Fatmirësisht nuk pati persona të lënduar. Qyteti bregdetar është përfshirë nga një erë e fortë, e cila ka shkaktuar dëme edhe në disa biznese.
LEZHE- Moti i keq ka përfshirë ditën e sotme edhe zonën e Lezhës. Era e fortë ka shkaktuar dëme të mëdha, sidomos në zonën bregdetare. Për shkak të forcës së erës, janë rrëzuar disa pisha në bregdetin e Shëngjinit.
“BalkanWeb” ka siguruar pamjet, ku duken edhe dëmet e shkaktuara nga era.
Po kështu, vihet re edhe një fenomen i përkohshëm si pasojë e motit të keq. Erërat mesdhetare, së bashku me baticën, kanë bërë që deti të mbulojë krejtësisht bregun, ku gjatë verës qëndrojnë çadrat e plazhistëve.
Në Velipojë uji ka mbuluar edhe shëtitoren në gati 50 cm lartësi.
Deti pritet të tërhiqet në kufijtë e tij në ditët në vijim, në të gjithë vijën bregdetare prej 14 km të Plazhit të Velipojës dhe në Shëngjin.
Banorët e zonës thonë se një situatë e tillë nuk është parë prej 18 apo 20 vitesh. Ndërsa dallgëzimi në det arrin 9-10 ballë.
DURRES- Era e fortë që ka përfshirë Durrësin paraditen e sotme, ka shkaktuar dëme në zona të ndryshme të qytetit bregdetar.
Një antenë e vendosur në katin e 5 të një pallati në Durrës ka përfunduar në katin e tretë si pasojë e erës së fortë. Mësohet se në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë, ndërkohë që duhet ndërhyrja e zjarrfikëses për spostimin e saj.
Ndërsa në aksin hyrës të qytetit të Durrësit, në afërsi tek Stacioni i Trenit në lagjen nr.17, degë të këputura pemësh kanë përfunduar në rrugë.
Era ka bllokuar punën në portin më të madh të vendit, ndërsa rrugët janë boshatisur nga njerëzit.