Kryetari i Partisë Demokratike, ka marrë sot fjalën në Kuvend, dhe e ka shfrytëzuar pothuaj të gjithë kohën në dispozicion, për të sulmuar edhe një herë policinë, pas aksionit të kapjes prej saj të një sasie rekord kokaine.
Pasi ka sulmuar kryeministrin dhe ministrin e brendshëm, kryetari i opozitës, i cili qysh prej ditës kur operacioni përfundoi me sukses, nuk ka reshtur së sulmuari policinë e shtetit, u ka ofruar deputetëve në sallën e Kuvendit, si dhe qytetarëve, një udhërrëfyes të shkurtër të mënyrës se si funksionon trafiku i drogës, me një qartësi dhe saktësi që do ia kishin zili edhe trafikantët më të sprovuar.
“180 milionë euro?! 300 mijë euro për kg, tregon se bëhet fjalë për kokainë të pastër. Pra që duhet prerë, duhet të përzihet me substanca të tjera përpara se të hidhet në treg. Pra duhej të përpunohej në një laborator…”, ka thënë mes të tjerash Basha.
Kryetari i opozitës, ka deklaruar gjithashtu plot siguri se “kjo drogë nuk është e Arbrit”, edhe pse hetimet për drogën e kapur nga ana e autoriteteve vazhdojnë.
Më tej, Basha ka vazhduar me deklaratat kontradiktore që kanë shoqëruar daljet e tij nga momenti kur u kap kokaina, ku nga njëra anë sulmon policinë e shtetit përse e lejojnë drogën dhe nga ana tjetër sulmon po këto autoritete, përse e kapën drogën./Lexo.al