Kryetari i nostalgjikëve kosovarë, Remzi Hasani ka kërkuar rikthimin e eshtrave të Enver Hoxhës dhe të shokëve të tij, në monumentin “Nënë Shqipëri”. Ai ka kërcënuar se nëqoftëse nuk ndodh diçka e tillë do të ankohen kundër vandalizmit të monumenteve në Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë, në UNESCO, Strasburg dhe OKB.
Hasani, i cili është njëri nga adhuruesit më të mëdhenj të figurës dhe veprimtarisë së Enver Hoxhës, kërkesën e ka bërë në emër të LPSH-KVE-së.
DEKLARATA
Lëvizja Popullore Shqiptare për mbrojtjen dhe kultivimin e veprës revolucionare të shokut Enver Hoxha
Letër e hapur kryeparlamentarit të Shqipërisë z.Gramoz Ruçit.
I ktheni eshtrat e Enver Hoxhës dhe të tjerëve në monumentin nënë Shqipëri ose në të kundërtën do të ankohemi kundër vandalizmit të monumenteve prej gjykatës kushtetuese të Shqipërisë deri në UNESCO Strasburg dhe OKB.
I nderuari Z.kryeparlamentar në emër të enveristëve kosovarë, i bëjë apel shkëlqesisë suaj dhe parlamentit të Shqipërisë që në afatin sa më të shkurtër që të jetë e mundur, me vendim parlamentar t’i riktheni eshtrat e Enver Hoxhës, dëshmorëve të Shqipërisë dhe njerëzve të mëdhenj të atdheut, te varrezat e dëshmorëve të kombit, në monumentin nënë Shqipëri. Siç është e njohur botërisht z. kryeparlamentar kur shovinistët serb në vitet 90-ta, në mënyrën më klasike e pushtuan Kosovën, ata pasi vranë e prangosën me mijëra shqiptarë kosovarë, filluan publikisht t’i rrëzojnë përdhe edhe shtatoret dhe monumentet e lavdishme të shqiptarëve jashtë trungut etnik. Për fat të keq në ato rrethana, nëntoka serbe stuhishëm depërtoi edhe në Shqipëri, sepse edhe atje gjeti një lugat serb të tipit të Ali Shkuriut e Rrahman Morinës, por që ky quhej Sali Berisha. Kjo fundërrinë serbe siç e keni të njohur edhe ju bëri që në vitet 90-ta Shqipëria të merrte flakë dhe të digjej në zjarr të cilit pa mëshirshëm po i frynte propaganda demagogjike e asaj dekade. Kazma e shkatërrimit të vendit po gumëzhinte si vullkan. Fill pasi Shqipëria u shkrrye në baltë, sulmi vazhdoi edhe për ta djegë e denigruar edhe historinë e lavdishme të saj.
Nëntoka serbe e shpërfaqur në Shqipëri përmes frymës së Berishës nuk kishte të ndalur. Ajo për t’u hedhur si shpëtimtare e vetme e shqiptarëve e filloi edhe zhvarrimin e dëshmorëve dhe njerëzve të mëdhenj të atdheut, për t’i vendosur aty më pastaj eshtrat e banditëve të demokracisë. Kujtoj Z.kryeparlamentar se ju më mirë se çdo kush tjetër e keni të ditur se ato veprime përpos që ishin të paligjshme, ishin edhe një terror klasik i historisë së popullit dhe vendit tonë. Z.kryeparlamentar ne kujtojmë se të bësh një padrejtësi në dëm të atdheut dhe historisë më të lavdishme të popullit tënd siç ishte ai që e bëri Berisha, është një krim i rëndë, i dënueshëm dhe shumë i kushtueshëm për një popull. Por edhe të mos evitosh një përbuzje monstruoze që i është bërë historisë më të përgjakshme dhe më të lavdishme të popullit tënd nëse të është dhënë rasti historik, është e pafalshme. Është në dorën tuaj që t’i jepni zgjidhjen e merituar kësaj çështje. Nuk do të ishte e drejtë që me 29 Nëntor të shkoni te varrezat e dëshmorëve të kombit, të përuleni dhe t’i vlerësoni ato në piedestal dhe në anën tjetër të shpërfillni plejadën udhëheqëse të asaj lufte, sepse këtë nuk e dëshiron Berisha me aradhën e tij të shkatërruesve të Shqipërisë.
Zotëri kryeparlamentar në rrethanat kur kryexhelatit të Shqipërisë, Ahmet Zogolli-t i janë kthyer eshtrat në atdhe dhe i bëhet nderim i lartë, e i cili te shqiptarët është i njohur si njeriu që shiti Shën Naumin dhe Vërmoshin dhe me ndihmën e kralit të Serbisë- Nikolla Pashiq, dhunshëm erdhi në pushtet edhe në kohën kur Shqipëria po hynte në fazën e pushtimit fashist, ky monark faqezi, akoma pa u dëgjuar krisma e parë e pushtimit , mblodhi thesarin kombëtar, e vodhi atë dhe si me kalvar dasmorësh, ia mbathi jashtë qiellit të Shqipërisë. Ndërsa varësit e tij që kishin ngelur në atdhe, pa kaluar 24 orë u vunë në shërbim të fashizmit. Sot në vendin që ju e administroni fatkeqësisht ju thuren epitete lavdie, e në anën tjetër janë të prangosur dhe të hedhur në humnerë ato djem dhe vajza të cilët jetën e tyre e mbollën në flakën e çlirimit të Shqipërisë, e kjo për ne është një aventurë e pafalshme për shoqërinë dhe institucionet e shtetit shqiptar. Ne nuk na bën përshtypje qëndrimi i Berishës për vlerësimin që ai u bën njerëzve të cilët gjithmonë e mbanin të ndezur idenë e çlirimit dhe ndërtimit të Shqipërisë, sepse ai që në vitet 90-ta mbi supe e kishte hedhur petkun e zi të demokracisë fashiste në Shqipëri. Fundja tradhtarët s’kanë vlera tjera për t’i përfillur, përpos tradhtisë. Nuk është çudi që nga ajo elitë zuzarësh një ditë do t’i kthehen kockat në Shqipëri edhe Esat Pashë Toptanit, e t’i hidhen në humnerë Avni Rrustemit.
Ne sa për suitën e Berishës e kemi tërësisht të qartë se ai për shqiptarët përbënte një epokë edhe më të përgjakshme se ajo e pushtimit fashist. Por me dorën në zemër presim nga ju Z.kryeparlamentar që të rregulloni atë që mund të rregullohet në këto rrethana, pasi edhe rrjedha e juaj familjare edhe e formacionit politik që e udhëhiqni mund të themi se janë shpresë e Shqipërisë.
Z.kryeparlamentar aktualisht qeveria juaj po e negocion çështjen e heqjes së gjendjes së luftës me Greqinë. Është bërë e ditur se pala greke në mes tjerash kërkon si kusht për suprimimin e luftës ngritjen e varrezave për ushtarët grekë të rënë në Shqipëri, mandej edhe për ata ushtarë që u vranë në luftë për pushtimin e Shqipërisë.
Konsiderojmë se sot t’u bësh varreza dhe t’u ngresh monumente lavdie pushtuesve të Shqipërisë dhe në anën tjetër t’i mbash të shkulur nga varrezat e dëshmorëve të kombit personalitetet si: Enver Hoxha, Hysni Kapo, Gogo Nushi, Vasil Shanto, Kajo Karajfili etj është një përbuzje tmerruese e luftës dhe historisë moderne të popullit tonë, por njëkohësisht edhe një praktikë e dënueshme nga gjeneratat e tashme dhe të ardhme të popullit shqiptar. Shpresoj se do të dëshmosh me veprime konkrete se së pari jeni udhëheqës dinjitoz i vendit tuaj, e mandej aq sa respektoheni edhe t’i respektoni ndërkombëtarët. Besojmë fuqishëm se e keni guximin dhe diturinë. Ne do të dëshironim që ta keni edhe kurajon që këtë çështje ta vendosni njëherë e mirë. Çështjen të cilën po ua apelojmë kërkon aksione konkrete e jo retorikë fjalësh. Në qoftë se kërkesa jonë shpërfillet atëherë ankimin për vandalizmin, dëmtimin dhe falsifikimin e varrezave të dëshmorëve të LNÇ-së në Tiranë do ta bëjmë duke filluar nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë dhe s’do të ndalemi deri në UNESKO Strasburg dhe OKB.
Me shumë respekt në emër të LPSH-KVE,
Remzi Hasani