Thellohet skandali me dy vëllezërit indianë të kërkuar për pastrim parash. Presidenti Ilir Meta ka pranuar dje publikisht se u ka dhënë nënshtetësi shqiptare dy vëllezërve Nitin Sandesara dhe Chetankumar Sandesara, edhe pse ata ishin në kërkim ndërkombëtar për një skemë pastrimi parash prej 725 milionë dollarësh amerikanë. Para të cilat janë investuar për të ndërtuar në Shqipëri. Gjatë ditëve të fundit kanë dalë në dritë prova të qarta se si ata janë ndihmuar hapur nga njerëz të veshur me pushtet.
I pari është presidenti Ilir Meta. Më 6 shkurt të vitit 2018 presidenti u dha nënshtetësinë shqiptare dy emrave të mësipërm. Sipas ligjit për nënshtetësinë shqiptare, ajo merret kur shtetasi i huaj është mbi 18 vjeç dhe ka jetuar 5 vitet e fundit në Shqipëri. Dy indianët nuk e plotësonin këtë kusht. Në nenin 9 thuhet po ashtu se nuk duhet të jenë të dënuar, ndërkohë që indianët janë në kërkim në të gjithë botën, pas një urdhri të lëshuar nga India. Por, Ilir Meta ka përdorur një tjetër teknikë, duke tejkaluar të gjitha procedurat e tjera.
Ai ka përdorur nenin 7 ku thuhet se nënshtetësia jepet kur shteti shqiptar ka interesa ekonomike, kulturore etj. “Janë zbatuar procedurat ligjore bazuar në pikën 7, të nenit 9 të ligjit nr. 8389, datë 05.08.1998 “Për shtetësinë shqiptare” të ndryshuar, me propozimin e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, “për shkak të eksperiencës në investime dhe historikut të sipërmarrjeve të suksesshme jashtë Republikës së Shqipërisë dhe për shkak të angazhimit të tyre për realizimin e investimeve të rëndësishme elitare në vendin tonë”.
Bazuar në pikën 6, të nenit 9 të ligjit për shtetësinë, janë bërë verifikimet përkatëse nga agjencia ligjzbatuese nga e cila nuk kanë rezultuar të dhëna problematike për dhënien e shtetësisë shqiptare”, njoftoi dje Presidenca. Pra propozimi ka ardhur nga ministri Blendi Klosi, ndërsa më pas është Meta ai i cili i ka vënë kapak.
Përgjegjësia e Metës
Ndonëse ministri i Mjedisit dhe Turizmit ka propozuar dhënien e nënshtetësisë, Presidenti është ai që ka përgjegjësinë kryesore, pasi duhet të bëjë verifikime të shumta. Pika 6 e nenit 9 e ndalon nënshtetësinë nëse ta përbëjnë cenim të sigurisë. Duke qenë se janë mashtrues dhe kërkohen nga e gjithë bota, atëherë ata përbëjnë rrezik për vendin dhe nuk duhet ta merrnin nënshtetësinë pavarësisht propozimit të ministrit të Turizmit.
Presidenti thotë se ka kryer verifikime, por është ai që në fund vulos nënshtetësinë dhe faktet tregojnë se ai i ka favorizuar indianët, edhe pse kërkohen në të gjithë botën.
Pastrimi i parave
Dy vëllezërit Sandesara kanë qenë pronarët e kompanisë farmaceutike Sterling Biotech. Përgjatë viteve 2008-2011 ata kanë marrë mbi 725 milionë dollarë kredi nga disa banka shtetërore të Indisë, para të cilat nuk kanë shkuar në llogarinë e Sterling, por janë zhdukur përmes një rrjeti prej 300 kompanish offshore të ngritura nga vetë ata. Gjithçka u zbulua në 2018, kur një prej drejtorëve të bankave iu kap një pagesë ryshfet dhënë nga dy vëllezërit.
Vëllezërit Sandesara dhe dy drejtuesit e kompanive të tyre u shpallën në kërkim nga drejtësia indiane por mundën të arratiseshin për në Emiratet e Bashkuara. Nga Emiratet e Bashkuara, Nitin Sandesara shkon në Nigeri dhe aty është emëruar Konsull Nderi i Shqipërisë, në një kohë kur ministër i Jashtëm ishte Ditmir Bushati. Pas kësaj detyre, ai dhe vëllai i tij marrin nënshtetësinë shqiptare në mënyrë shumë të mistershme. Më pas ata nisën të investojnë në vendin tonë. Vëllezërit Sandesara, mesa duket kanë gjetur terrenin dhe lidhjet e duhura në Shqipëri për të vazhduar skemën e tyre duke u kthyer në ndërtues pallatesh. Ata kanë investuar dhe janë duke investuar në Tiranë dhe Dhërmi.
Sapo erdhën në Shqipëri në fundvitin e 2017-ës, ngritën dy kompani ndërtimi, “Tulja Real Estate” dhe “Laxmi Real Estate” të cilat i kanë regjistruar edhe në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB). Ata figurojnë ortakë edhe në resortin “Drymades Dream” që po ndërtohet në Dhërmi. Por duket qartë se në këtë lojë ka shumë pushtetarë të përfshirë. Sipas raporteve të DASH dhe Moneyval, por dhe të Drejtorisë së Pastrimit të Parave, sektori i ndërtimit është më i prekuri nga pastrimi i parave.
Faktet tregojnë se ata kanë gjetur mbështetje në nivele shumë të larta politike. Ai që u ka dhënë ndihmën në të madhe është Presidenti, pasi me anë të nënshtetësisë ata kanë pasur lirshmëri. Pra duket se presidenti, përveç sulmeve ndaj amerikanëve dhe flirteve me rusët, duket se ka pasur kontakte me indianë. Por burime të gazetës thanë se ka dhe shumë emra të tjerë në lojë, që do dalin shumë shpejt në dritë, nga të gjitha forcat politike. /Kliti Topalli