Protesta e Astirit është në ditën e 108-të të saj. Banorët protestojnë për anulimin e ligjit të projektit të “Unazës së Madhe”i cili prek shtëpitë e tyre.
Gjatë gjithë protestës së tyre banorët janë mbështetur nga opozita dhe nga deputeti demokrat Klevis Balliu i cili gjatë fjalës së tij foli edhe për vendimin e marrë nga PD për djegien e mandateve.
Sipas Balliut, PD nuk mund të ishte në Parlament me 21 Shkurt kur me 16 shkurt e gjithë Shqipëria ishte në shesh.
Më tej Balliu u shpreh se qytetarët janë të gatshëm të japin edhe jetën për të mbrojtur shtëpitë e njëri- tjetrit.
“Revolta që ka nisur nuk është një revoltë që bëhet për interesa politike. Këtë gjë e dëshmon vendimi unanim i Grupit Parlamentar për djegien e mandateve. Partia Demokratike nuk mund të toleronte që gjithë Shqipëria të ishte në shesh me datë 16 shkurt ndërsa me 21 Shkurt ne të ishim në Parlament. Jo. Ne jemi me Parlamentin e popullit. Ne jemi sot të barabartë me ju, pa imunitet dhe në krahun tuaj duke mbështetur njëri-tjetrin.
Jemi të gatshëm të japim edhe jetën për të mbrojtur shtëpitë e njëri-tjetrit. Se çfarë do të bëjë Edi Rama nuk po pyet kush. Edi Rama merr vendimin sot, jep dorëheqjen sepse ti nuk e di se çfarë janë të aftë të të bëjnë shqiptarët”,-u shpreh deputeti Klevis Balliu.