Greqia nuk është më vendi i qetë dhe në progres. Këtë e dëshmojnë edhe ndeshjet e futbollit, ku njësoj si në Shqipëri presidentët e klubeve futen me armë në fushën e lojës. Kështu, qyteti i Selanikut në Greqi bëhet sërish protagonist, teksa për të dytën herë brenda pak ditësh nuk arrin të përfundojë një ndeshje futbolli. Nën një atmosferë fantastike të krijuar nga tifozët e PAOK-ut, para dhe gjatë ndeshjes me AEK-un, rivalin direkt për titull, takimi u ndërpre pikërisht në minutën e 90’, kur kishte mbetur për t’u diskutuar vetëm shtesa. Ka mjaftuar një gol i vendasve në minutën e 90’, që fillimisht u anulua dhe më pas u akordua nga arbitri, që situata të agravohej dhe u bë e pamundur që të vijonte takimi. Për këtë arsye të dy skuadrat u tërhoqën në dhomat e zhveshjes, teksa pavarësisht tentativave për të rifilluar, skuadra e AEK-ut refuzoi të dalë në fushë.