Në kohën e diktaturës të ishe e bukur ishte vërtet fat, sepse nuk ekzistonin asnjë nga “instrumentet” që vajzat dhe gratë përdorin sot për t’u kuruar, duke nisur që nga tualeti e deri tek transformimet rrënjësore të operacioneve plastike. Kozmetika, që njohu një hov zhvillimi në vendet Perëndimore gjatë mesit të viteve ’60 me revolucionin feminist për të drejtat e grave, në Shqipërinë komuniste ishte një luks që përkthehej vetëm në ndonjë shampo apo buzëkuq të blerë ose të sajuar.
Në ato vite kur vajzat i hiqnin vetullat vetëm kur martoheshin, të fliteshe për tualetin dukej si tabu, megjithëse qefliet e “modës” nuk mungonin edhe në atë kohë.
Rimeli, lapsi i syve, kremi pudër, kremi dhe vaji i plazhit, hidratantët…ishin të gjithë produkte që as nuk njiheshin dhe as nuk prodhoheshin në Shqipëri. Fatlumë ishin disa që ju kishin sjellë familjarë që u kishin bërë ndonjë rrugë jasht vendit një laps apo rimel, i cili kur mbaronte zëvëndësohej pastaj me bojë këpucësh për të vijuar ‘funksionin’.
Ndërsa floktoret frekuentoheshin vetëm në raste fejesash dhe dasmash ku zakonisht teknika më e përdorur e krehjes ishte “t’i jepej flokëve një formë” me bikudinat e famshme që t’i bënin flokët me ricën e ngjashme të kaçurrelit.
Në mungesë të produkteve vinin në ndihmë, “shpikjet e kozmetikës” siç mund të quajmë ndryshe truket që përdoreshin nga vajzat dhe gratë për t’u kuruar në kushtet e shtëpisë. Vajzat dhe gratë në Durrës por jo vetëm e kishin zakon të përdornin këto produkte natyrore:
E verdha e vezës + ajka e qumështit=krem hidratues
Përzierja e këtyre dy produkteve formon një masë kremoze e cila shërbente si hidratues i mirë por edhe larës. Zakonisht vajzat dhe gratë e përdornin për të mbajtur lëkurën më të butë dhe të pastër.
Kur s’ke penel ke lapsin jeshil…
Lapsi jeshil ishte përdorej zakonisht nga ushtria. Kush kishte familjarë të tij në rradhët e ushtrisë mund të merrte një laps të tillë, i cili përdorej për të lyer kapakët e syve pastaj me disa pika të vogla mjalti përhapej ngjyra duke e fiksuar mbi kapak për një kohë të gjatë për shkak të efektit ngrirës të mjaltit.
Të depilohesh me sheqer
Është një metodë që nënat ua kanë trashëguar edhe vajzave në ditët e sotme. Receta ishte efikase. Dy gota sheqer me një gotë limoni përziheshin në një tenxhere të vogël e cila ishte vënë të nxehej mbi sobë. Shkrirja e tyre krijon një masë xhelatinoze ngjitëse që përdorej për të hequr qimet.
Në vend të rimelit dhe lapsit të vetullave…
Hiri i drurit të djegur ishte një teknikë e njohur për të gjitha vajzat dhe gratë. Me shumë kujdes për të mos u ndotur, kjo lëndë shërbente për të lyer vetullat dhe qerpikët. Derisa nisi të dilte lyerja e tyre me këna, produkti bimor që nisi të përdorej në vitet ’70 për të lyer flokët.
Birra për t’i dhënë formë flokëve
Majaja e birrës ishte një produkt që i ndryshonte formën flokëve, duke i dhënë onde apo dhe kaçurrela. Një gotë birre për flokët mbahej gjithmonë në frigorifer, me qëllim që të thartohej gradualisht për të dhënë efektin e dëshiruar.
/Konica.al