Futbolli shqiptar ka degraduar tërësisht. Edhe ato pak grimca pozitive e profesioniste që solli Skënderbeu në Europa League janë të dyshuara si të manipuluara, nisur nga raporti i fundit i komisionerëve të UEFA-s ku kërkohet penalizimi me 10 vjet i skuadrës korcare.
Si të mos mjaftonte arbitrimi, skenës së dhunës e abuzimit i shtohet sjellja e presidentëve. Ishin harruar për ca kohë plumbat në zarf për gjyqtarët që conte ndonjë deputet, apo zbritja nga tribuna në dhomat e zhveshjes me kërcënime si ajo e presidentëve të Superiores, por kërcënim të hapur me vrasje i erdhi radha të ndodhë në Peshkopi, ku një lojtar i Vllaznisë B, vetëm 19 vjec, është pak të quhet u traumatizua kur dëgjoi nga goja e presidentit të Korabit Fehmi Mziu shprehjen “të fus plumbin”. Ky nuk është futboll normal, por futboll xhungle, ku fiton i forti dhe i pandershmi.
A e ka për herë të parë ky Mziu që lëshon akuza të tilla? Jo, sigurisht që jo, përundrazi, thuajse në të gjitha ndeshjet e Korabit ky person është problematik. Ndeshjet nuk fitohen me dhunë, as duke u hakmarrë për sjelljen e pahijshme apo të rëndë që mund të kenë bërë rivalët në stadiumet e tyre. Por këtu pyetja lind natyrshëm: Pse nuk është dënuar më parë ky Mziu i Korabit për sjellje agresive, kërcënime dhe ushtrim dhune në impiantet e futbollit? A ka federata komisione disiplinore që ndëshkojnë fenomenet negative? Pse ato e “përkëdhelin” Mziun dhe sojin e tij?
Logjika të con se është vetë FSHF dhe Duka që e përkëdhelin presidentin e Korabit dhe të gjithë dallkaukët e pazarexhinjtë e tjerë të futbollit shqiptar. Alarmi që lëshoi lojtari i Vllaznisë B Isufi dhe trajneri Kraja, përtej ngjyrimeve të rastit, janë dëshmi e qartë se kampionati shqiptar i futbollit, sidomos ai në kategoritë inferiore, është marrë peng nga të fortët. Presidentë me precedentë penalë, me të ardhura financiare të dyshimta dhe pa asnjë njohuri profesioniste në futboll komandojnë sportin më popullor e më të bukur në Shqipëri. Dhe kjo duket krejt normale kur mendon se si e mban Duka federatën prej 16 vjetësh. Për rrjedhojë, me presidentë që kërcënojnë me plumb kokës dhe me gjyqtarë që futen në fushë si “mish për top” dhe si “masha” të Dukës, nuk ka kurrfarë të ardhmeje futbolli në Shqipëri. /Pamfleti.com