Lëvizja Socialiste për Integrim dhe kryetarja e saj, Monika Kryemadhi, kohët e fundit janë zbutur ndjeshëm në ofensivën e tyre në drejtim të qeverisë dhe Ramës.
Kanë lënë vetëm Petrit Vasilin ta sulmojë, por atij s’ja merr njeri për bazë, pasi e kanë për humor.
Zbutja e LSI u vu re edhe në daljen e djeshme të Monika Kryemadhit në një konferencë, e cila kërkoi bashkëpunim me Ramën, për hir të hallexhinjve të këtij vendi.
E gjitha kjo vjen në një kohë, kur duket se marrëdhëniet LSI-PD janë ftohur ndjeshëm.
Kjo gjë vihet re edhe në një shkrim të një prej gazetave pranë LSI-së, që i kërkon Lulzim Bashës të ndajë mendjen se çfarë do të bëjë për zgjedhet vendore, ndryshe LSI mund të kthehet prapë me PS-në.
“Muajt ikin me vrap dhe beteja e radhës e opozitës janë zgjedhjet vendore 2019. Duket sikur janë larg, por muajt ikin.
Së pari ka nevojë të dihet se si do bashkëveprojnë, në ndarje bashkish, dy forcat më të mëdha politike PD dhe LSI. Partitë e tjera opozitare kanë vlerë, por nuk vendosin balancat elektorale. Për çudi, disa të djathtë me mandat deputeti dhuruar nga PD-ja, bëjnë sikur janë me vota elektorale ndaj kërkojnë nga Lulzim Basha që “njëherë të mblidhemi ne partitë e djathta dhe me pas të përcaktojmë raportin tonë me LSI”.
Nëse kishin kaq vota pse nuk morën vetë deputetë, por u futën në listat e selisë blu me firmën e Lulzim Bashës?
Momentalisht nuk shikohet ndonjë “dashuri” e madhe PD dhe LSI, pavarësisht se janë në opozitë. LSI-ja ka kërkuar FRONT OPOZITAR dhe preçizim të çdo elementi bashkëpunimi. Zgjedhjet vendore do jenë test për opozitën. Edhe për Edi Ramën, por PS-ja ka disi numra votash me shumë se PD-ja. Ndaj LSI vendos në shumicën e bashkive se cila forcë politike do ti fitojë.
Në politikë ka një parim: Kurrë mos thuaj kurrë! E përkthyer në praktikë nëse PD-ja akoma fluturon me “presh…” mundet ti mbetet preshi në zgjedhje. Pse LSI duhet të mbetet në pritje të PD-së?
E mendonte njeri se me 18 maj 2017 Edi Rama do bashkohej me Lulzim Bashën? Asnjeri! Pse të mos besohet se PS mund të mirëpresë LSI?
Jetojmë në Tironë, gjithçka mund të ndodhë”, thuhet në këtë shkrim.
Duket se LSI, ashtu si para zgjedhjeve të qershorit, po luan me dy porta.
Por, rrezikon që, ashtu si edhe para zgjedhjeve parlamentare të qershorit, të mbetet me “gisht në gojë”.