Nga Prof. Dr. Valter Shtylla
Arkipeshkvi i Durrësit, Pal Engjëlli, që ka jetuar në vitet 1408-1468 ka qenë një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Gjergj Kastriot Skënderbeut.
Ai njihet si diplomat dhe këshilltar i Skënderbeut për politikën e jashtme. Veç këtyre fakteve historike, Pal Engjëlli është i njohur në historinë e shqiptarëve si autori i të parit dokumenti të shkruar në gjuhën shqipe.
Kleriku diplomat nga familja aristokrate Dushi nga Durrësi, paraardhësit e së cilës që prej shekullit të XIV kishin marrë mbiemrin e familjes perandorake bizantine Angelos, më 8 nëntor 1462 shkroi “Formulën e Pagëzimit”.
Në këtë dokument Pal Engjëlli udhëzon besimtarët e vet që në mungesë të meshtarëve duhet të pagëzojnë vetë fëmijët e tyre, me ujë të zakonshëm, duke e përmbyllur ceremoninë me shprehjen “Unë të pagëzoj në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit të Shenjtë”.
Hartimi i këtij dokumenti të parë të shkruar në gjuhën shqipe u krye në rrethanat kur kryepeshkopi vërejti çrregullime në Dioqezën e Lisit të Matit.
Në foto: Shkëmbi i Shën Trinisë mbi Abacinë
KISHA E SHËN TRINISË
Për këtë qëllim, ai organizoi një Kuvend Kishtar në kishën e Shën Trinisë së Matit, ku edhe u shkrua “Formula e Pagëzimit”. Kjo është kisha e Shën Trinisë së Shlliut të Matit. Në ditët e sotme, midis katundit Shlli dhe lagjes “Dazaj” të Macukullit, mbi kodrën e Ballës në Dharbëll ndodhen rrënojat e një kishe të vjetër me emrin Shnritat.
Pal Engjëlli, autor i “Formulës së Pagëzimit” dhe bashkëpunëtor i Skënderbeut, nga ana tjetër Abacia e Shën Mërisë së Martaneshit e lidhur me historinë e familjes së Kastriotëve dhe të klerit në zonat e Matit, Durrësit dhe Dibrës, logjika këto që ligjërojnë praninë e kësaj teorie në atë të Formulës së cituar.
Manastir ose Abacia e Shën Mërisë ka gjasa të ketë ekzistuar në fshatin Peshk të krahinës malore veri-lindje të Tiranës, e cila sot njihet me emrin Martanesh. Në Mesjetë kjo krahinë ndërmjet malësive të Tiranës, Matit dhe Dibrës ka qenë njohur me emrin Hunavi apo Kunavi. Për këtë identifikim shprehen shumë autorë të ndryshëm.
Në foto: Kroi i Kishës pranë sheshit të Abacisë
Në hartën e botuar nga Shuflaj, Hunavia ndodhet ndërmjet Durrësit dhe rrjedhës së sipërme të lumit Mat, pikërisht tek Martaneshi i sotëm. Po këtu e vendos Hunavinë edhe Gjergj Akropoliti, pretor i perandorit bizantin Laskalës nga Nikea, në vitin 1258 kur përmend ekspeditat bizantine ndaj arbëreshëve. Pak a shumë në këtë përcaktim pajtohet dhe studiuesi Kristo Frashëri, i cili nuk përkrah mendimin se Hunavija lokalizohet në zonën e Shijakut në Shqipërinë e Mesme.
Lidhur me përkatësinë territoriale në periudhën e Principatave Feudale Shqiptare, rezulton se në vitin 1437 bashkë me krahinat e Dibrës, Matit dhe Gollobordës, zona e Hunavisë (Martaneshi) u përfshi në një vilajet me emrin Juvan-ili (Vilajeti i viseve të Gjonit – dmth të Gjon Kastriotit, i ati i Gjergj Kastriotit).
Në dhjetor 1447 mbreti i Napolit, Alfonsi i V e njeh Gjergj Kastriotin “zot i Krujës dhe i Arbërisë”, ku në Arbërinë mesjetare veç të tjerave, përfshinte edhe krahinën e Martaneshit.
Në foto: Fshati Peshk i Martaneshit ku ndodhej Abacia e Shën Mërisë
Malësia e Kunavisë përmendet dhe në kronikat historike të mesjetës.
Me përhapjen e krishtërimit në Shqipëri, theksohet në shekullin X metropolia e Durrësit me 14 peshkopata vartëse (sufragane), ku përfshihej edhe Kunavia. Gjatë shekullit XI-XII si pasojë e fushatave politike dhe ushtarake në rajon dhe pas ndarjes së kishave në 1054 Metropolia e Durrësit me sufraganet vartëse pësuan lëkundje në orientimet kishtare, herë drejt Papatit e herë drejt Bizantit.
Pas ndarjes në vitin 1054, fuqizohet kisha katolike e Durrësit. Më tej në vitin 1143, Metropolisë Ortodokse të Durrësit i kishin mbetur vetëm katër sufragane (vartëse) nga 14 që kishte pasur dikur, që ishin peshkopatat në veri të saj, Krujë, Kunavia dhe Stefaniaka në Mat, renditje kjo pranëterritoriale, çka dëshmon dhe një herë pozitën e Kunavisë në veri të Durrësit.
Një dokument papal i vitit 1888 shpjegon se Peshkopata e Arbrit u vendos nën varësinë direkte të Selisë së Shenjtë. Me situatat politike pas vitit 1210 kisha e Arbrit ra përsëri nën influencën ortodokse. Pas pushtimit anzhuin të Napolit në vitin 1272, në Principatën e Arbrit u forcuan pozitat e katolicizmit. Megjithatë, në këtë principatë qendrore riti katolik nuk arriti ta spostonte plotësisht atë ortodoks. Këtu ndodhi një përzierje e të dy riteve.
Në Durrës dhe në Arbëri funksionojnë si kisha e manastire katolike, ashtu edhe ortodokse.
Në foto: Sheshi ku ngrihej Abacia e Shën Mërisë
KISHA E MARTANESHIT
Lidhur me ritin e kishës së Martaneshit përmendim faktin e njohur se Gjon Kastrioti, i ati i Gjergj Kastriot Skënderbeut, në principatën e tij ka pasur klerin katolik dhe abacitë katolikë. Në kronikat e tij të vitit 1641, Mark Skura përmend Shën Martinin në tokën e quajtur Shmertin. Motit qe abaci me rentë të madhe, e plotë, me dy kambana dhe më 1050 frymë të krishterë.
Një tjetër autor, duke përmendur Manastirin e njohur të Shën Mërisë në Martanesh hedh mendimin se njëri nga vëllezërit e Skënderbeut mund të jetë varrosur në këtë manastir, siç ka ndodhur me vëllanë e madh Reposhin në Manastirin e Hilandarit në Malin e Shenjtë.
Sipas Shuflait, Dioqeza e Hunavisë është shuar në vitin 1529.
Më pas, në vitin 1641, Kryepeshkopi Mark Skura në këtë vend has kishën e Shën Martinit, e ndërtuar në vendin e Abacisë së moçme të Shën Mërisë. Në këtë fshat të Martaneshit me emrin Peshk banorët kremtonin si festë fetare Shën Martinin dhe pas Hunavisë, pra me kishën e Shën Martinit të fillimit të shekullit XVII, kjo krahinë filloi të njihet me emrin Martenesh-Martinesh-Martanesh. Kisha e Shën Martinit ka arritur deri në fillimin e shekullit të XX, bile themelet e saj janë ruajtur deri në vitet ’60-të të këtij shekulli, siç tregojnë vendësit. Ende sot në fshatin Peshk të Martaneshit shkëmbin në sfondin e vendit ku ka qenë kisha, e njohin me emrin domethënës Shkëmbi i Shën Trinisë, gjë që të shtyn për hulumtime historike. Vendi pas shkollës së fshatit quhet Sheshi i Kishës dhe burimi i ujit pranë quhet Kroi i Kishës, aty ku janë gjurmët e kroit të lashtë dhe kisha.
Një tregues i rëndësishëm i marrëdhënieve të familjes së Kastriotëve me Abacinë e Shën Mërisë është edhe fakti se kur Gjergj Kastrioti mori një ndihmë me municione artilerie nga mbreti Alfonsi V i Napolit, me anën e karvanëve me kafshë, ai i transportoi ato në bazën e tij të sigurt në Martanesh. Fshati Peshk i Martaneshit gjatë shekullit të XV kishte dy rrugë karvanësh që e lidhnin me Krujën.
Rruga dimërore kalonte nga Plani i Bardhë – Ura e Vashës – Guri i Bardhë – Zall Dajti – Tujani – Kurcaj e në Krujë, ndërsa rruga verore kalonte nga Biza -Shëngjergji – Zall Dajti e në Krujë. Sa i takon kohës së ndërtimit, mund t’i referohemi faktit se sipas Shuflait, Peshkopi i parë i Hunavisë e sufragan i Durrësit u emërua Guaskoni, në vitet 1310-1318. Në këtë mënyrë mund të shprehemi se Abacia e Shën Mërisë në Martanesh të paktën ka ekzistuar që prej shekullit XIII, duke qenë një Kuvend Katolik, qendër e rëndësishme religjioze dhe e familjes së Kastriotëve, të cilën Gjoni me të katër djemtë e vizitonte shpesh me dhurata dhe të holla. Manastiri ka shërbyer edhe si shkollë për përgatitjen e priftërinjve të ri, prej ku më pas studionin teologji në Padova a më gjerë.
Sigurisht Abacia e Shën Mërisë e Hunavisë nuk duhet konfonduar me kishën e Kanovës, emri i së cilës buron nga ai i maleve Candave gjatë Via Egnatias në malet e Polisit Librazhd, e cila në ndryshim nga Abacia e Martaneshit mbante emrin Kisha e Shën Gjon Pagëzorit. Ishte kjo një përpjekje për të identifikuar një Abaci të rëndësishme në Principatën e Arbërisë në domenet e Kastriotëve. Trajtimi historik dhe arkeologjik i kësaj qendre arbërore mund të nxjerrë fakte të panjohura deri më sot për Principatën e Kastriotëve.