Kryeministri Rama ka reaguar pas artikullit të “Mother Jones” lidhur me ndërhyrjen e mundshme të Rusisë në zgjedhjet shqiptare të 2017-s, duke paguar edhe lobimin e Lulzim Bashës në SHBA. Duke e cilësuar këtë situatë si “mishmash” ai kërkon hetime për ta zbardhur deri në fund këtë histori.
Që është një mishmash financiar xhepash të errët, kjo nuk diskutohet sepse vetë mishmashi provohet edhe nga dy prononcime krejt të kundërta, në harkun e 3 muajve nga i zoti i mishmashit;
Që është një mishmash në shkelje të hapur me pasoja penale të disa ligjeve të vendit, as kjo nuk diskutohet dhe për këtë mjafton të dëgjosh qoftë edhe vetëm këto dy prononcime krejt kontradiktore;
Që është e habitshme që të gjenden disa rusë bujarë (dhe jo vetëm rusë) që të nxjerrin nga xhepat e tyre gjysëm milionë dollarë për një parti shqiptare, as kjo nuk diskutohet që e bën mishmashin edhe më skandaloz, ligjërisht e politikisht!
Por që kjo histori s’mund të mbyllet pa u zbardhur deri në fund, nëse ka apo jo, interferenca malinje forcash të huaja për ta përdorur opozitën shqiptare në funksion të cënimit të imazhit të Shqipërisë (drogëdrogëdrogëkrimkrimkrim), me qëllim pengimin e procesit të integrimit europian dhe destabilizimin e vendit, kjo është absolutisht e padiskutueshme!
Shqipëria nuk mund të merret dot peng nga askush dhe shqiptarët pa dallim partie, nuk e meritojnë këtë mishmash papërgjegjshmërie politike, ligjore dhe kombëtare.