Veliaj: “Nesër bileta e autobusit falas për nënat dhe vajzat”
Nikolla: “Mirënjohje për të gjithë mësuesit e Shqipërisë”
Ndryshe nga vitet e kaluara, këtë 7 Mars qindra nxënës të shkollave të kryeqytetit zgjodhën që t’u shprehin mirënjohjen mësuesve të tyre duke mbjellë pemë. Sot mori formë “Shtegu i dijes”, një hapësirë me pemë kushtuar mësuesve të Tiranës në Parkun e Liqenit.
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj dhe ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, së bashku me mësues të dalë në pension dhe nxënës të shkollave të kryeqytetit, i uruan “Gëzuar 7 Marsin” të gjithë mësuesve. “Jam shumë i lumtur që sot u urojmë të gjithë mësuesve të Shqipërisë, por sidomos atyre të Tiranës, Gëzuar Festën e 7 Marsit! Më vjen mirë që shumë shkolla të Tiranës na u bashkuan, jo vetëm në oborret e tyre, por edhe këtu në Parkun e Liqenit, ku shumë nxënës po i kushtojnë një pemë mësuesve të tyre; një pemë, e cila do të jetë këtu me dhjetra vite, si një dhuratë afatgjatë dhe shenjë emancipimi e shoqërisë sonë”, u shpreh Veliaj.
Ministria e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla falenderoi kryebashkiakun për modelin e suksesit që ka dhënë në krye të punëve të qytetit dhe për ndërtimin e shkollave të reja. “Jam shumë krenare që kam mundësinë të jem sot në krahë të këtyre mësuesve të talentuar dhe t’u uroj të gjithëve ‘Gëzuar 7 Marsin’. Faleminderit Erion dhe lejomë që në emër të të gjithë skuadrës së arsimit të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, të të falenderojmë nga zemra për modelin e suksesit në krye të punëve të qytetit, për sa shumë ke bërë për shkollën, mësuesit, nxënësit, për të ardhmen”, tha ministrja Nikolla.
Ndërkaq, nesër është Festa e 8 Marsit dhe Bashkia e Tiranës ka një dhuratë për të gjitha gratë dhe vajzat e qytetit: transporti publik do të jetë falas për to. “Nesër zonjat dhe zonjushat e kryeqytetit do ta kenë biletën falas nëse përdorin transportin publik. E di që kemi ende shumë rrugë për të bërë me transportin publik, por kjo është një mënyrë për të kujtuar të gjitha zonjat dhe zonjushat që vetëm e zbukurojnë këtë qytet dhe mbajnë familjet tona në këmbë”, u shpreh Veliaj.
Kreu i Bashkisë së Tiranës shtoi se shkollat e reja që do të ndërtohen do të ofrojnë kushte komode për nxënësit. “Këtë vit do të shtojmë shkollat e reja në Tiranë. Shkolla “Kosova” hapet në shtator, me kapacitet të trefishuar, si shkollë model e qytetit tonë. Shkolla e muzikës “Servete Maçi”, do të hapet gjithashtu këtë vit. Ndërkohë, sa kemi mbyllur garën e parë për shkollat e reja. Janë shkolla model, do të jenë të hapura 24 orë, si shkolla komunitare. Pesë të parat do t’i fillojmë në pranverë, pesë të tjera në verë dhe pesë në vjeshtë, për ta mbyllur njëherë e mirë çështjen e mësimit me dy turne në Tiranë”, deklaroi Veliaj.
Ai vlerësoi faktin që shumë shkolla të Tiranës iu bashkuan nismës së bashkisë për shtimin e sipërfaqeve të gjelbra në qytet, duke krijuar një mjedis të shëndetshëm për fëmijët. “Sot edhe unë mbolla një pemë për ish-mësuesen time, Polikseni Ndrenikën. Ajo fatkeqësisht nuk jeton më, por ia kushtoj asaj durimin dhe fokusin te puna dhe jo te zhurma. Porosia e zysh Polit ka qenë gjithnjë: fokusohu të mbarosh detyrat. Besoj se porosia e saj është shumë e rëndësishme edhe sot: të fokusohemi tek gjërat e rëndësishme, të kryejmë detyrat tona, sepse zhurmën dhe gjërat që na bëhen pengesë i sqaron koha”, u shpreh Veliaj.
Me rastin e Festës së 7 Marsit, kompania “Prodata” ka dhuruar pemë mimozash në 11 shkolla të 11 Njësive Administrative të Tiranës, të cilat u mbollën nga nxënësit.