Viktimat e atentatit në Durrës para se të vriteshin darkuan me disa shokë në një lokal në periferi të Tiranës. Edhe autorët e krimit besohet që janë nisur nga Tirana, kurse Durrësi u zgjodh si vend i përshtatshëm për ekzekutimin.
Janë provat më të reja të zbuluara nga grupi hetimor për ngjarjen e disa ditëve më parë në qytetin bregdetar, ku mbetën të vrarë i ashtuquajturi “faqedjeguri” Edision Harizaj dhe shoku i tij Genci Caca të dy nga Vlora.
Referuar dëshmive të personave të fundit me të cilët Harizaj është shoqëruar, një burim policor i tha ABC News, se ai kishte pikasur ndjekjen. “Il Padrino”, i njohur në Vlorë si person i rrezikshëm, është shprehur te një miku i tij. “Po më ndjekin, kam parandjenjë të keqe”.
Dhe në fakt mbi të dhe Cacën u zbrazën mbi 50 plumba dhe pse makina ishte gjysmë e blinduar. Ndërkohë policia ka siguruar një dëshmitar, i cili flet për disa autorë pjesëmarrës në krim.
Veç atyre që qëlluan makinën një tjetër makinë ka mbikëqyrur veprimet. Kur makinat e viktimave dhe e autorëve u futën në rrugën dytësore, një makinë e tretë. Ka qëndruar pak sekonda në anë të rrugës kryesore. Sapo është kryer ekzekutimi ajo ka lëvizur në drejtim të Plepave.
Në makinën e Harizajt i njohur edhe si shoku i Emiljano Shullazit, policia ka gjetur tre celularë, dy të Harizajt dhe një i Cacës. Të tre të koduar.