Gjykata për Krimet e Rënda ka shtyrë sot seancën paraprake për Saimir Tahirin dhe tre ish-zyrtarët e Policisë së Vlorës. Shkak është bërë fakti se tre të akuzuarit e tjerë nuk janë njoftuar. E ndërsa Tahiri nuk pranoi që të bënte asnjë koment, avokati i tij, Maks Haxhia, pasi e cilësoi mungesë profesionalizmi paralajmëroi se mund të kërkojë gjykim të shkurtuar.
“Akoma nuk kemi vendosur. Por nëse do vazhdojë kështu kalvari i zgjatjeve do të detyrohemi ta bëjmë kërkesën me gjykim të shkurtuar sepse gjithë materiali që ne kemi parë në 57 kapituj, fashikujt e dosjeve në ngarkim të Tahirit dhe të tjerëve, nuk ka asnjë provë që të implikojë Tahirin, që të çojë në ngritjen dhe bazueshmërin e akuzave për të cilat ai është sjellë në për gjykim.
Nuk ka letërporosi ishte abuzim dhe keqdashje në çështjen Tahiri nga analistë të qëllimshem dhe të pozicionuar. Nuk ka 8 por 2 letërporosi që nuk kanë të bëjnë me akuzat”, deklaroi Haxhia.
Ndërsa ish-Ministri e Brendshëm nuk dha asnjë deklaratë për mediat pas daljes nga Gjykata e Krimeve të Rënda.
Seanca tjetër gjyqësore për Tahirin është caktuar në datë 26 mars në orën 10:00. Më 28 shkurt, Prokuroria për Krime të Rënda mbylli hetimet dhe çoi dosjen e Saimir Tahirit në Gjykatë me akuzën për “Trafikim të lëndëve narkotike” në kuadër të grupit të strukturuar kriminal “Habilaj” dhe “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”.