dhe për të kuruar imazhin e vet, për të bërë karrierë e pasuri, dhe në një synim afatgjatë, për t’u ngjitur në postin e kryeministrit të Shqipërisë… Kundërshtari potencial i ditëve të para të dhjetorit, në karrierën e vet, do ta ndiqte hap pas hapi dhe këmbë këmbës kundërshtarin e vet, Sali Berishën, madje dhe do ta imitonte atë, gjersa në qershor të vitit 2013 beteja 20 vjeçare do të kurorëzohej me fitoren e tij.
Në ditët e para të fitores së tij, Edi Rama edhe pse i përmbajtur në mllefet e tij të vjetra, e stigmamtizonte kundërshtarin e vet politik si një plak dhe shpellar, duke i kujtuar epërsinë e moshës dhe tironsin e kohës.… Ç’është e vërteta, në dyluftimin midis tyre, ka pasur shumë zigzage, madje dhe afrime përmes emisarëve të vet, dhe pika takimi në drejtimin e partive respektive, por asnjëherë dhe në asnjë kohë asnjeri prej tyre nuk ka treguar epërsinë prej xhentilmeni për t’i shtirë dorën e armëpushimit. Ky është ende një problem serioz për vendin, pasi kemi të bëjmë me dy liderë që përfaqësojnë dy parti rivale e që, duke e ditur që tek ne partitë janë thjesht vullneti i liderëve, populli ka kohë që pret që ata të ulen më së fundi në një tryezë e të zgjidhin disa probleme që kanë të bëjnë me të ardhmen e vendit.
Duke bërë një bilanc të fyerjeve të tyre të ndërsjella, ndër vite, them me bindje që Berisha ia kalon si sasi kundërshtarit të vet, por edhe Rama nuk qëndron pas. Fyerjet e Ramës janë më artistike më të hidhura dhe më cilësore.
Në vende të pazhvilluara ekonomikisht dhe në periudha të tilla, të gjata tranzicioni, lider të tillë si Berisha dhe Rama jo vetëm përligjen, por edhe pëlqehen nga elektorati, për sa kohë që prokuroritë, gjykatat dhe kontrolli shtetëror do të jenë inakitvë, të korruptuar dhe të varur nga pushteti qendror. Asnjeri as tjetri nuk mund ta përjashtojë dot rivalin e vet. Superioriteti do të tregohej në se njeri prej tyre do t’i zgjaste i pari dorën e pajtimit.
Në fillimet e karrierës së vet Edi Rama gjeti një parti me një elektorat të madh, në qendër dhe në zonat rurale, ndaj atij nuk i duhej shumë punë. Ju desh punë për t’i mbyllur gazetën tradicionale, “Zëri i Popullit, për të larguar nga drejtimi kuadrot e stazhionuara e për t’i zëvendësuar ata me femra të bindura, dhe për ta ngjyer flamurin e socialistëve me ngjyrën mavi. Me këtë flamur dhe në aleancë me L.S.I-së Edi Rama në zgjedhjet e 13-tës, ia mbërriti të ulet në kolltukun kryeministror. Mirëpo, fitorja e dytë paksa e dyshimtë, vazhdon t’i ngjajë pak a shumë fitores së Pirros.
Tashmë dhe premtimet me sloganin “Na jepni timonin” dhe ato “një milion shuplakat” janë ezauruar, për shkak të mosrealizimit të premtimeve të dhëna.
Siç doli nga ngjarjet e vitit të kaluar entuziazmin e fitores do ta zbehnin shumë shpejt parcelat e kanabisit dhe disa deputetë të lidhur me krimin.
Sidoqoftë, ndryshe nga liderët e tjerë partiakë, Rama, e njeh mirë artin e fjalës dhe efektet e saj. Ai është pikësëpari një intelektual me imazh qytetar, i plotësuar, me kulturë, me ide, me performancë, me vizion, me ambicie dhe me teknikë ligjërimi. Mjeshtër i përdorimit të fjalëve me efekt. Udhëheqës populist që e dominon elektoratin e vet duke përdorur mjeshtërisht antitezën dhe sarkazmin, batutën dhe kundër batutën, hiperbolën dhe humorin, kulturën dhe thjeshtësinë, mbi të gjitha, duke përdorur kontrastin, midis të kaluarës blozë të kundërshtarit dhe perspektives rozë të partisë së tij. Me Edi Ramën do ta ketë të vështirë çdo kundërshtar politik për t’iu kundërvënë cilësive të tij aktoreske.
Pas largimit të Berishës nga drejtimi politik, çdo kundërshtar tjetër që do të vijë do ta ketë të vështirë të përballet me oratorinë e tij dhe me cilësitë aktoreske…Megjithatë, midis liderëve, Berisha-Rama, ka një ndryshim esencial. Berisha krijon në elektorat besim dhe atmosferë entuziaste, ndërsa Ramës i intereson të shpërfaq para elektoratit njeriun e tyre, të thjeshtin, popullorin, intelektualin, properëndimorin, vizionarin prej bëmave të të cilit “nuk kemi parë gjë akoma”.
Rama është një lider origjinal, me zigzaget e veta, hera-herës qëndron me këmbë në tokë, dhe u kthehet pasioneve të rinisë, si piktor modernist ose duke bërë në kosha politike. Rama është origjinal dhe në veshje, dhe në sjellje, është origjinal në kthesat e papritura, është origjinal në zgjedhjen e ekipit femëror dhe është origjinal në mbrojtjen e ekipit të tij dhe kur i gjen me faje.
Për sa i përket performancës që ai ka krijuar në raport me liderët europianë dhe botërore, është rasti i parë që Shqipëria prezantohet denjësisht, me një figurë imponuese dhe spektakolare në të gjitha aspektet. Performanca e tij qëndron denjësisht përkrah figurave të liderëve të shteteve të mëdha. Ai krijon përshtypjen e një Trampi shqiptar.
Në këto 16 vjet të jetës së tij politike Edi Rama ka lozur një rol aktiv. si kryetar Bashkie dhe si kryeministër duke e diktuar me vullnet të hekurt ekonominë dhe politikën e vendit, duke zbukuruar sheshet e qyteteve dhe duke e çuar më përpara aksionin e lënë përgjysmë të asfaltimit të rrugëve…
A do të ketë zbritje Edi Rama? A ka filluar zbritja?
Çdo lindje ka pas vdekjen e vet dhe çdo ngjitje ka pas zbritjen e vet. Në rastin e Ramës mendoj se nuk do funksionojë shprehja e Mao Ce Dun-iste “sa më lart të ngrihesh aq më shumë vritesh kur bie”, pasi duket si i përgatitur për një kohë paskryeministrore.
Edi Ramës, nuk i bën përshtypje zbritja, pasi ajo do ta kthejë sërish në jetën e vet, të lirë, prej artisti. Mirëpo, ai e ka përsëritur disa herë edhe vet, se : “Unë do të ik, kur të dua vet,”
Pas njëzet vjet eksperience në politikë, dhe në takimet e shumta me personalitete botërore, ai ka krijuar një përvojë të bollshme, e cila e detyron atë të qëndrojë akoma në të detyrë për të realizuar idetë e parealizuara.
Edi Rama ka një ambicie shembullore për të bërë gjëra të mëdha, ndaj në ditët që vijnë pritet të bëjë, sipas Fugës” “të mirën më të madhe … ose të keqen më të madhe.”
Edi Rama bën pjesë në liderët e fortë, dhe shqiptari në mentalitetin e vet, në të gjitha kohët, ka kërkuar njeriun e fortë.
Do vijë një kohë, sado e largët qoftë ajo, që populli shqiptar do ta ndryshojë konceptin për “të fortin”, do ta kërkojë ndryshe udhëheqësin e vet, ashtu siç i erdhi ajo kohë Gjermanisë naziste të Hitlerit, e cila pranoi ta udhëheqë për katër legjislatura një grua e qetë, e shtruar dhe e mençur si Angela Merkel.
A ka ardhur koha që fenomeni Rama ashtu si fenomeni Blushi, të quhet “mision acompli”? Le të jemi të vërtetë në këtë pikë. Jo vetëm opozita, por ka arsye të shumta, objektive dhe subjektive që e kërkojnë largimin e tij…. Janë varfëria e korrupsioni, ekonomia e pazhvilluar, pagat dhe pensione e ulta, papunësia, emigracioni…Është lidhja zyrtarëve shtetërorë me persona të inkriminuar, janë premtimet e parealizuara…është populli që kërkon ndryshime, mirëpo, të gjitha këto janë fenomene të shpjeguara të vetë sistemit kapitalist të cilin e pritëm me brohorima.
Duke menduar se një ditë dhe kryeministri ynë artist do të kthehet në identitet, më jepet rasti t’i kujtoja se shumë pak ka bërë për komunitetin e shkrimtarëve dhe artistëve nga i cili ka dalë. Arti dhe kultura, i dashur kryeministër, shkojnë paralelisht me zhvillimin e vendit. Nëse nuk bën gjë për këtë komunitet sa kohë je në atë post, një ditë do ta ndjesh veten fajtor. Ende kohë, për të bërë diçka për art-kulturën. Kështu do të mbetesh në histori, siç do të mbetesh, për kthimin në identitet të bulevardit përgjatë Lanës. Unë kam pritur që Rilindja e tij ta rilindte dhe Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve.
Kryeministrit në detyrë mund t’i bëhen shumë kërkesa formale, të realiziueshme dhe të parealizueshme as për kryeministrat që do të vijnë, bie fjala t’i kërkohet zbutja e menjëhershme e varfërisë dhe zhvillimi i menjëhershëm bujqësor e blegtoral, lufta e menjëhershme ndaj korrupsionit dhe rritja e menjëhershme e pagave dhe pensioneve, por, ”këtë gjë e di dhe bufi” që të gjitha këto, do të mbeten premtime afatgjata të çdo politikani.
* * *
Edi Rama i ka realizuar të gjitha ambiciet e tij për pasurim për lavdi dhe për pushtet. ”Tashita kur mbërriti në majë,- thotë një shprehje popullore kineze,-ndjeu mjerimin e zbritjes.” Mjerimi i zbritjes është një ligj natyror.
Unë kam pasur dhe kam vërejtje për drejtimin e Ramës, por, ruaj një simpati të hershme, duke ia njohur vlerat dhe duke shpresuar te kthesat e tij të paparashikueshme.
Ditët që vijnë parashikojnë për të dy partitë kryesore një mot të ftohtë. Tavolina e përbashkët e dy partive do të ishte zgjidhja.
Është koha për të parë një Edi Rama ndryshe. Një Edi, i cili jo vetëm duhet ta dëgjojë opozitën, por edhe duhet ta vlerësojë mendimin e saj dhe ta pranojë si një partnere të denjë për të bashkëpunuar me çdo çmim, për interesin e popullit. Kjo është dëshira e popullit. Kjo është dhe dëshira e ndërkombëtarëve.