Fran Frrokaj, kreu i Bashkisë së Lezhës ra në prangat e policisë, nën akuzën e tjetërsimit të pronave dhe shpërdorimit të detyrës.
Një ditë pas arrestimit kreu i PD, Lulzim Basha shkoi ne Lezhë, ku mbajti një qëndrim të ftohtë për arrestimin.
Sot, gazeta zyrtare e PD-së, ‘Rilindja Demokratike’ duket se është distancuar nga kryetari i Bashkisë së Lezhës, i cili u arrestua të premten.
Për këtë RD i referohet takimit që ka ndodhur disa muaj më parë mes Edi Ramës dhe Fran Frrokajt.
Sipas gazetës miq të afërt të Frrokajt e kishin paralamëruar kryebashkiakun se kishte ‘’për ta ngrënë” nga Rama, po ai iu ishte përgjigjur se për hir të pozicionit si kryeministër do të duhet ta respektonte.
Kujtojmë se asokohe prania e Frrokajt gjatë takimeve në Lezhë të Ramës bëri mjaft bujë në media, pasi nuk ishte praktikuar më herët nga kryebashkiakët e djathtë.
SHKRIMI I PLOTË:
Çfarë ndodhi mes Kryebashkiakut të Lezhës, Frrokaj dhe Ramës në Lezhë? Frrokaj dhe Rama darkuan sëbashku. Pasi Frrokajn e thumbuan miqtë për këtë darkë, ai u përgjigj se ishte Kryeministër dhe duhet ta respektonte.
Një nga miqtë e tij shkoi edhe më larg duke e paralajmëruar se pas kësaj darke “ka për ta hëngër” se Rama është i pabesë, gjë të cilën Frrokaj nuk e besoi. Darka mes Frrokajt dhe Ramës erdhi vetëm një ditë pas protestës së banorëve para godinës ku Rama kishte zgjedhur të zhvillonte mbledhjen e qeverisë në Lezhë.
”Pasi kryeministri Edi Rama e ngacmoi lidhur me protestën e djeshme të banorëve të Torovicës, kryebashkiaku demokrat i Lezhës, Fran Frrokaj iu referua darkës me Ramën, duke hequr paralele me “Darkën e Gabuar”, librin e shkrimtarit Ismail Kadare.
Frrokaj tha se në darkën me Ramën, pavarësisht ndasive politike, i ka kërkuar financime për Lezhën. “Mbrëmë ishim në darkë.
Po i referohem librit të një autori, “Darka e gabuar”, nuk ishte darka e gabuar, isha në kohën e duhur, në vendin e duhur, është kryeministri i vendit tim, pavarësisht pozicioneve politik. Unë do vij në Tiranë në datën 27, bashkë me partinë time”, tha Frrokaj, duke iu referua protestës së opozitës.
Ndërsa Rama iu përgjigj me batutë: “Eja, por vetëm ujësjellësin lere në punë”.
Batutat e Ramës me Frrokajn:
Edi Rama: Do sqarosh këtu sa gisht ke te ajo protesta e djeshme me 15 veta…
Fran Frrokaj: Mbrëmë ishim në darkë. Po i referohem librit të një autori, “Darka e gabuar”, nuk ishte darka e gabuar, isha në kohën e duhur, në vendin e duhur, është kryeministri i vendit tim, pavarësisht pozicioneve politik. Unë do vij në Tiranë në datën 27, bashkë me partinë time.
Rama: Ik, por vetëm ujësjellësin lerë në punë.
Fran Frrokaj: Lezha ka nevojë për shumë investime dhe do ta falënderoj nëse do të bëhen realitet, pasi investimet i shërbejnë turizmit dhe popullsisë së zonave.
Fran Frrokaj: Dje kisha forcën ta ndaloja atë protestë, por nuk kisha asnjë arsye ta ndaloja atë protestë, pasi nga biseda edhe ju u bindët se ata kishin të drejtë.
Rama: Nëse do protestonin në 8 vjet kur ishte partia jote në pushtet, do shkoja t’i përqafoja. Unë vetëm ujë piva, kështu që isha esëll kur i thashë të gjitha ato, do mbahen dhe do bëhen…
Duket se ky dialog mes Frrokajt dhe Ramës është mbyllur me arrestimin e një dite më parë, në të vërtetë dialogu do të vijojë. Asgjë nuk ka mbaruar ende.