Pak ditë më parë në Ekuador u vra një shqiptar nga Mali i Zi me gruan, e cila ishte ekuadoriane nga dy persona te veshur si policë. Fadil Kaçaniç u ekzekutua me tre plumba, ndërsa gruaja me sende të forta në kokë. Report Tvpublikon për herë të parë foton e shqiptarit nga Mali i Zi që u ekzekutua me armë zjarri nga dy persona të panjohur në Guayaquil, qytet që është kthyer në vendin e përplasjes mes shqiptarëve dhe bandave vendase.
Fadil Kaçaniç sikur duket nga fotoja ka qene i pranishem ne vendin e ngjarjes ku eshte qelluar Remzi Azemi në nëntor 2017, i cili mbeti i plagosur. Mediat vendase kanë publikuar foton e 64-vjeçarit shqiptar në datë 8 nëntor kur është bërë atentati ndaj Azemit, ç’ka e lidh Kaçaniçin me përplasjet për tregun e kokainës.
Edhe sipas medieve në Ekuador, shqiptari nga Mali i Zi u vra për shkak të konflikteve për drogën, pasi pak kohë më parë kishte dalë nga burgu. Kaçaniç dyshohet se ka qenë një urë lidhëse për shqiptarët që furnizoheshin me kokainë.
E ndërsa pak ditë në Durrës u bllokuan 613 kg kokainë të ardhur nga Kolumbia, Ekuadori është një tjetër shtet ku bandat shqiptare furnizohen me drogë duke e trafikuar në mënyrë të ndryshme, kryesisht përmes kontenierëve me banane.
Nga linja Ekuador- Shqipëri janë goditur 4 aksione në 3 vite, ndërsa janë sekuestruar 317 kg kokainë. Report TV pak ditë më parë siguroi ekskluzivisht informacionin nga ku mësohet se policia e Ekuadorit sekuestroi 4 ngarkesa më kokainë të cilat kishin si destinacionin final portin e Durrësit.
Dy operacione janë zhvilluar gjatë vitit 2014, një në 2015 dhe një tjetër në 2016. Për të katra këto operacione është njoftuar policia shqiptare por nuk janë identifikuar porositësit dhe pritësit e kokainës. Në këto katër operacione policia e Ekuadorit sekuestroi në total 317 kg kokainë të pastër me destinacion Shqipërinë.
Sipas informacionit të dhënë nga policia e Ekuadorit, në operacionin e datës 24 Nëntor 2015 i quajtur Roof (Catia) në një kontenier të mbushur me banane u gjetën 82 pako kokaine me peshë 93 kile. Droga ishte e fshehur në tavanin e kontenierit. Destinacioni final ishte Durrësi. Ndërkohë që një tjetër linjë trafiku e zbuluar ne 2014 ishte nga Ekuadori me destinacion Fierin, ndërsa ngarkesa u bllokua në një port në Malin e Zi, pikërisht vendi nga është viktima Fadil Kaçaniç.
Furnizimi me kokainë në Ekuador është kthyer në një treg të lakmuar nga shqiptarët, ndërsa në vitet e fundit kanë ndodhur disa atentate dhe vrasje. Në 2016 Ilir Hidri u qëllua për vdekje në Guayaquil, ndërsa Remzi Azemi është plagosur në nëntor 2017.
Fadil Kaçaniç u vra pikërisht në të njëjtin qytet që kanë ndodhur edhe atentatet e para ndaj shqiptarëve, Guayaquil. Të gjitha rastet janë shënuar për shkak të përfshirjes në trafikun e kokainës. Guayaquil është qyteti i Ekuadorit ku dyshohet se nisen sasi të mëdha kokaine drejt Europës dhe në disa raste edhe drejt Shqipërisë.
Me rreth te kuq, shqiptari qe u vra ne Ekuador
Vendi ku u vra shqiptari
Autoret e vrasjes se shqiptarit, te veshur si police