Autoritetet greke kanë sekuestruar një ngarkesë të madhe droge që po transportohej me një peshkarexhë në Kretë.
Katër shtetas sirianë u arrestuan, teksa qëndronin brenda në peshkarexhë.
“Protothema” ka publikuar pamjet e aksionit në det të forcave speciale greke, që ndaluan peshkarexhën. Ata kishin marrë informacion se kjo anije peshkimi po tranportonte kanabis dhe po e mbanin nën vëzhgim, deri ditën e premte kur u zhvillua operacioni.
Pamjet tregojnë skafin e policisë greke, i cili ndjek peshkarexhën dhe ngjitjen e oficerëve të policisë në bordin e saj për të marrë kontrollin.
Sipas informacioneve të shtypit grek, peshkarexha mendohet të jetë nisur nga Qipro me destinacion portin e një vendi evropian.