Presidenti i Republikës, Ilir Meta ktheu ditën e djeshme sërish mbrapsht ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati sa i takon negociatave mes Shqipërisë dhe Greqisë. Kjo është hera e dytë që Ilir Meta nuk i jep plotfuqishmërinë Bushatit për të vijuar me bisedimet me shtetin grek për paktin e ri detar dhe çështje të tjera sensitive. Herën e parë kreu i shtetit vendosi të bllokojë negociatat, teksa si argument për këtë qëndrim dha mungesën e informacioneve dhe të transparencës.
Ndërkohë, sipas burimeve, të njëjtën gjë Ilir Meta e ka bërë edhe dje, duke i kthyer përsëri përgjigje negative ministrit socialist për plotfuqishmërinë. Ai ka vendosur që përmes një letre me 9 faqe të nisur në orët e mbrëmjes drejt Ministrisë së Jashtme të kthejë përsëri kërkesën e Ditmir Bushatit për autorizim për negociatat me shtetin fqinj. Një gjë të tillë e ka bërë të ditur edhe vetë Presidenti, i cili gjatë një interviste televizive e pranoi se MEPJ ka reflektuar, por kërkesa duhet të plotësohet më tej.
Sipas informacioneve, Presidenti nuk i ka konsideruar si të mjaftueshme informacionet e dërguara së fundmi nga Ditmir Bushati, teksa bëhet me dije se Meta është i pakënaqur me detajet e takimeve kokë më kokë që ministri jonë ka kryer me homologun e tij grek. Madje sipas tij, në dosjen shtesë të dërguar nga Bushati mungonin edhe platforma e bisedimeve, strategjia, titulli dhe objekti i negociatave, informacionet mbi hapësirat detare. Ai ka theksuar se mes negociatorëve duhet të ketë më shumë ekspertë. Me pak fjalë, Meta ka kërkuar të njëjtat gjëra si herën e parë, duke përsëritur kërkesën nga e para.
Meta i përgjigjet Berishës
Përmes kësaj lëvizjeje, Presidenti Ilir Meta iu përgjigj drejtpërdrejtë apelit të bërë nga ish-kryeministri Sali Berisha dy ditë më parë. Ky i fundit shpërtheu në akuza kundër kolonel Artur Meçollarit dhe iu drejtua publikisht Metës që të zbatojë Kushtetutën dhe duke i dërguar mesazhe të heshtura që duhet të bllokojë sërish bisedimet me shtetin grek.
Ndërsa ditën e djeshme Presidenti siç duket ka vendosur t’i përgjigjet pozitivisht këtij apeli, duke e kthyer mbrapsht përsëri ministrin Bushati. Nga kjo lëvizje faktohet edhe një herë aleanca mes ish-kryeministrit dhe Metës, pasi edhe herën e parë kreu i shtetit bllokoi negociatat pas bisedimeve që pati me ish-presidentët e tjerë, mes tyre edhe me Sali Berishën.
Bllokimi i mëparshëm
Disa ditë më parë Ditmir Bushati, në zbatim të Kushtetutës, iu drejtua Presidentit të Republikës, Ilir Meta me një shkresë ku i kërkonte plotfuqishmërinë për negociatat me Greqinë. Por Meta vendosi t’i përgjigjej negativisht Bushatit, duke deklaruar në kundërpërgjigjen e tij se kishte mungesë transparence dhe informacioni. Ai evidentoi 3 çështje që sipas tij kishin nevojë për rishikim: objekti i negociatave, të dhëna konkrete se çfarë do të diskutohet mes palëve dhe mungesa e negociatorëve. Pas kësaj Bushati i dërgoi një dosje voluminoze, ku përfshiheshin edhe emrat e 12 negociatorëve, por pavarësisht kësaj, Meta e konsideroi të pamjaftueshëm informacionin e marrë./Sot