Debatet në Gjermani sa i takon Shqipërisë vijnë të shtohen. Ministri gjerman i Shtetit për Europën, Michael Roth ka deklaruar dje se Bashkimi Europian duhet të marrë vendimin pozitiv për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, në muajin qershor, siç ka deklaruar më herët.
Sipas tij, qershori është koha e duhur për t’i dhënë dritën jeshile dy vendeve të Ballkanin Perëndimor, duke dalë kundër atyre që kërkojnë shtyrjen e kësaj date me argumentin se BE nuk është gati. “Ne duhet t’i qëndrojmë fjalës dhe përmbushim angazhimet tona. Një votim pozitiv në kohën e duhur për të hapur negociatat e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë veriore kërkon pak guxim, por edhe më shumë vizion”, deklaroi Roth për të përditshmen gjermane “Der Tagesspiegel”.
Politikani i SPD-së risolli në vëmendje se një “afat i qartë ishte përcaktuar vitin e kaluar nga BE-ja”, duke theksuar se data më e përshtatshme për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut duhet të jetë vera, dhe jo vjeshta siç është përfolur ditëve të fundit.
Ai këmbëngul se BE duhet ta vërtetojë praninë e saj në rajon, sidomos për shkak të ndikimit të Rusisë, Kinës dhe Turqisë, që sa vjen e shtohet, por edhe për besueshmërinë e bllokut në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Në Ballkanin Perëndimor, Europa, Rusia, Kina dhe Turqia po luftojnë njëra-tjetrën për influencë. BE nuk ka për synim vetëm të garantojë interesat jetikë të sigurisë, por edhe besueshmërinë e saj”, shprehet Roth. Ministri gjerman reagoi dhe dy ditë më parë për këtë çështje. Ai përgëzoi Shqipërinë për rekomandimin pozitiv nga Komisioni Europian dhe deklaroi se duhet ketë një vendim pozitiv për negociatat.
“Ne duhet t’i qëndrojmë fjalës dhe përmbushim angazhimet tona. Duke pasur parasysh zhvillimet politike dhe zgjedhjet e ardhshme në rajonin e Ballkanit Perëndimor, qershori do të ishte koha më e mirë për të vendosur mbi nisjen e negociatave të anëtarësimit. Një votim pozitiv në kohën e duhur për të hapur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut kërkon pak guxim, por edhe më shumë vizion.
Në Ballkanin Perëndimor, BE, Rusia, Kina dhe Turqia po luftojnë për ndikim. BE-ja nuk ka për synim vetëm të garantojë interesat jetikë të sigurisë, por edhe besueshmërinë e saj”, tha Michael Roth.