Nikoll Lesi shkruan në gazetën e tij, se Lulzim Basha pos het njerëzit e PD-së, për të mbrojtur veten e tij.
Ai i referohet faktit se Basha nuk ka reaguar për arrestimin e kryebashkiakut të PD-së në Lezhë, Fran Frrokaj.
“Lulzim Basha dje mund të dilte pas operacionit të policisë dhe të gjente dhjetëra kleçka për aksionin, nëse nuk kishte bindje për arrestimin. PD-ja e Berishës ka një përvojë të gjatë në historinë e arrestimeve, ku edhe ngjarjet më të vogla i ka kthyer në kauza të së djathtës. Lulzim Basha mund të deklaronte se kemi të bëjmë me një goditje politike, siç është zakon sa herë arrestohet një zyrtar. Por as këtë nuk e bëri.
Kreu i PD-së kishte mundësi dje që duke pranuar se ligji është shkelur me pronat, të kërkonte të njëjtat masa ndëshkimore edhe ndaj kryebashkiakëve të kampit socialist, kur dihet se po bëhet nami në tokat e zonës bregdetare ku qeverisin socialistët. Edhe në Durrës është bërë masakër me pronat, në Fier, në Elbasan dhe disa bashki të majta. Por Basha nuk doli fare të thoshte, të paktën diçka. Ndërkohë që në parlament bën “namin” duke denoncuar kryeministrin, qeverinë dhe bashkitë socialiste, dje as që u ndje kryetari i PD-së.
Apo kryeministri Rama dhe ministri Xhafaj i kanë ndonjë dosje në dorë Lulzim Bashës?! PD-ja heshti duke çuar, edhe me heshtje, mesazh kryeministrit dhe Kryeprokurores se “mund të arrestoni dorën e dytë nga PD-ja, por jo ish-ministrat e PD”.
Dje Lulzim Basha duhet të dilte para medias dhe të fliste. Heshtja tregon bashkëfajësi ose shitje të njërëzve të PD. Sali Berisha ishte ndryshe. Edhe Edi Rama. Edhe Ilir Meta. Nuk heshtnin, kur duhej folur, aq me tepër kur prangat janë në duart e përfaqësuesve të tyre”, shkruan gazeta e Lesit.(TemA)