Tentativa e Bashës për të drejtuar listat e kandidatëve për deputetë me figura qytetare të panjohura për bazën nuk dha rezultat dhe thelloi humbjen e PD-së në zgjedhje.
Ky është një nga konkluzionet që disa degë të rëndë- sishme në rrethe i kanë përcjellë kryetarit të PD-së në raportet e analizës për zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit. Në zyrën e kreut të PD-së janë depozituar 53 raporte me analizën e bërë në secilën degë.
Burime pranë selisë blu sqarojnë për “Panorama” se kreu i PD-së ka zhvilluar takime personale në dy muajt e fundit me secilin prej të deleguarve në degë për hartimin e raporteve për analizën, duke mos krijuar një raport final përmbledhës të arsyeve të humbjes së PD-së në zgjedhje.
“Panorama” ka mundur të verifikojë raportet e disa prej degëve më të mëdha të PD-së në Tiranë dhe rrethe dhe ka evidentuar shqetësimet kryesore të bazës, drejtuar kreut të PD-së.
Në raportet e analizës së humbjes në zgjedhje, krahas shqetësimeve të përsëritura për blerje të votave dhe presioneve të forta nga administrata shtetërore për sigurimin e votave, kreu i PD-së, Lulzim Basha, shihet si përgjegjës për një seri çështjesh që sollën edhe humbjen e thellë të demokratëve në 25 qershor.
SHKAQET
Në disa prej raporteve të degëve të PD-së, lista e kandidatëve të përzgjedhur nga Basha për deputetë, shihen të papërshtatshëm. Sipas raportimeve që kanë bërë të deleguarit në degë, Basha ka dështuar në tentativën e tij për të drejtuar listat me figura qytetare, duke mënjanuar figurat politike të PD-së.
Sipas bazës së partisë, figurat e reja të përzgjedhura nga Basha dhe të vendosur në krye të listave kishin kohë të pamjaftueshme për t’u njohur dhe nuk ishin bindës për një pjesë të madhe të demokratëve për të dalë në zgjedhje. Në analizë janë shprehur edhe konsiderata për grupin “antiBasha”. Sipas raporteve që i janë paraqitur Bashës për qarqet Korçë dhe Vlorë, dy figurat kryesore në krye të Lëvizjes për ringritjen e PD-së, Ridvan Bode dhe Astrit Patozi kanë marrë kritika të ashpra për qëndrimet e mbajtura para dhe pas zgjedhjeve.
Në disa faqe të raporteve, Basha informohet nga baza se ishdrejtues lokalë të degëve dhe ish-funksionarë lokalë që janë zgjedhur në kohën e qeverisjes së djathtë në 25 qershor kanë ndihmuar kundërshtarin politik. Një situatë e tillë është reflektuar kryesisht në raportet e përgatitura për qarqet Vlorë, Korçë, Durrës dhe Shkodër.
Por baza e demokratëve në disa qarqe të vendit ka pasur kritika për mospërfshirjen e ish-nënkryetares së PD-së, Jozefina Topalli, në listat e kandidatëve për deputetë nga Basha. Në raporte është bërë edhe një analizë statistikore ku ka rezultuar se në seksionet e shumë fshatrave vihet re një lëvizje e votës nga PD në drejtim të PS, ndërsa në zonat urbane demokratët e pakënaqur kanë zgjedhur të mos shkojnë në kutitë e votimit.
Basha kritikohet edhe për ndryshimin e retorikës politike nga çadra në fushatën zgjedhore. Në këto raporte, Bashës i kërkohet të mos bëjë një koalicion me LSI-në, duke kujtuar se demokratët ende po vuajnë pasojat e qeverisjes 2009-2013.
1.BLERJA E VOTUESVE
Paratë e prodhuara nga biznesi kriminal i kultivimit të lëndëve narkotike kishin ndikim kryesor në blerjen e votuesve për zgjedhjet e 25 qershorit. Fenomeni i blerjes së zgjedhësve ka qenë më i theksuar në zonat rurale dhe më pak në zonat urbane. Njerëzit e angazhuar në kultivimin dhe biznesin e drogës u kthyen në një ushtri elektorale të padukshme.
2.PUNËSIMET
Shumë ministra të qeverisë, të deleguar prej muajsh si drejtues qarqesh, punësuan me qindra persona, të cilët për muaj me radhë siguruan vota për PS. Pjesa më e madhe e ministrave e përdorën pushtetin e tyre për të ushtruar presion në institucionet e varësisë në dikasteret që drejtonin, pavarësisht se disa prej tyre ishin zëvendësuar nga ministrat teknikë.
3.LISTA “BASHA”
Lista e kandidatëve ishte e papërshtatshme. Shumë prej figurave të forta politike u lanë jashtë ose u vendosën në pozicione periferike në listë. Tentativa e Bashës për të drejtuar listën me figura qytetare nuk dha rezultatin, madje në shumë raste e paralizoi strukturën partiake. Struktura në pamundësi për të parë lidershipin e saj në terren humbi orientimin dhe motivimin, për t’u angazhuar dhe për të marrë pjesë në votime.
4.FIGURAT E REJA
Koha e shkurtër për të bërë fushatë sidomos në zonat rurale u bë problematike për figurat e reja të cilat nuk njiheshin. Prezantimi i këtyre figurave kërkoi kohë, pasi shumë prej tyre nuk dilnin nga strukturat politike dhe nuk arritën të prezantoheshin te zgjedhësit.
5.MUNGESA E ISH-DREJTUESVE DHE ROLI I TYRE
Mungesa e ish-nënkryetares së PD-së, Jozefina Topalli, në listë shihet si një vendim i gabuar. Kryetari i Partisë duhet të gjente hapësira për të përdorur disa nga kontribuuesit dhe themeluesit e PD-së në shërbim të partisë. Ndërkohë që shumë prej ishfunksionarëve që sot bëjnë rezistencë bashkë me ish-drejtues lokalë të degëve dhe ish-funksionarë lokalë që janë zgjedhur në kohën e qeverisjes së PD-së kanë ndihmuar kundërshtarin politik. Situata më e theksuar në qarqet Vlorë, Korçë, Durrës dhe Shkodër.
6.FUSHATË E GABUAR
Baza e kishte të vështirë të kuptonte drejtimin që duhet të mbante, duke iu referuar qëndrimeve të kryetarit të Partisë. Në shumë raste u kuptua sikur pas zgjedhjeve parlamentare, PD do të qeveriste me Edi Ramën.
7.MESAZHI I GABUAR
Baza, e cila u investua për një periudhë 3 mujore në çadrën e lirisë, nuk e mbështeti uljen e toneve ndaj qeverisë nga kryetari Lulzim Basha. Nga retorika e fortë dhe agresive e përdorur për 3 muaj në çadër, fushata kishte një reduktim të fortë të akuzave. Në fushatë nuk u përmend droga dhe korrupsioni, duke krijuar perceptimin se kjo është një fushatë e kompleksuar për kreun e partisë.
8.HARXHIMI I ENERGJIVE NË ÇADËR
Kur strukturat e partisë ishte në çadër, kundërshtari punonte për fushatën zgjedhore. Përqendrimi i energjive në çadër la zbuluar terrenin dhe ndikoi në rezultatin e zgjedhjeve.
9.POZICIONIMI ME LSI
Gjatë fushatës, u akuza më shumë LSI sesa PS. Ndërkohë që sot flitet për një koalicion të ri me LSI-në. Është e nevojshme që kjo forcë politike të japë prova që është në opozitë, pasi në shumë zona (rasti i Beratit) strukturat e PD-së vuajnë presionin e pushtetit nga drejtuesit lokalë të LSI-së.
10.DOBËSIA NË STRUKTURA
Shumë prej degëve më të mëdha kanë paraqitur fiktivitet të lartë. Anëtarësia e lartë që figuron në regjistra nuk është angazhuar dhe ka dhënë mundësi për rritjen e rezultatit nga kundërshtari. Gjithashtu shumë degë u riorganizuan me shumë vonesë (rastet e degëve Durrës dhe Dibër).
Burimi: Gazeta Panorama