Partia Demokratike fshehu pagesa prej më shumë se gjysmë milionë dollarë për një kompani lobimi në Uashington dhe dështoi të bënte transparencë në KQZ, ndërkohë që njëra prej transfertave rezulton të jetë bërë nga një kompanie guackë me aksionerë anonimë e regjistruar në parajsa fiskale.
Nga Besar Likmeta
Në prag të fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit, Partia Demokratike e udhëhequr nga Lulzim Basha lidhi dy kontrata me lobistin e saj në Uashington, ‘Stonington Strategies’, në mënyrë që të siguronte takime të nivelit të lartë me administratën e Presidentit Donald Trump.
Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se pagesat për kompaninë e lobimit u bënë nëpërmjet dy kontratave të lidhura në fund të marsit nga Partia Demokratike dhe një kompani guackë e regjistruar në Skoci me emrin “Biniatta Trade LP”- të cilat kapin një vlerë totale prej 675 mijë USD dhe ku përfshihen tarifat mujore të firmës si dhe pagesat për shpenzimet e saj.
Kontrata e drejtpërdrejtë e PD-së me “Stonington Strategies” është raportuar në Departamentin e Drejtësisë në SHBA që në muajin mars, ndërsa kontrata me “Biniatta Trade LP’ është mbajtur e fshehur për disa muaj dhe është raportuar në mesin e muajit nëntor.
Nëpërmjet këtyre pagesave të majme, “Stonington Strategies” ka kërkur dhe planifikuar takime për lidershipin demokrat me zyrtarë të stafit të presidentit amerikan, Donald Trump, anëtarë të Kongresit si dhe ka ndërmarrë kontakte në median amerikane – përfshirë një intervistë të kreut të PD-së, Lulzim Basha me portalin e “Breitbart News”.
Më 14 nëntor 2017, “Stonington Strategies” raportoi në Departamentin e Drejtësisë se ka marrë dy pagesa nga Partia Demokratike me vlerë totale 525 mijë USD dhe një pagesë të tretë nga “Biniatta Trade LP” në vlerën e 150 mijë USD.
Asnjëra prej këtyre pagesave nuk rezulton e deklaruar në raportin financiar të dorëzuar nga PD në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për zgjedhjet e 25 qershorit, çka ngre dyshime serioze për origjinën e parave.
Gjithashtu, mbetet e paqartë se cila është marrëdhënia mes Partisë Demokratike dhe kompanisë ‘Biniatta Trade LP,’ e cila është në pronësi të një zinxhiri kompanish të regjistruara në Belizë- nje shtet i Amerikës Qendrore i njohur si parajsë fiskale.
Përveç dy kontratave të lidhura me ‘Stonington Strategies,’ gjatë të njëjtës peridhë PD ka lidhur edhe një kontratë me kompaninë lobiste “Barnes and Thornburg LLP” në fillim të prillit me vlerë 150 mijë USD.
Në total, shpenzimet e Partisë Demokratike për lobistët në Uashington për peridhën mars- qershor kapin vlerën e 825 mijë USD- më e lartë se të ardhurat totale që Partia Demokratike deklaroi në KQZ.
E pyetur nga BIRN për kontratat e mësipërme, Partia Demokratike mohoi si pagesat në vlerën e 525 mijë USD për “Stonington Strategies” ashtu edhe çdo marrëdhënie financiare me kompaninë guackë “Biniatta Trade LP”. PD i tha BIRN se kishte paguar 125 mijë USD gjithsej për kontratat e saj të lobimit.
Pavarësisht se Shqipëria është një vend i vogël me ekonomi të dobët, partitë politike shqiptare nuk kursehen në pagesat e tyre të majme për lobistët e Uashingtonit. Njësoj si Partia Demokratike, edhe Partia Socialiste apo Lëvizja Socialiste për Integrim kanë pasur kontrata lobimi aktive gjatë vitit 2017, me vlerë qindra mijëra dollarë.
‘Stoningon Strategies’-lobuesi i padeklaruar nga PD në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve është pjesë e kompanisë lobuese ‘Muzin Capitol Partners’ – e regjistruar në Maryland të SHBA-ve.
Muzin Capitol Partners LLC është themeluar nga Nicolas Muzin, një këshilltar strategjik dhe zëvendës-shef shtabi për senatorin Republikan, Ted Cruz gjatë fushatës së tij për President në vitin 2016. I trajnuar si mjek dhe jurist, Nick Muzin ka punuar gjithashtu si shef stafi i senatorit Tim Scott, kur ky i fundit ishte në pozicionin e kongresmenit.
Më 22 Mars, gjatë njërës prej vizitave të tij në Uashington, lideri i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka firmosur një kontratë me kompaninë e lobimit “Stonington Strategies” me vlerë 25 mijë USD në muaj për një periudhë tre mujore.
Sipas të dhënave të deklaruara nga “Muzin Capital Partners LLC” në Departamentin e Drejtësisë në SHBA, qëllimi i kësaj kontrate ishte “projektimi dhe implementimi” i fushatës së Partisë Demokratike për zgjedhjet parlamentare; promovimi i qëllimeve të Partisë Demokratike në media dhe pranë bizneseve dhe figurave politike në SHBA. Gjithashtu “Muzin Capitol Partners” raporton se do ta ndihmojë Partinë Demokratike në krijimin e një lëvizjeje konservatore në Shqipëri.
Pavarësisht se “Muzin Capital Partners LLC” ka raportuar në Departamentin e Drejtësisë pagesa 525 mijë USD nga Partia Demokratike, kjo e fundit i tha BIRN se e kishte paguar këtë lobues me vetëm 25 mijë USD.
“Për Muzin Capitol Partners u pagua një herë 25 mijë USD nga Partia Demokratike. Për “Barnes and Thornburg LLP u pagua dy herë nga 50 mijë USD nga Opozita e Bashkuar,” u përgjigj zëdhënësja e PD-së për BIRN.
Dy ditë para se të firmoste kontratën me Bashën, më 20 Mars, “Muzin Capitol Partners’ ka nënshkruar një kontratë me kompaninë guackë ‘Biniatta Trade LP’, e cila angazhohet të paguajë 450 mijë USD për një periudhë tre mujore si dhe një pagesë shtesë prej 500 mijë USD për sigurimin e disa takimeve ose pjesmarrje në evente në Uashington D.C.
Kontrata nuk e përmend Partinë Demokratike dhe ka si qëllim të deklaruar promovim e rolit të bizneseve shqiptaro-amerikane në SHBA, hulumtimin e suksesit ekonomik të Shqipërisë në Europë dhe promovimin e marrëdhënieve financiare dhe të tregtisë midis Shqipërisë dhe SHBA. Në të përmendet gjithashtu promovimi i muajit të historisë Shqiptare në disa shtete të SHBA-ve, si dhe vënien e theksit mbi kontributin e diasporës shqiptare.
Megjithatë, të dhënat e raportuara më 14 nëntor nga ‘Muzin Capitol Partners” në Departamentin e Drejtësisë tregojnë se “Biniatta Trade LP” e ka kompensuar atë me një vlerë prej 150 mijë USD për aktivitetet e ndërmarra në emër të Partisë Demokratike të Shqipërisë, për të promovuar lidershipin konservator në Shqipëri dhe marrëdhëniet e biznesit mes SHBA-së dhe Shqipërisë.
E pyetur për marrëdhëniet me kompaninë “Biniatta Trade LP”, Partia Demokratike mohoi çdo lidhje me të.
“Partia Demokratike nuk ka patur dhe nuk ka asnjë marrëdhënie financiare me asnjë entitet tjetër në lidhje me këto dy angazhime,” u përgjigj ajo.
Pagesat e Partisë Demokratike dhe ajo e kompanisë ‘Bianiatta’ nuk përkojnë me kontratat respektive, çfarë ngrenë dyshime se ato mund të kenë pasur të njëjtin qëllim – sigurimin e takimeve për liderët demokratë në Uashington.
Për të zbatuar dy kontratat, ‘Muzin Capitol Partners’ deklaron gjithashtu se ka bërë një sërë pagesash me vlerë 103,109 USD ndaj katër kompanive të tjera të konsulencës si “Baron Public Affairs”, AFH Associates, WBC dhe Burke Farah LLP.
Kontrata mes ‘Stonington Strategies’ dhe ‘Biniatta Trade LP” ekspozon faktin se kjo e fundit është e regjistruar në Edinburg të Skocisë. Të dhënat e siguruara nga BIRN në regjistrin britanik të biznesit “Company House,” tregon se ajo ka një kapital prej 100 paundësh britanikë dhe është në pronësi të dy kompanive, Asverro Corporation dhe Liminez Commerce Inc- të dyja të regjistruara në Belizë.
Në të njëjtën adresë me “Biniatta Trade LP” në Edinburg (Suite 2 5, St Vincent Street) janë të regjistruara edhe të paktën 1200 kompani të tjera.
Në raportin e saj për Departamentin e Drejtësisë në SHBA, ‘Muzin Capitol Partners’ nuk jep detaje për shërbimet që ka kryer për llogari të kompanisë “Biniatta Trade LP.” Ndryshe është raporti për Partinë Demokratike, ku ajo shprehet se ka ndërmarrë kontakte me pjestarë të ‘ekzekutivit dhe Kongresit’ si dhe median, me qëllim promovim e Partisë Demokratike dhe të “lëvizjes konservatore në Shqipëri”.
Në emër të Partisë Demokratike, “Muzin Capitol Partners” deklaron se ka realizuar takime me tre anëtarë të kongresit, Ed Royce, Pete Sessions dhe Michael Mcaul, gjatë vizitës së Bashës në Mars në Uashington. Takimet e Bashës me tre kongresmenët konfirmohen dhe nga një artikull i botuar në portalin “Breitbart News,” i cili sipas të dhënave është mundësuar gjithashtu nga kompania lobuese.
Sipas të dhënat të deklaruara, ‘Muzin Capital Partners’ ka tentuar t’i sigurojë Bashës dhe disa takime të tjera me kongresmenë dhe pjestarë të ekzekutivit në SHBA, përfshirë një takim me Steve Bannon- ish këshilltari strategjik i presidentit Donald Trump dhe drejtor ekzekutiv i ‘Breitbart News.’
Pagesat e Partisë Demokratike për ‘Muzin Capitol Partners’ nuk përfshihen në raportin e saj të shpenzimeve elektorale për zgjedhjet e 25 qershorit të dorëzuar në KQZ.
Në këtë raport, Partia Demokratike ka deklaruar vetëm pagesat për dy kontrata lobimi me kompaninë “Barnes and Thornburg LLP” në vlerën e 12 585 000 lekëve.
PD deklaroi se dy kompanitë e mësipërme lobuese u angazhuan për ndërgjegjësimin e zyrtarëve amerikanë për kauzën e zgjedhjeve të lira dhe luftën kundër krimit dhe drogës, në kohën kur Partia Demokratike dhe aleatët e saj ndodheshin në protestën 90 ditore përpara Kryeministrisë.
Partia Demokratike këmbënguli se i kishte deklaruar të tria pagesat në KQZ.
“Të tre këto pagesa janë kryer nga llogaria bankare e Partisë Demokratike dhe janë deklaruar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve,” u përgjigj PD.
Nëse merren në total, pagesat e konsulencës së PD-së për Muzin Capitol Partners dhe kompaninë tjetër lobuese “Barnes and Thornburg LLP” tejkalojnë të ardhurat e saj totale të deklaruara në KQZ-së prej 88 milionë lekësh.
Një pjesë e mirë e këtyre të ardhurave, më shumë se 58 milionë, partia e djathtë e udhëhequr nga Basha pretendon se i shpenzoi për fushatën zgjedhore, duke lënë pas dyshime mbi origjinën e parave që shërbyen për të paguar faturat milionëshe për dy kompanitë e mësipërme lobuese.
*Botuar më 22 nëntor 2017