News24’ dhe ‘BalkanWeb’ kanë qëne sot në banesën 4 katëshe të Dejvid Lalës, 17-vjeçarit që qëlloi me thikë për vdekje bashkëmoshatarin e tij Anxhelo Gjokazajn një ditë më parë. Ngjarja e rëndë ndodhi në Spitallë të Durrësit. Në gjendje të dëshpëruar, me lot në sy, dy prindërit e tij, Artiri dhe Mimoza, treguan se si e kishin marrë vesh ngjarjen e rëndë. Mimoza gjatë bashkëbisedimit me gazetaren tonë Klodjana Haxhiaj, tha se tri vite më parë kishte humbur djalin e saj të madh 17-vjeçar, Frenkin, i cili u hodh nga tarraca e shtëpisë.
Ajo tha se: “Vdekja e Angelos prej dorës së djalit im është një vdekje e dytë për familjen tonë. Unë nuk e dua më jetën. Për çfarë ta dua më jetën pas kësaj? Unë qaj si nëna e Anxhelos sot dhe ndjej të njëjtën dhimbje. Nuk e di si djali im që ishte nxënës i shkëlqyer ka bërë këtë gjë, që as nuk merret dot me mend nga ne”, tha Mimoza duke vënë kujën. Babai i Dejvit, Artiri, edhe ai i mbytur në lot e dëshpërim, i kërkoi falje familjes së Anxhelos. “Shpirtërisht jemi pranë tyre në këtë ditë të zezë të shkaktuar nga djali jonë. Ju lutem që të pranojnë ngushëllimet tona si prindër, që e kemi vuajtur dhe e vuajmë këtë ngjarje të rëndë. Djali jonë të marrë dënimin e merituar, siç e parashikon ligji. Kemi çuar 5 njerëz që ti kërkojmë falje për t’i shprehur ngushëllimet tona për këtë humbje të madhe. Akoma s’kanë kthyer përgjigje”, tha ai.
Po ashtu babai i autorit të dyshuar tregon se kishte qenë një fqinji i tij që i kishte treguar se djali kishte plagosur me thikë një bashkëmoshatar. Mes të tjerash ai shtoi se gjatë takimit me djalin e tij në polici, ky i fundit i kishte thënë se kishte qenë Anxhelo që i kishte qëlluar i pari.
“Në mori një komshiu im në telefon dhe më tha se ka plagosur një djalë nga lagja me thikë. Shkova vet në polici dhe i thash djalit ça ke bërë kështu dhe më tha; ‘O ba ai më qëlloi i pari dhe nuk e di sesi ndodhi më pas. Thikën e bleva tre ditë më parë.’ Djali im të dënohet, skam asnjë kundërshtim për këtë.”, theksoi ai.
TRI VITE MË PARË TJETËR TRAGJEDI
Artiri, në gjendje të dëshpëruar për të treguar sesa vuan prej tri vitesh familja e tyre humbjen e djalit 17-vjeçar, i tregon gazetares tonë dhomën e gjumit të tre djemve. Gazetarja Haxhiaj tha se në dhomën e gjumit gjenden tre shtretër, në mes të tyre është fotografia e Frenkit, kompleti i tij sportiv, librat, dhe sendet e tij personale të hapura. Në të dy krahët e dhomës, janë dy krevatet e djemve të tjerë. Babai i përlotur thotë se që prej vdekjes së Frenkit, asnjë prej dy djemve, Dejvi dhe më i vogli nuk flenë më në dhomën e tyre, por me nënën. “Mora psikologë, por as terapia nuk ka funksionuar”, tha ai.f.f