Drejtori i Aviacioni Civil Shqiptar Krislen Keri dhe Drejtori i Aviacionit Civil Italian Alessio Quaranta, kanë firmosur në Tiranë, Memorandumin e Mirëkuptimit, me synim forcimin e bashkëpunimit mes dy institucioneve.
Gjatë takimit Drejtori i “AAC” Keri, e njohu homologun Italian me zhvillimet në aviacionin shqiptar, sfidat dhe objektivat e të ardhmes, siç janë hapja e 2 aeroporteve, një në Vlorë dhe në Kukës.
Keri u ndal edhe te nismat e ndërmarra së fundmi, për të mbrojtur të drejtat e pasagjerëve dhe rritjen e sigurisë në aviacion, për të mos toleruar asnjë vonesë të paarsyeshme dhe mos informim të pasagjerëve.
Nga ana e tij Drejtori i Aviacionit Civil Italian Alessio Quaranta, vlerësoi zhvillimet e fundit në aviacionin shqiptar dhe shprehu gadishmërinë për të bashkëpunuar ngushtësisht me palën shqiptare për të përballuar disa nga sfidat që lidhen me rritjen e kapaciteteve, duke ofruar dhe asistencën e “AACI”, për trajnime të stafit si teknikisht dhe me ekspertizë.
Në memorandum palët bien dakort që të bashkëpunojnë në nivele të larta, për të standartizuar dhe harmonizuar praktikat dhe proçedurat në fushën e parrezikshmërisë në aviacion. Disa nga pikat kryesore të Memorandumit të Mirëkuptimit:
1. Parrezikshmëria në Aviacion, palët bien dakort për shkëmbyer informacion. Pala italiane ofron ekspertizën e saj përfshsirë dhe trajnime për operacione të ndryshme për inspektorët.
2. Palët do të vazhdojnë të ruajnë kontakte intensive për të respektuar të drejtat e pasagjerëve në aeroportet respektive, dhe angazhohen të marrin masat e nevojshme për të mos lejuar shkelje.
3. Autoriteti I Aviacionit Civil Italian, angazhohet për të dhënë asistentë dhe ekspertizë në hartimin e dokumentacioneve për çertifikimin, për programet shtetërore të sigurisë, për operimet e droneve etj.
Në përfundim të takimit, u ra dakort që palët të zhvillojnë disa takime të tjera, në nivel teknik, për të ruajtur nivelin e lartë të bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit.