Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i ka dërguar një letër Prokurorisë, teksa kjo e fundit e kishte thirrur sot për ta pyetur lidhur me lobimin në SHBA, por që lideri i opozitës ndodhet në Bruksel.
Në letër Basha i ka shpjeguar të gjitha arsyet se përse nuk shkon askush nga PD-ja dhe sesi po përdoret politikisht Prokuroria për propagandën e kryeministrit Edi Rama.
“Kërkesa është e panevojshme, e pambështetur në ligj dhe e pambështetur në asnjë standard profesional dhe etik të hetimit. Asnjë nga PD nuk është nën hetim apo i pandehur, prandaj nuk ka nevojë dhe nuk keni as detyrim të na informoni për përgjigje që i keni marrë para 6 muajsh.
Fakti që një ftesë e tillë vjen 6 muaj pas marrjes së informacionit, në një kohë kur ka nisur një fushatë keqinformimi, na bën të mendojmë se veprimi juaj është bërë jo për qëllime hetimore, por për shërbime propagandistike. Kërkesa është e panevojshme, e pambështetur në ligj dhe në asnjë standard profesional dhe etik të hetimit”, shkruan Basha në letër.