Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka marrë në dorëzim me qindra prova sa i takon aferave që kanë bërë gjyqtarët dhe prokurorët në sistemin e drejtësisë. Shumë shpejt do të dalin rezultatet e para për 93 emrat prioritarë dhe dhjetra emra do të penalizohen nga vetë qytetarët, të cilët janë ndëshkuar padrejtësisht, ose kanë qenë bashkëpunëtorë në korrupsionin e tyre. Gazeta ka mësuar se pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit kanë mbërritur plot 622 denoncime, që prej muajit tetor e deri më tani. Muaji ku ka pasur vrull denoncimesh është muaji dhjetor.
Sipas të dhënave, në tetor pranë KPK janë depozituar vetëm 2 denoncime, në nëntor 112 denoncime, në dhjetor 321 denoncime dhe në janar 187 denoncime. Gazeta ka mësuar se numri më i madh i denoncimeve ka qenë për çështje civile, e kryesisht çështje pronësie. Ka me dhjetra qytetarë që pretendojnë se u janë shkelur të drejtat dhe vendimi është marrë në mënyrë jo të drejtë. Këta persona kanë denoncuar vetëm vendimet që ka marrë gjykata dhe kjo e ka vënë në vështirësi komisionin, i cili nuk ka të drejtë të vendosë për rihapje të çështjeve.
Por pas disa apeleve të bëra nga KPK se çdo denoncim duhet shoqëruar me prova, mësohet se ka dhe nga ata që kanë depozituar fakte që implikojnë emra të rëndë- sishëm të gjyqësorit dhe prokurorisë shqiptare. Një burim i rëndësishëm i tha gazetës se janë depozituar foto, video, por edhe dëshmi që tregojnë raste korrupsioni. Ka dhe nga ato denoncime ku qytetarët tregojnë me detaje gjithë rrjetin e përfshirë në skemat e korrupsionit, që nga sekserët e deri te emri i gjyqtarit. Sipas ligjit çdo lloj akuze duhet të shoqërohet me fakte.
Një pjesë e madhe nuk zotërojnë fakte të tilla, por ka dhe nga ata që kanë regjistrime audio-video dhe përmes tyre rrezikohen shumë emra. Mësohet se procesi i verifikimeve të denoncimeve po ndikon dhe te vonesa për rezultatet e emrave prioritarë. Nga ana tjetër, procesi i verifikimit ndodhet në fazë përfundimtare dhe komisioni po verifikon 5 vendimet e zgjedhura me short për gjyqtarët dhe prokurorët.
Parashikimet në ligj
Në ligjin e vetingut u jepet një rëndësi shumë e madhe denoncimeve të qytetarëve. Që kur u hartua ligji, në Komisionin e Reformës në Drejtësi u tha hapur se ndërkombëtarët shpresat i kishin te qytetarët, pasi kishte dyshime se vetë gjyqtarët apo prokurorët vendimet i kanë kopsitur nga ana ligjore dhe është e vështirë të gjesh shkelje.
“Çdo person që vjen në dijeni të fakteve ose rrethanave që mund të përbëjnë prova në lidhje me kriteret e rivlerësimit ka të drejtë të informojë drejtpërdrejt institucionet e rivlerësimit. Institucioni i rivlerësimit është i detyruar të kontrollojë nëse informacioni është dhënë nga një person i njohur ose anonim. Informacioni duhet të përmbajë përshkrimin e të dhënave për të vlerësuar shkeljen ligjore, sipas kritereve të rivlerësimit, veçanërisht për veprimin ose praktikën e dyshuar, pasojat ligjore, rrethanat për faktet që krijojnë bindjen se ka pasur shkelje ligjore, si dhe të dhënat mbi identitetin e personit.
Heqja dorë e personit nga raportimi nuk sjell pushimin e hetimit, nëse Komisioni ose Kolegji i Apelimit çmon se veprimi ose praktika e dyshuar përmbajnë shkaqe të mjaftueshme për fillimin e hetimit kryesisht”, thuhet në ligj. Po ashtu aty përmendet dhe bashkëpunëtori i drejtësisë ku një qytetar që ka marrë pjesë në dhënien apo marrjen e parave mund të denoncojë gjithçka dhe do sigurojë mbrojtje nga shteti. Sipas burimeve të gazetës ka shumë nga ata që e kanë pranuar diçka të tillë./ Sot