4 këshilltarë të LSI të Bashkisë Vlorë kanë braktisur këtë forcë politike duke iu bashkuar Partisë Socialiste.
Në deklaratën e tyre për mediat ata theksojnë se arsyeja e largimit është pikërisht bashkëpunimi LSI – PD që sipas tyre nuk ka moral pasi Basha është financuar nga biznesmenë rusë.
“Që kur Ilir Meta është shkëputur nga LSI, partia po ikën në drejtim të paditur. Ne jemi të bindur se me Ilir Metën kryetar, LSI kurrë nuk do të merrte në mbrojtje biznesmenet rus që financojnë Lulzim Bashën”, shprehen këshilltarët.
Këshilltarët e larguar janë shprehur se LSI nuk po punon më në interes të qytetarëve.
Deklarata e plotë:
Ne, 4 anëtarë të Këshillit Bashkiak të Bashkisë Vlorë, zgjedhur nën siglën e subjektit Lëvizja Socialiste për Integrim shprehim shqetësimin tonë të thellë për zhvillimet politike në vend.
Të bindur se kandidimi ynë në listat e Lëvizjes Socialiste për Integrim në zgjedhjet e fundit për pushtetin lokal, si pjesë e një koalicioni të majtë me Partinë Socialiste synonte përfaqësimin dhe mbrojtjen e interesave të qytetarëve,
Të palëkundur në besimin tonë se e ardhmja e Shqipërisë është anëtarësimi në organizmat euroatlantike, në një aleancë strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian,
Konstatojmë me keqardhje se:
Lëvizja Socialiste për Integrim ka humbur integritetin e saj dhe nuk mbron më interesat e njerëzve të thjeshtë por mbron interesat personale të drejtuesve dhe ish funksionarëve të lartë të saj,
Lëvizja Socialiste për Integrim ka kohë që ka humbur qëllimin e saj si një forcë politike nxitëse e proceseve integruese euroatlantike,
Përkundrazi, konstatojmë se Lëvizja Socialiste për Integrim ka konsoliduar një aleancë të dyshimtë, duke marrë në mbrojtje një forcë politike të zhytur në interesa të errëta antikombëtare, tanimë të faktuara përmes lidhjeve të fshehta financiare me biznesmenë rusë,
Edhe pse media dhe dokumentet zyrtare kanë zbuluar financimin e Partisë Demokratike nga bizneset ruse, eksponentët e lartë të Lëvizjes Socialiste për Integrim nuk janë distancuar për asnjë moment të vetëm por përkundrazi janë përpjekur të justifikojnë këto veprime,
Që kur Ilir Meta është shkëputur nga LSI, partia po ikën në drejtim të paditur. Ne jemi të bindur se me Ilir Metën kryetar, LSI kurrë nuk do të merrte në mbrojtje biznesmenet rus që financojnë Lulzim Bashën.
Nuk dihet se për çfarë qëllimesh dhe në këmbim të çfarë gjëje, koalicioni opozitar PD-LSI ka pranuar me bujari miliona financime nga Rusia.
Në këto kushte, duke i mbetur besnik parimeve me të cilat kërkuam votën e qytetarëve në zgjedhjet e fundit lokale, por edhe duke besuar tek aleanca me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian si përspektiva më e mirë për Shqipërinë, deklarojmë se e kemi të pamundur të vazhdojmë të jemi pjesë e koalicionit opozitar.
Deklarojmë sot publikisht largimin nga Grupi i Këshilltarëve të LSI-së në Këshillin Bashkiak Vlorë. Që prej ditës së sotme, ne do të vazhdojmë misionin tonë në shërbim të qytetarëve duke qenë pjesë e Grupit të Këshilltarëve të Partisë Socialiste.