Autoriteti i Konkurencës ka gjobitur me rreth 48 milionë lekë dy kompanitë celulare Vodafon dhe Telekom për shkelje të rëndë të konkurencës. Në vendimin e marrë në muajin shkurt por të publikuar vetëm 2 ditë më parë, thuhet se AK ka konstatuar mospërmbushjen e detyrimeve të vendosura nga Komisioni i Konkurrencës me Vendimin Nr. 475, datë 21.09.2017 nga ndërmarrjet “Vodafone Albania” SHA dhe “Telekom Albania” SHA, ndaj dhe këto dy kompani gjobiten për shkelje të rëndë të konkurrencës, në masën 0.02 % të xhiros së secilës ndërmarrjeje për vitin paraardhës financiar, përkatësisht në shumën 3 011 173 lekë për Vodafone Albania dhe në shumë 1 779 108 lekë për ndërmarrjen “Telekom Albania”. Pra të dy kompanitë celulare janë gjobitur në total me afro 48 milionë lekë të vjetra.
Shkeljet e 2 kompanive celulare:
Në vendimin Nr. 475, Datë 21.09.2017, Autoriteti i Konkurencës u kërkonte kompanive që operojnë në tregun e telefonisë celulare që brenda 90 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi të merrnin masa për aplikimin dhe publikimin e çmimit për njësi për çdo shërbim (lekë/min., lekë/sms, lekë/MB, etj.) që përmbajnë paketat standarde, duke informuar Autoritetin e Konkurrencës. Po në këtë vendim, AK bëri me dije se do të fuste nën monitorim tregun me pakicë të shërbimeve celulare për një periudhë 1 vjeçare, duke filluar nga data 1 tetor 2017, pra një muaj pas këtij vendimi. AK kërkoi që gjatë periudhës së monitorimit, kompanitë celulare të njoftojnë paraprakisht pranë Autoritetit të Konkurrencës të gjitha ndryshimet e kryera në paketa standarde, oferta promocionale, tarifa standarde, etj., që do të hedhin në treg. Mesa duket kompanitë celulare nuk i kanë plotësuar kërkesat e AK, për çka dhe janë ndëshkuar me gjobë. AK thotë në vendimin e publikuar 2 ditë më parë se kompanitë Vodafon dhe Telekom kanë shkelur nenin 74 të Ligjit Nr. 9121/2003. Por çfarë parashikon ky nen? “Komisioni vendos gjoba, në masën deri në 10 për qind të xhiros së ndërmarrjes, të vitit financiar paraardhës, për çdo ndërmarrje pjesëmarrëse që: shkel nenet 4 e 9 të këtij ligji; nuk zbaton vendimin për marrjen e masave të përkohshme, sipas nenit 44; nuk përmbush kushtet dhe detyrimet në mbështetje të një vendimi të marrë, sipas neneve 45, 50 pika 2, 56, 57 dhe 60 pika 2 të këtij ligji; realizon një përqendrim i cili ka efekte të kufizimit të konkurrencës në treg, duke mos respektuar detyrimin e nenit 14, përveç rastit kur realizimi i përqendrimit është autorizuar shprehimisht, sipas nenit 60 të këtij ligji; realizon një përqendrim të ndaluar nga Komisioni ose nuk merr masat e nevojshme për rivendosjen e konkurrencës, sipas nenit 62 të këtij ligji”, thuhet në nenin 74 të ligjit Nr.9121, Datë 28.7.2003, për mbrojtjen e konkurrencës./SOT