Dashuria kushton. Duke marrë shkas nga 14 shkurti, Dita e Shën Valentinit që në Shqipëri, si çdo festë e “importuar”, ka marrë trajtë tjetër, një çift shqiptar nuk e kalon më këtë ditë vetëm me një trëndafil.
Fatura është rritur aq shumë, sa kushton më pak të jesh “single”, siç publikon “Monitor”. Sipas një përllogaritje të të gjithë sektorëve ku është fokusuar më tepër vëmendja e dhuratave të çifteve, 14 shkurti kushton jo më pak se 200 euro…
Në ditën e Shën Valentin, qindra çifte do të mendojnë të shkojnë në darkë në një restorant, të blejnë një tufë me trëndafila dhe t’i japin njëri-tjetrit dhurata, ndër të cilat bizhuteritë apo parfumet kryesojnë. Si rezultat, çmimet e këtyre produkteve, veçanërisht darkat apo lulet, do të rriten. Kërkesën për Ditën e Shën Valentinit, ekonomistët e quajnë “çmim joelastik”, që do të thotë se rritjet e mëdha në çmim kanë vetëm një efekt të vogël zbutës në kërkesë. Shumë pak meshkuj do të guxojnë të shfaqen pa trëndafila të kuq, të cilat tani kushtojnë dy herë më shumë se sa në një ditë të zakonshme – jo nëse duan të mbajnë raportin e tyre “gjallë”. Edhe kërkesat për restorante kanë qenë të larta vitet e fundit.
Harrojini vetëm shëtitjet nga Liqeni i Tiranës. Sipas bizneseve, mendohet të rezervohet të paktën një muaj më parë nëse dëshironi një restorant të mirë dhe një menu të personalizuar. Zgjedhjet janë të larmishme. Përveç luleve, ëmbëlsirave, një darkë në një restorant në kryeqytet ose jashtë saj, më pas vjen dhurata. Ajo përfshin shumë sektorë, duke filluar nga kujdesi personal, deri te veshjet, udhëtimet, një kupon për t’u shpenzuar diku, bizhuteri etj. Më të privilegjuarat janë femrat, por nuk mungojnë edhe dhuratat për meshkujt.
Lule
Trëndafili është kurorëzuar prej vitesh si zgjedhja kryesore e dhuratave për Shën Valentinin. Dhe ndërsa mendohet se nuk mund të hiqet si opsion dhurate, vitet e fundit operatorët në këtë fushë pohojnë se përzgjedhja ka nisur të jetë më e sofistikuar. Sipas Stela Kordallit, e cila drejton një dyqan lulesh në Rrugën e Durrësit, trëndafili i kuq kryeson kërkesat.
Megjithatë, ajo pohon se trendi i trëndafilave të balsamosur me ngjyra të ndryshme, si në filmin “E bukura dhe Bisha”, ka rrëzuar disi popullaritetin e trëndafilave të thjeshtë. Një ndër kërkesat në rritje për festën dashurisë, sipas saj, është arredimi i një ambienti të caktuar, si një surprizë në çift, qoftë një ambient i jashtëm apo edhe vetë shtëpia. Sipas një numri dyqanesh të kontaktuar në kryeqytet, kosto mesatare e një buqete lulesh shkon 5000 lekë. Një shitëse në bulevardin “Gjergj Fishta” pohon se ende nuk janë “zhdukur” kërkesat për një trëndafil ose lule tjetër të vetme.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se importet e luleve janë rritur vit pas viti, duke kulmuar në shkurt, mars (për fesëtn e 8 marsit) dhe në verë, kur është periudhë dasmash. Rekordin, lulet e importuara e shënuan në 2017-n, duke u rritur me 27% me bazë vjetore. Në 2018-n, ato arritën në 7.5 milionë euro, duke rënë me 10% me bazë vjetore, një tendencë rënëse që shënohet për herë të parë të paktën në 10 vitet e fundit.
Ndryshe nga lulet natyrale, ato artificiale kanë pasur tendencë rritëse prej 17.5% në 2018-n, ndonëse në vlerë shumë më të ulët se natyralet.
Kujdesi personal
Kujdesi personal mendohet se zë një vend shumë të rëndësishëm në shpenzimet e femrave dhe çdo festë, sikurse edhe 14 shkurti, e dëshmon këtë. Kërkesat për t’i bërë partneres një dhuratë të tillë këtë vit kanë qenë të shumta. Përfaqësuesja e “Tutte Estetica” në kryeqytet pohon se edhe këtë vit, kur krijuan paketat për Shën Valentin, menduan që të ofronin një gamë të gjerë të shërbimeve: spa, masazhe, trajtime të ndryshime estetike, me qëllim që të kenë interes të gjerë.
Prej disa vitesh, edhe në qendra të tjera të sektorit të bukurisë dhe Spa-së, paketat ofrohen në çift, ose edhe të personalizuara për meshkuj. Kërkesat për të tilla paketa janë në rritje prej vitesh, duke rrëzuar mitin e dhuratave të zakonshme për meshkujt. Paketat nisin nga 4000 lekë personi ose në ofertë 6000 lekë në çift. Drejtuesit e këtyre qendrave pohojnë se kjo nuk është dhurata e vetme që ata i bëjnë njëri-tjetrit.
Kujdesi për veten është shtuar tek shqiptarët vit pas viti. Këtë e tregojnë dhe të dhënat e INSTAT për produktet e kozmetikës, tualetit dhe parfumeve, që shënojnë rritje të ndjeshme dy shifrore çdo vit. Në vitin 2018, importet e këtij grupi arritën në gati 60 milionë euro, nga 26 milionë euro që ishin 10 vjet më parë.
Fotografia
Si një shërbim i ri dhe tepër në modë vitet e fundit, fotografia ka nisur të përdoret edhe si dhuratë për festën e të dashuruarve. Njëri nga partnerët i bën dhuratë tjetrit ose në çift një shërbim fotografik profesional. Ky shërbim ka qenë aq i kërkuar vitet e fundit, sa nga Ciak Shop pohojnë se prej rreth 4 vjetësh, çdo shkurt ndryshojnë aksesorët ose skenografinë e studios. Jonida Thomaj, drejtuese e studios, thotë se paketat për festë personalizohen dhe ofrohen me çmime që variojnë 4500-10.000 lekë, në varësi të skenografisë dhe të numrit të pjesëmarrësve (në rastin e një familjeje). Sipas saj, shqiptarët nuk kanë reshtur ndër vite, sidomos të rinjtë, të bëjnë dhurata të personalizuara. Stampimi i një fotoje, një filxhan, një kornizë, një gdhendje etj., dhuratë e cila shkon në 2500 lekë. Sipas Jonidës, femrat janë më të prirura të bëjnë dhurata të tilla ose të prenotojnë setin fotografik.
Veshjet
Festa e Shën Valentinit, sipas përfaqësuesve të shumë dyqaneve të shitjeve me pakicë, shërben si periudhë për të gjurmuar ulje të mëdha në veshje dhe këpucë. Përfaqësues të një dyqani në rrugën “21 Dhjetori”, thonë se dikur ka qenë më e zakonshme të shikoje një çift të afroheshin në dyqan për të bërë një veshje dhuratë në këtë ditë. Sot, festat janë shpesh nxitje për të bërë oferta të leverdishme për të tërhequr klientë. Prej më shumë se 5 vitesh, në dyqan bëhet ulje dhe kjo është nxitja që femrat të shkojnë të blejnë, ndërsa janë të rralla rastet kur meshkujt marrin produkte për to. Mesatarja e shpenzimeve, sipas saj, është 5000 lekë për një veshje.
Restorante
Oferta të shumta nisën të “bombardojnë” rrjetet sociale por edhe reklamat në televizione të ndryshme, për formën se si një çift duhet ta kalojë Ditën e Shën Valentinit. Përveç një vakti në një restorant, paketat këtë vit ofronin edhe muzikë live të personalizuar në tavolinë apo edhe fjetjen në rastin e një hoteli ose resorti. Përfaqësues të një resorti në periferi të Tiranës, na thanë se darka e Ditës së të Dashuruarve, së bashku me fjetjen dhe mëngjesin e nesërm kushtonte 70 euro.
Përfaqësues nga Resorti Nano Food pohuan se prenotimet kanë qenë të shumta. Gjithashtu, në Hotel Bel Konti në Shkëmbin e Kavajës në Durrës ka pasur mjaft interes paketa e tyre për ditën e të dashuruarve, 84 euro/çifti, për darkën, fjetjen dhe mëngjesin. Sipas tyre, forma të tilla prenotimi janë më të leverdishme dhe janë modele të ngjashme të huaja që janë aplikuar ndër vite.
Udhëtime
Edhe për Shën Valentin, rajoni është preferuar shumë, duke marrë në konsideratë prenotimet paraprake nga të dhënat e tre agjencive në kryeqytet. Kolashini ka qenë tepër i preferuar, pasi një çift, me një kosto prej 110 euro/çifti kalojnë 14 shkurtin aty dhe gjithashtu, të nesërmen e përdorin si një kohë të përshtatshme për ski. Një tjetër udhëtim ka qenë Budapesti, i cili ndonëse me kosto më të larta se në janar, edhe në messhkurt ka ofruar mundësi të mira, me rreth 150 euro person/3 ditë.
Parisi nuk kishte se si të mungonte në ofertat e 14 shkurtit. Sipas agjencive, Parisi ka qenë më i lirë këtë vit dhe kanë pasur prenotime edhe nga grupe shoqërore, veçse çifteve. Kostoja ka variuar te 250 euro për person për 3 ditë. Venecia dhe Verona, dy destinacione italiane, prej vitesh janë zgjedhur për Shën Valentin. Udhëtimet në këto destinacione kanë qenë tepër të kërkuara dhe agjencitë pohojnë mesatarisht çmime te 220 euro për person/ 3 ditë.
Bizhuteri
Bizhuteritë mund të konsiderohen pa frikë ‘mbretëresha’ e përzgjedhjes së dhuratave. Sipas përfaqësuesve të AltinBas, edhe këtë vit kërkesat kanë qenë të larta për bizhuteri me diamante. Ata thonë se kanë qenë të kërkuara një numër unazash në vlerën e 500 euro.
Gama e blerjeve ka qenë e ndryshme ashtu sikurse edhe vlera, duke nisur nga një byzylyk i thjeshtë në flori 14 karatësh, 59 euro, e deri tek unazat apo kompletet me varëse 1000 euro.
Ka edhe kështu…
Partneri/ja por kërkon që më 14 shkurt t’i tregosh që ka ende për të përmirësuar? Ka nga ata që për Shën Valentin dhurojnë kuponë për palestër. Disa palestra në kryeqytet tregojnë se kanë pasur flukse prenotimesh përpara javës së 14 shkurtit. Kjo ka përkuar edhe me periudhën e zakonshme të prenotimeve që përgatiten për sezonin veror. Megjithatë, ata raportojnë shitje të larta të kuponëve të abonimeve për palestër, si dhurata për femrat. Çmimi i një kuponi të tillë varion 2500-4500 lekë në muaj.
Këtë vit kanë qenë të habitshme shërbimet kirurgjikale. E kishit menduar ndonjëherë të merrni dhuratë për Shën Valentin një ndërhyrje për hundën ose buzët? Në disa klinika në kryeqytet ka pasur paketa promocionale si 150 euro/filler i buzëve që ka tërhequr vëmendjen për t’u konsideruar si dhuratë dashurie.
Ndryshojnë përzgjedhjet kur çiftet janë të martuar ose bashkëjetojnë prej vitesh. Sipas hulumtimeve, një ofertë interesante ka qenë shumë e përzgjedhur për këtë Shën Valentin: shërbime pastrimi profesionale për shtëpinë. Siç duket, gratë do ta vlerësonin më shumë këtë se sa një tufë trëndafilash. Nga agjencia “Ndihma Plus” tregojnë se kuponi i vlefshëm prej 5000 lekë/pastrim profesional i shtëpisë, ka qenë shumë i kërkuar, sidomos në fundjavën përpara 14 shkurtit.
Kostoja e Shën Valentinit
Për shumë çifte, Dita e Shën Valentinit është një datë e rëndësishme në kalendarin e tyre, pasi bëhet fjalë për një festë për dashurinë. Për shumë çifte, kjo do të sillte prenotime udhëtimesh romantike, darka të shijshme në restorantet më të mira, apo shkëmbime dhuratash të veçanta. Për të tjerë, është një ditë e bezdisshme, shpesh e shtrenjtë, por që nuk kanë zgjidhje tjetër. Sa u përket sektorëve që përfitojnë nga kjo festë, do të thotë burim të ardhurash, p.sh. restorantet, bizhuteritë dhe industrisë turistike.
“Forbes” shkruan se vetëm 55% e amerikanëve e festuan Ditën e Shën Valentinit në vitin 2018, sipas Federatës Kombëtare të Pakicave (NRF), megjithatë vijon të jetë fitimprurës për ekonominë e SHBA. NRF vlerëson se këtë vit, shpenzimet e planifikuara të Ditës së Shën Valentinit do të jenë 19.6 miliardë dollarë, në rritje krahasuar me vitin e kaluar.
Një amerikan do të shpenzojë mesatarisht 143.56 dollarë, më shumë se 136.57 dollarë të shpenzuara vitin e kaluar, por më pak se 146.84 dollarë të regjistruara në vitin 2016. Pa dyshim, pjesa më e madhe e shpenzimeve do të jetë për njerëz të rëndësishëm, e dashura ose bashkëshortja. Njerëz të tjerë në listën e dhuratave të këtij viti përfshijnë anëtarë të familjes, mësues, miq, kafshë shtëpiake, madje edhe bashkëpunëtorë/ortakë. Kategoritë me shpenzime më të larta do të jenë për bizhuteri (4.7 miliardë dollarë), një mbrëmje romantike (3.7 miliardë dollarë) dhe lule (2 miliardë dollarë).
Studimi, burrat shpenzojnë më shumë se gratë
Sipas një studimi të fundit, burrat presin të shpenzojnë shumë më tepër se gratë në Ditën e Shën Valentinit. Dita e Shën Valentinit ka të bëjë me festimin e dashurisë që për fat të keq, mund të vijë me një çmim. Sipas një studimi të Bankrate.com publikuar javën e parë të shkurtit, 69% e amerikanëve planifikojnë të shpenzojnë para për partneren e tyre për 14 shkurtin. Anketa, e kryer në janar, pyeti 1.019 njerëz në mbarë vendin për planet e Ditës së Shën Valentinit. Ndër ata që janë të gatshëm të shpenzojnë për dhurata, shpenzimi mesatar është 200 dollarë.
Jo të gjithë kanë të njëjtin buxhet për Ditën e Shën Valentinit. Shpenzimet e ndryshojnë midis burrave dhe grave, moshës, madje edhe shteteve. Meshkujt priren të jenë shpenzuesit më të mëdhenj, me pritshmëri të lartë për pushimet romantike, shkruan studimi. Mesatarisht, burrat planifikojnë të shpenzojnë 339 dollarë për partneren e tyre dhe presin që partnerja e tyre të shpenzojë 211 dollarë për to, ndërsa gratë thonë se do të shpenzojnë vetëm 64 dollarë dhe presin 154 dollarë nga partnerët e tyre.
Një tjetër studim nga LendingTree nxjerr në pah një hendek të ngjashëm shpenzimesh midis burrave dhe grave. Burrat e anketuar nga LendingTree planifikojnë të shpenzojnë mesatarisht 95 dollarë në Ditën e Shën Valentinit, e cila është më shumë se dyfishi i 41 dollarëve që gratë planifikojnë të shpenzojnë.
Në sondazhin e Bankrate, të rinjtë të moshave 23-29 vjeç kanë më shumë gjasa të shpenzojnë para dhe presin që partneri i tyre të shpenzojë për ta për Ditën e Shën Valentinit dhe shpenzimi mesatar i tyre do të jetë 266 dollarë. Analisti i bankës Kelly Anne Smith thotë se kjo është për shkak se “millennials” kanë më shumë gjasa të preken nga trendet dhe të famshmit në rrjetet sociale dhe zakonisht kanë më pak përgjegjësi financiare sesa gjeneratat e vjetra.
Treguesi i Valutave të vitit 2019 të Bankrate tregon se shpenzimet për festën e Shën Valentinit që përfshijnë çokollatat, diamantet, trëndafilat, faturat e restoranteve do të kushtojë 617.77 dollarë, duke u rritur me 6% nga viti i kaluar. Zakonet e shpenzimeve të ditës së Shën Valentinit ndryshojnë edhe në bazë të fazës së një marrëdhënieje dhe vendndodhjes. Anketa e LendingTree tregon se çiftet e reja janë më bujare kur bëhet fjalë për shpenzimet në Ditën e Shën Valentinit, shumë më të larta sesa çiftet e martuara. Sipas Bankrate, shtetet në lindje të Amerikës kanë më pak të ngjarë të shpenzojnë para, ndër të cilat 60% planifikojnë të shpenzojnë për partnerin e tyre, krahasuar me 74% të të intervistuarve në Amerikën e Jugut, të cilët thonë se do të shpenzojnë para Ditën e Shën Valentinit.
Studiuesi Smith i Bankrate thotë se disa njerëz festojnë edhe festën një ditë pas Ditës së Shën Valentinit për të ulur koston. Ajo sugjeron që njerëzit nuk kanë nevojë të shpenzojnë shumë për të marrë pjesë në festimin e Ditës së Shën Valentinit për sa kohë që çiftet komunikojnë.
“Është e rëndësishme që çiftet të kenë një bisedë të hapur rreth pritjes”, tha Smith. “Ata mund të vendosin për një shifër së bashku duke u larguar nga kurthi i shpenzimeve”./Monitor