Adriatik Llalla është “arratisur” nga Shqipëria sapo ka mësuar rreth nisjes zyrtare të hetimeve ndaj tij, nga ana e Prokurorisë. Lajmi konfirmohet për “Alpenews.al” nga burime të sigurta pranë aeroportit ndërkombëtar të Rinasit, të cilat japin edhe detaje rreth orareve dhe itenerarit të ndjekur prej tij.
Ish Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë është duke u hetuar zyrtarisht për “pastrim të produkteve të veprës penale” ose e thënë ndryshe për pastrimin e parave të pista të fituara sipas asaj që Departamenti Amerikan i Shtetit e cilëson si përfshirje të tij në raste të mëdha korrupsioni përgjatë pesë viteve të mandatit të qëndrimit në detyrë.
Hetimi po zhvillohet nën kujdesin e Prokurores së Përgjithshme Arta Marku, nga një grup sepecial prokurorësh, me asistencën e partnerëve tanë ndërkombëtarë, SHBA dhe të BE.
Llalla pak kohë më parë ishte në Gjermani në një nga udhëtimet e shpeshta që ai po bën këto kohë të vështira për të, jashtë Shqipërisë. Burimet thanë se të gjitha lëvizjet e tij janë të monitoruara nga shërbimet partnere. Por, ai u rikthye me urgjencë në Tiranë pak përpara shpërthimit dhe publikimit të skandalit të Rovena Gashin për ti qëndruar pranë.
Ajo ka qenë bashkëpunëtorja e tij më të afërt, dhe ka mbajtur detyrën e drejtoreshës së Marrëdhënieve Juridiksionale me jashtë gjatë kohës që ai ishte Prokuror i Përgjithshëm i Republikës. Media publikoi prova dhe dokumenta të pakundërshtueshme që tregonin se ajo i kishte fshehur vettingut 16 prona të patundshme, një pallat të tërë në zonën më të shtrenjtë të plazhit të Durrësit, 14 apartamente në zonën e Shkëmbit të Kavajës, dy godina të mëdha biznesi, tokë, etj.
Të gjitha këto me një vlerë mbi 2 milionë euro, ndërkohë që hetimet e orëve të fundit kanë sjellë të tjera surpriza që e thellojnë akoma edhe më shumë skandalin e saj. Këto prova pritet të bëhen publike në media, gjatë kësaj jave.
Pasi i qëndroi pranë në Shqipëri Rovena Gashit, Adriatik Llalla ka mësuar se zbulimi i pronave të fshehura prej saj, i ka vënë vulën përfundimtare nisjes së hetimeve zyrtare ndaj tij për “pastrim parash”. Besohet se një pjesë e pronave të Gashit, i përkasin Llallës, sepse siç tha një ish ministër shqiptar i Drejtësisë ata sëbashku kanë mbyllur dosjet e krimit të organizuar që i ka shpërblyer me këto dhe prona të tjera që janë zbuluar tashmë.
Në panik pë fillimin zyrtar të hetimeve ndaj tij Adriatik Llalla është “arratisur” sërisht nga Shqipëria, duke u larguar me linjën “Alitalia”, nga Rinasi drejt Romës. Kjo i ka bërë prokurorët që pas rikthimit të tij në Shqipëri, të mendojnë për tia bllokuar pasaportën që të mos udhëtojë për të prishur provat dhe fshehur gjurmët.